Ervin Skela beson tek aftësitë e Kuzhesë
Kombëtarja ka pësuar një ndryshim të dukshëm për mirë pas ardhjes në krye të saj të trajnerit kroat Josip Kuzhe. Një gjë të tillë e konfirmon edhe në ndeshjen e së shtunës së fundit ndaj Portugalisë, e cila edhe pse u humb 1-2, nxori në pah një Kombëtare që ka një lojë të sajën dhe që di t‘i imponohet kundërshtarit, pavarësisht nga emri i madh që ka përballë. Për këtë arsye, tekniku i kuqezinjve ka marrë edhe vlerësimin e kapitenit kuqezi për sfidën ndaj luzitanëve, Ervin Skela, i cili e ka njohur që prej 1997-‘98. "Është e vërtetë që me Kuzhe kam punuar në vitet ‘97-‘98, kur kam qenë te Kemintz. Ai është një trajner me ide të qarta. Kuzhe bën shumë për anën taktike, e vendos ekipin shumë mirë në fushë dhe di të kapë pikat e dobëta të kundërshtarit", shprehet Skela, e ardhmja e të cilit është ende e paqartë pas rënies së Kotbuzit në Bundesligën 2.