E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervin Skela gjunjëzon Arminian

Ervin Skela vazhdon të përjetojë momentin më të mirë që prej janarit 2007, kur është bërë pjesë e Energie Kotbus. Fantazisti shqiptar ka rezultuar përsëri deciziv për skuadrën e tij, duke shënuar golin e fitores 1-0 përballë Arminia Bielefeld. Në minutën e 52-të, Skela ka shndërruar në gol një 11-metërsh të dhënë në favor të vendasve, ndërsa Kotbus fiton 3 pikë me shumë vlera në luftën për të mbijetuar në Bundesligë, përballë një kundërshtari direkt. Tekniku Prasnikar ka vendosur që në të 89-ën të zëvendësojë shqiptarin me Radeljiç. Ndryshimi është bërë me qëllimin që Skela të merrte duartrokitjet e 15 mijë të pranishmëve në "Stediumin der Freundshaft", pasi në tre javë kuqeziu ka shënuar katër gola që i kanë sjellë Kotbusit 9 pikë. Në javët e mëparshme vlonjati kishte shënuar dy herë kundër Herthës së Berlinit, ndërsa një javë më vonë golin e fitores në fushën e Duisburgut. Me golin e djeshëm, kuqeziu ka realizuar rrjetën numër 19 në 131 prezenca në elitën e futbollit gjerman. Tashmë, skuadra e 32-vjeçarit renditet në vendin e 14-të, me 29 pikë të grumbulluara në 28 ndeshje, e distancuar me 4 pikë nga Duisburgu i vendit të 16-të, që ndodhet në zonën e rënies nga kategoria. Fundjavë mjaft pozitive ka qenë edhe ajo e Altin Lalës, i cili është aktivizuar përgjatë gjithë 90-minutëshit në fitoren 2-1 që Hanover arriti në fushën e tij me Eintrahtin e Frankfurtit. Vetëm 35 minuta aktivizim për Edmond Kapllanin, që nuk arrin të ndihmojë Karlsruhen të marrë një rezultat pozitiv në shtëpi përballë Hansa Rostok (këta të fundit kanë fituar 2-1).

Nga shqiptarët që aktivizohen në Evropë, sot në fushë pritet të zbresë Igli Tare. Ish-kapiteni i kombëtares shpreson një shans si titullar nga tekniku Delio Rosi, në takimin ku Lacio pret Sienën në "Olimpiko" të Romës. Sulmuesi është në balotazh me maqedonasin Goran Pandev, për vendin e sulmuesit të dytë, përkrah kapitenit Tomazo Roki. Tare mund të luajë prej minutës së parë edhe falë paraqitjes së shkëlqyer në miqësoren e fundjavës, ku ka shënuar 6 gola në miqësoren e fituar 19-0 përballë një ekipi amatorësh. Vetëm pankinë për sulmuesin tjetër shqiptar që militon në Serinë A, Erjon Bogdani. Kuqeziu vazhdon të mos ketë besimin e teknikut Kamoleze, i cili ka vendosur të mos e aktivizojë as në sfidën për mbijetesë, ku Livorno pret Kaljarin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›