Ervin Skela: Me Kuzhe, shoh një kombëtare krejt ndryshe
Leonard Karaj
Elozhe ndaj “bosit” të tij ende pa u parë në debutim zyrtar. Por për Ervin Skelën kjo gjë nuk ka shumë rëndësi pasi ai sheh një skuadër krejt ndryshe pas ardhjes së Josip Kuzhesë në krye të kombëtares. Në intervistat e tij të para, trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, theksoi se përveç Erjon Bogdanit, kishte stërvitur për pak kohë edhe Ervin Skelën. “E njoh Kuzhenë prej shumë kohësh, është një trajner shumë i mirë”, - tha 32-vjeçari Skela, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në rezidencën e Kombëtares në hotel “Dyrrah”. “Në këto 2-3 ditë që unë jam këtu shoh që atmosfera ka ndryshuar në Kombëtare. Ka sjellë një frymë të re në seancat stërvitore. Futbollistët janë më të motivuar. Ai (Kuzhe) kërkon të formojë grupin, në mënyrë që ai të arrijë të formojë skuadrën që do të ndeshet kundër Portugalisë”, - shtoi Skela, që u ribashkua me Kombëtaren pas dy humbjeve të skuadrës së tij, Energji Kotbus në play-out me Nurembergun për një vend në Bundesligën e parë gjermane për sezonin e ardhshëm.
Rekordet
Skela me 61 ndeshje ndërkombëtare është “kryeplaku” i Kombëtares në “mega-listën” prej 26 emrash të hartuar nga trajneri Josip Kuzhe për dy ndeshjet e para ndërkombëtare të tij në stolin e Kombëtares, ato kundër Portugalisë (zyrtare, 6 qershor) e Gjeorgjisë (miqësore, 10 qershor). Fantazisti vlonjat mban edhe një rekord të “vockël” brenda grupit të këtyre lojtarëve: me 10 gola të shënuar (i fundit në miqësoren kundër Azerbajxhanit, 1-1) është dhe lojtari që ka shënuar më shumë me fanellën kuqezi. Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ka grumbulluar 6 pikë po aq sa Portugalia e Suedia, por që kanë ndeshje më pak se ne, ndodhet në vendin e pestë në Grupin 1, duke lënë pas vetëm Maltën.
Gjithsesi, është Portugalia ajo që vjen në Tiranë nën presion të jashtëzakonshëm, qoftë për kujtimet e hidhura nga takimi i parë në Braga (0-0), por dhe me urgjencën e tri pikëve për të shpresuar më pas në kualifikimin për në Botëror. Dhe këtë e pranon edhe Ervin Skela, i cili pritet t’u hapë jo pak punë portugezeve në takimin kundër tyre në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe ballafaqimi i pestë historik kundër Kombëtares portugeze.
Portugalia
“Nuk ka nevojë për shumë debat, apo për të dhënë shumë mendime. Portugalia është një kundërshtar i fortë dhe na pret pa dyshim një ndeshje e vështirë, por shpresoj së të shtunën do të mundohemi të japim më të mirën tonë, gjë që e bëjmë gjithmonë përballë ekipeve të mëdha. Barazimi me Portugalinë ishte një ngjarje historike, sikurse fitorja me Greqinë në “Qemal Stafa”. Pra janë ngjarje që s’kanë për t’u harruar kurrë”, - theksoi Ervin Skela.