E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maldini: Milan, pa Kaka nuk ka Champions

Një lumë lotësh. Një ditë pas largimit të Kakasë, Paolo Maldini largohet nga futbolli pa fshehur një lloj pesimizmi. "Për Milanin është një ndryshim epokal, pohon ai në konferencën për shtyp në "San Siro". Të mendosh të fitosh Champions League pa Kakanë mund të jetë një utopi". Kapiteni kuqezi në ikje shprehet kështu në lidhje me tratativën, që çoi brazilianin te Reali i Madridit. "Kaka është një nga pesë lojtarët më të mirë të botës, është i pari i këtij niveli që shitet. Dhe katër të tjerët nuk lëvizin". Hesht për pak kohë dhe shton: "Kur u tërhoq Franko Barezi, unë u ndjeva si i humbur: shikoja gjithçka zi. Por pastaj Milani diti të riniset. Ky klub ka ditur gjithmonë të ecë përpara në mënyrën më të mirë: e kuptoj momentin, por nëse do të menaxhohet siç është menaxhuar deri tani, kjo histori do të vazhdojë edhe për shumë kohë".

Ka qenë e paevitueshme të mos flasë për atë që ndodhi në Milan-Roma, kontestimin frenetik nga ana e një pjese të tifozerisë ultrase. Por edhe për ndjenjën e vetmisë dhe braktisjes nga klubi. "Prisja diçka ndryshe. Besoj se Galiani e ka marrë si një gjë personale. Por klubi, Milani, nuk besoj se identifikohet në një person të vetëm. Fjalët e Berluskonit më kanë kthyer në vend krenarinë, më ka thyer paqen në zemër, pasi ka thënë gjëra që do të kisha dashur t‘i dëgjoja". Për sa i përket padronit, Maldini është i bindur se Berluskoni nuk do ta humbasë vëmendjen nga skuadra: "Filozofia është gjithnjë e njëjtë: Milani mbetet një klub me oreks të madh".

Këpucët e tija tashmë janë varur në gozhdë, të shoqëruara nga lamtumirat e Ançelotit dhe Kakasë. Këto kanë ardhur si thika në zemër. Por si do të jetë e ardhmja e Milanit? Edhe Paolo Maldini ka mbetur i befasuar nga zhvillimet e fundit, të cilat nuk kishin ndodhur kurrë më parë në këtë klub. "Ronaldinjo mund të bëhet një lider, thotë ai, por i takon atij; duhet të marrë përsipër më shumë përgjegjësi". Po Pato? Sirenat e shtyjnë drejt skuadrave të tjera dhe terrorizojnë akoma edhe më shumë tifozët: "Nuk besoj se do të iki. Ekziston shpresa për të qëndruar edhe për shumë vite te Milani. Ai ende duhet të zbulojë talentin e tij: është vetëm 19 vjeç". Për momentin nuk ka vendosur se cila do të jetë e ardhmja e tij, por garanton se nuk do ta refuzonte një post drejtues te Milani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›