Haga liron Haracinë dhe Morinën deri në nisjen e gjykimit
Gjykata e Hagës liroi përkohësisht ish-ministrin e Kulturës së Kosovës Astrit Haraçia dhe Bajrush Morinën. Sipas Gjykatës së Hagës, lirimi i tyre do të jetë deri në momentin e nisjes së gjykimit nga kjo gjykatë për akuzën e presionit ndaj dëshmitarit në procesin gjyqësor të Ramush Haradinaj.
Sipas akuzës, Haraçia dhe Morina, në korrik të vitit 2007 janë përpjekur të bindin një dëshmitar të mbrojtur, që të mos dëshmojë kundër Ramush Haradinajt. Në komunikatën nga Gjykata e Hagës thuhet se në atë kohë, Haraçia ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Vete Haracia i ka mohuar akuzat dhe është treguar i gatshëm të dëshmojë për këtë në Hagë. Haraçia dhe Morina i kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tyre nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi.
San Marino njeh Kosovën, njohja nga Çekia javën e ardhshme
Shkon në 40 numri i shteteve që e kanë njohur zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur. Gjatë ditës së djeshme Kosova është njohur nga San Marino dhe lajmi u bë i ditur nga televizioni i këtij shteti
SanMarinoTV. Ndërkohë edhe Çekia ka paralajmëruar se mund ta njohë shtetin më të ri të Ballkanit javën e ardhshme. Më herët ishte paralajmëruar se njohja do të bëhej më 2 prill, por ajo u kundërshtua nga demokristianët dhe një pjesë e demokratëve.
“Në një nga mbledhjet e ardhshme qeveria do t’i kthehet çështjes së Kosovës”,-i ka konfirmuar të përditshmes “Hospodarzhske novini” zv.kryeministri për çështje europiane, Aleksandar Vondra, i cili bashkë me kryeministrin Mirosllav Topolanek mbështesin fuqishëm njohjen.
Tërmeti vdekjeprurës në Kinë, rreth 20 mijë të vdekur
Pas tërmetit të rëndë që goditi Kinën, numri i viktimave është në rritje. Çdo orë ka njoftime të reja mbi të vdekur dhe njerëz të zënë nga rrënojat. Vetëm në qytetin Mianzhu kanë mbetur nën gërmadha 10.000 vetë. Në shumë shkolla nxënësit dhe mësuesit kanë mbetur gjithashtu nën rrënoja. Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë. Autoritetet janë duke u ofruar njerëzve të prekur ujë, çadra, ushqime dhe medikamente. Ndërkaq ndihmë është ofruar nga krerët e shteteve të huaja ndër ta edhe presidenti i SHBA-ve Xhorxh Bush. Përmasat e vërteta të katastrofës që shkaktoi tërmeti në Kinë janë ende të pallogaritshme dhe vetëm pas pak ditësh mund të vendoset qartësi mbi gjendjen reale.
Spanjë, ETA sulmon hekurudhat në ndërtim
Organizata separatiste baske “ETA” ka vendosur bomba në hekurudhat në ndërtim, të cilat lidhin do të lidhin tri qytetet më të mëdha në Baski, kanë njoftuar dje mediat spanjolle. Dy bomba, të cilat kanë shpërthyer në afërsi të qytetit Hernani, kanë dëmtuar dy makina gërmimi në pronësi të kompanisë e cila po merr pjesë në ndërtimin e hekurudhës. Me këtë rast nuk është lënduar askush.
ETA ka marrë përsipër sulmin, njofton agjencia gjermane e lajmeve DPA. Hekurudha AVE do të duhej që mendohet se deri në fund të viti 2015, të lidhë tre qytetet baske Bilbao, San Sebastian dhe Vitoria.
Në Sudan arrestohen rreth 300 persona
Rreth 300 persona janë arrestuar në Sudan pas një sulmi të rebelëve afër kryeqytetit Kartum, kanë bërë të ditur mediet shtetërore. Agjentët e sigurimit shtetëror kanë bastisur shtëpi të ndryshme në të cilat dyshohej se fshiheshin rebelët e dyshimtë në qytet. Human Rights Ëatch ka shprehur brengosjen rreth keqtrajtimit dhe torturës së mundshme të të arrestuarve. Por, qeveria ka siguruar se të arrestuarit do të kenë një gjykim të drejtë.
14 Maj 2008