E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, dy gola për të ndaluar krizën e rezultateve

Skuadra e Partizanit ka marrë dje tri pikë shumë të vlefshme pas fitores 2-0 me Shkumbinin, duke i dhënë fund krizës dyjavore të rezultateve që rrezikuan seriozisht luftën për titull të ekipit kryeqytetas. Pas barazimit me Kastriotin dhe humbjes në Vlorë, skuadra e drejtuar nga Lika dukej se kishte humbur mundësinë për të luftuar për titull dhe ndeshja me Shkumbinin merrte një rëndësi të veçantë. Por të kuqtë janë përgjigjur me një rezultat bindës, edhe pse dy golat e shënuar nga Dhëmbi dhe Bakaj kanë ardhur në minutat e fundit të dy pjesëve të këtij takimi.

Në minutat e para të ndeshjes ka qenë skuadra peqinase që ka kontrolluar lojën, duke vënë në vështirësi prapavijën e të kuqve falë depërtimeve nga krahët. Partizani i beson fantazisë së Shkëmbit, i rikthyer në mesfushë pas dëmtimit që e mbajti jashtë fushës për dy javë. Por të kuqtë e kanë të vështirë të dalin në sulm, pasi Abilaliaj dhe Bakaj nuk gjejnë hapësira në mbrojtjen e ngjeshur të Shkumbinit. Partizani ndihmohet edhe nga fati në minutën e 28-të të takimit, kur një gjuajtje nga distanca e peqinasve ndalet në traversën e portës së mbrojtur nga Shehi. Të kuqtë zgjohen dhe përpiqen në të gjitha mënyrat të shënojnë golin e avantazhit. Muzaka dhe Bakaj shfaqen dy herë radhazi para Llanit, por janë të pasaktë në tentativat e tyre. Megjithatë, situata zgjidhet në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Llani gabon në daljen e tij dhe topi përfundon në këmbët e Dhëmbit, i cili me portën krejtësisht të boshatisur nuk e ka të vështirë ta dërgojë atë në rrjetë. Pjesa e dytë shfaq një lojë më agresive nga ana e Shkumbinit, që përpiqet në të gjitha mënyrat të shënojë golin e barazimit, ndërsa Partizani i beson si gjithmonë taktikës së kundërsulmit. Bakaj provon disa herë të vërë në vështirësi Llanin, por gardiani i peqinasve bllokon gjuajtjet e tij. Nga ana tjetër, Shkumbini i afrohet golit me anë të goditjeve standarde, ku Xhyra provon të shënojë edhe me roveshatë në minutën e 78-të, por topi përfundon jashtë kuadratit, ngjitur me shtyllën pingule. Në minutat e fundit, loja zhvendoset tërësisht në gjysmëfushën e të kuqve, që mbrojnë këtë rezultat të rëndësishëm. Por për të qetësuar trajnerin Lika mendon Bakaj, i cili me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 91-të, mposht Llanin, dukë shënuar golin e tij të 10-të në këtë kampionat. Partizani vazhdon të ndjekë Dinamon me dy pikë diferencë, ndërsa tani do të fillojë pjesën më të vështirë të fazës së tretë, duke filluar që nga java e ardhshme ku e pret një transfertë e komplikuar në Elbasan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›