E Diel, 1 Nëntor 2026

Formalizmi sui generis në poezinë e Ali Asllanit



Sazan GOLIKU
Studimet e kryera për tiparet e vlerat e poezisë së Ali Asllanit kanë theksuar gati njëzëri individualitetin e spikatur, potencën dhe elegancën artistike, pasurinë figurative, frymën popullore dhe optimizmin që mbështetet në vitalitetin e kombit shqiptar. Ndër elementet formale, që e bëjnë të ndriçojë në mënyrë të veçantë poezinë e tij, janë dhe ato metrike, ku shohim gdhëndjen mjeshtërore të poetit. Harmonia dhe muzikaliteti i kësaj poezie burojnë nga pasuria e mjeteve dhe e mënyrave të organizimit e të instrumentalizimit të vargjeve. Me vetëdije të qartë estetike e intuitë të lindur artistike, poeti thurr vargjet në një magji arre, ku shqipja e tij është brumi i ardhur nga frymëzimi e përvoja, nga këngët labe e filozofia popullore e ajo botërore, e lindjes dhe e perëndimit. Si ai argjendari që krijon lule e gjethe, arabeska e figura çuditshme me metalin e çmuar, ashtu dhe Ali Asllani luan me vargun, e përdredh e spërdreth, e hedh, e pret e zgjeron, e shtrin, e hedh ngultas… Kjo lojë e shenjtë (siç e kanë quajtur dikur poezinë e Hajnes), që edhe pse është plotësisht në përputhje dhe në funksion të brendisë ideore dhe emocionale të motivit, të bën të mendosh se me Ali Asllanin kemi një formalist të parë shqiptar, natyrisht një formalist sui generis. Strukturat ritmike e rrokjesore të këtij poeti synojnë drejt përkryerjes dhe mbeten të tilla. Por ky “ngurtëzim” metrik nuk e ka çuar poetin në sforcim të ligjërimit poetik, në monotoni e uniformitet, si te disa poetë të tjerë që, për të qenë strikt brenda rregullave klasike, i përdorin pa masë apostrofat, licensat, apokopet, duke e “lodhur” vargun, ose duke e bërë të kërcasë. Rrjedhshmëria, gjallëria e dinamizmi i vargjeve asllaniane janë tipare tingëllore të veçanta që lehtësisht dallohen edhe nga ato të mjeshtrave të shquar të poezisë sonë si të Serembes, Naimit, Fishtës, Mjedës, Çajupit, Lasgushit. Është interesante vërejtja (konstatimi) e studiuesit Rexhep Qosja, që flet për një paradoks: “Edhe pse ritmika e vjershave të tij (A. Asllanit-shën. im) e bazuar mbi teknikën e këngëve popullore mund të quhet pak a shumë e njëtrajtshme në krahasim me ritmikën e Asdrenit apo Migjenit, prapë shprehja e tij është e butë , elastike dhe e pasur përkah variacionit e regjistrit.” Pra, pohohet “pak a shumë” një fare njëtrajtshmërie (që për mua është një konstatim i diskutushëm në rrafshin funksional) dhe njëkohësisht pohohet ekzistenca e variacionit, për të arritur në vlerësimin se A. Asllani “pa dyshim është krijues i rrallë i poezisë shqipe.” Duke i qëndruar besnik tetërrokëshit trokaik, tipik edhe për poezinë popullore shqiptare, poeti përdori me sukses edhe gjshtërrokëshin, gjashtëmbëdhjetërrokëshin e dymbëdhjetërrokëshin me cezurë në mes. Sistemi silambo-tonik, i përdorur prej tij, e ka lejuar të bëjë edhe kombinime metrash. Por edhe pse krijon struktura të ndryshme, për të mos thënë të larmishme, poeti nuk toleron dhe është i prerë në strukturat ritmike e rrokjsore të vargut. Edhe pse në poezinë e A.Asllanit mbizotërojnë rimat e puthura dhe të kryqëzuara, tek ai nuk mungojnë edhe rimat alternuara e komplekse, sipas ndërtimit të strofave. Por ajo që është e rëndësishme dhe funksionale duhet përmendur pasuria e ndryshueshmëria e rimave që krijojnë e përçojnë te lexuesi efektet e duhura akustike. Tipike për këtë poezi janë edh rimat e brendshme që e forcojnë ekspresivitetin eufemik, ashtu siç janë dhe përsëritjet mjeshtërore të tingujve (zanore e bashkëtingëllore), që krijojnë aliternacione të dukshme, si dhe përsëritjet e fjalëve, të tokfjalëshve, pasthirmave, madje dhe e një vargu. Këto përsëritje kanë forma përsëritjet e fjalëve, të tokfjalëshve, pasthirmave, madje dhe e një vargu. Këto përsëritje kanë forma e mënyra të ndryshme, duke filluar me epanalepsin, anaforën, epanastrofën, përsëritjet zinxhir, përsëritjet me shkallëzim etj. Janë pikërisht këto mjete, krahas konceptimit poetik origjinal dhe figuracionit të begatë, që i japin poezisë së Ali Asllanit atë magji e bukuri që kënaq veshin, të gjallëron imagjinatën dhe mbi të gjitha të ëmbëlson ose të forcon shpirtin.

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›