E Diel, 1 Nëntor 2026

Ervin Skela akuzon: “Në Bundesligë, Kotbusin nuk e duan, na quajnë lindorë”



“Ne qëndruam në Bundeslige edhe pse shumë njerëz nuk e dëshironin këtë. Në Bundesligë nuk e duan një ekip nga Lindja”. Ervin Skela duket më i revoltuar se kurrë dhe “zemërimin” e tij nuk e fsheh as për median më të rëndësishme sportive në Gjermani, revistën prestigjioze “Kicker”, për të cilën shqiptar dha edhe një intervistë të gjatë.
Energi Kotbus siguroi mbijetesën në Bundesligën gjermane, dhe një rol të dorës së parë ka pa dyshim fantazisti shqiptar Ervin Skela. Takimin e fundit Kotbus fitoi 2-0 kundër Hamburgut dhe lojtari i Kombëtares shqiptare ishte një ndër më të mirët në fushë në fitoren e pestë rresht në shtëpi. “Ajo që ka bërë ekipi deri tani, është sensacionale” – thotë Ervin Skela për faqen gjermane maerkischeallgemeine.de. Në takimin kundër Hamburgut për herë të dytë gjatë këtij sezoni stadiumi ishte shitur plotësisht, ashtu si me Bajernin ku ishin të pranishëm 22 746 shikues.
Ervini është edhe futbollisti shqiptar që ka shënuar më shumë gola nga ata luajnë këtë sezon në Bundesligë. Skela ka realizuar 7 gola (më i miri i ekipit), Edmond Kapllani 2 gola me Karlsruhen, po aq sa Faton Toski i Eintrahtit të Frankfurtit. Lala duarbosh (vetën një asist) edhe këtë sezon, ndërsa mbrojtësi Mërgim Mavraj i ka pas të numëruara minutat.
Takimi i radhës i Energi Kotbus (ndodhet në vendin e 14-të, 36 pikë) njëherësh edhe i fundit sezonal është ai kundër Hanoverit të Altin Lalës (vendi i 8-të, 46 pikë). Po të shtunën, Karlsruhe e Edmond Kapllanit do të luajë në transfertë kundër Hamburgut, një ish-ekip i Besart Berishës.

Kicker: Skela, na thoni, sa gjatë do të festohet ditën e shtunë kalimin i klasës?
Ervin Skela: Shumë gjatë. Jemi të gjithë të lumtur me rrjedhën e sezonit, pasi ia arritëm të mbijetojmë një javë përpara përfundimit të kampionatit.
Kicker: Pas rezultatit 2-0 kundër Hamburgut, ju thatë se e fituam Ligën me “1 mijë përqind”. Çfarë kishit parasysh me këtë?
Skela: Kur në ndeshjet e kthimit kundër gjithë kundërshtarëve për mbijetesë fiton, apo të paktën si kundër Nurembergut arrin një barazim, apo kur mposht në shtëpi Bajernin dhe Hamburgut, kur skuadra tregon moral dhe vullnet, atëherë do të thotë se e ke fituar me një mijë për qind qëndrimin në Bundesligë. Edhe pse shumë njerëz nuk e dëshironin këtë.
Kicker: Kush?
Skela: Kjo nuk është më një e fshehtë dhe unë mund ta them me qetësi: askush në Bundesligë nuk dëshiron ta ketë Energi Kotbusin, edhe pse dikush e përsërit shpesh se një ekip nga Lindja luan në Bundesligë. Kur dëgjon lojtarë të tjerë, apo trajnerë, se nuk dëshirojnë të udhëtojnë drejt Kotbusit, pasi ata e dinë, se këtu është shumë e vështirë për të marrë diçka.
Kicker: Çfarë pjese zë në këtë mbijetim trajneri Bojan Prasnikar?
Skela: Secili ka pjesën e tij, por e tij është e madhe. Njerëzit, të cilët sollën Prasnikarin, kanë bërë zgjedhjen më të mirë. Ai është një trajner, që vendosi shumë disiplinë. Prasnikar jeton 24 orë për futbollin. AI është trajneri i duhur në vendin e duhur.
Kicker: Në vitin 2006 me Kaisersaluternin ratë nga Bundesliga. Çfarë kishte këtë vit Energi, që Kaiserslauterni nuk e kishte?
Skela: Ndryshimi qëndron në faktin, se ne te Lauterni nuk ishim një ekp. Bashkësia fillon nga Alfa dhe mbaron te Omega. Dhe këtë në Kotbus dinë ta bëjnë.
Kicker: A do të luftoni sërish për mbijetesë sezonin e ardhshëm?
Skela: Për sezonin e ardhshëm unë dëshiroj, që ekipi të qëndrojë kështu dhe ndoshta edhe të përforcohet me tre blerje për të rritur cilësinë. Ndërkohë, unë jam i bindur, se me këtë trajner nuk do të kemi probleme për mbijetesë.
Përgatiti: Dash Frashëri

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›