E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia mposhtet, gjysma e skuadrës tifo për Partizanin

Partizani fiton 2-0 përballjen me Vllazninë, atë që duhej të ishte supersfida e javës së 31-të në Kategorinë Superiore dhe ruan hapin e Dinamos kryesuese. Vendimtar për skuadrën e drejtuar nga Hasan Lika ishte dygolëshi i realizuar nga Paulin Dhëmbi që i shtyn të kuqtë drejt javës finale ku do të luhet përballja për titullin kampion me Dinamon. Megjithatë, në ndihmë të "Demave" kanë ardhur edhe një pjesë e lojtarëve të Vllaznisë, të cilët kanë zgjedhur të mos luajnë. Në "Qemal Stafa", skuadra shkodrane ka qenë një hije e skuadrës që në mesjavë triumfoi në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në fakt, të besuarit e Dervish Haxhiosmanoviç kanë qenë të ndarë në dy pjesë: ata që vraponin dhe luftonin në fushë dhe ata që bënin sikur luanin, duke mos bërë aspak rezistencë ndaj Partizanit. Sipas burimeve pranë klubit mësohet se për këtë sfidë Dinamo kishte vendosur premio për kuqeblutë, në rast se ata do të arrinin të frenonin skuadrën e Likës, qoftë edhe me një barazim. Megjithatë, duket se kjo ofertë nuk është pranuar nga një pjesë e skuadrës, të cilët kanë zgjedhur rrugën e tolerimit. Sfida është karakterizuar nga kartonët, shkodrani Kapaj ka lënë lojën me të kuq në minutën e 52, ndërsa edhe shumë lojtarë të tjerë të Vllaznisë dukej se i kërkonin vetë ndëshkimet. Kjo ka sjellë edhe reagimin e teknikut Haxhiosmanoviç, i cili tha: "Kartonët e shumtë nuk janë realisht puna ime. Por nëse lojtarët duan t‘i marrin qëllimisht, atëherë ata do të humbasin vendin në formacion".

Me fitoren e djeshme, Partizani ruan diferencën me 2 pikë nga kryesuesit e kampionatit, Dinamo. Edhe skuadra e Ilir Dajës nuk ka ndeshur në rezistencë të fortë përballë Besës, duke fituar pa u djersitur me rezultatin 2-0. Kuli në pjesën e parë dhe Pollozhani në 45 minutat e dyta janë firmat e golave të fitores. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e aktivitetit elitar në vend, gjithmonë e më shumë krijohet bindja se titulli kampion do të vendoset në përballjen direkte me Partizanin, në ndeshjen e fundit të sezonit.

Tirana vazhdon periudhën e errët dhe gjithçka në këtë sezon duket se shkon mbrapsht. Bardheblutë janë mposhtur 1-0 në fushën e Besëlidhjes, duke regjistruar humbjen e tretë radhazi në kampionat (të katërtën duke llogaritur edhe humbjen e mesjavës në finalen e Kupës). Bardheblutë tashmë duken të dorëzuar edhe në garën për një vend në kupat e Evropës. Nga ana tjetër, lezhjanët morën tre pikë shpresë në luftën për mbijetesë. Shkumbini humbet 1-0 në fushën asnjanëse të Elbasanit me Kastriotin. Por, shënimi i golit të krutanëve në të 64-ën ka sjellë largimin nga stoli të teknikut Gugash Magani, që e ka shprehur në këtë mënyrë protestën ndaj skuadrës së tij. Pas tij nga tribuna qendrore është larguar edhe presidenti Xhavit Ismaili. Vetëm barazim 1-1 i Teutës me Elbasanin, ndërkohë që Flamurtari trondit 4-1 Skënderbeun: Brajkoviç ishte heroi i bregdetarëve me dy gola, ndërsa "pokeri" u plotësua nga Denis Mema e Arifaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›