Ervin Skela, gol Bajernit, por nuk e shpëton Kotbuzin
Ervin Skela ndëshkon Bajernin e Mynihut dhe bën të heshtë gjithë stadiumin "Alianc Arena". Pas vetëm 25 minutash lojë në ndeshjen e djeshme në transfertë mes skuadrës së tij, Energie Kotbuz dhe skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klinsmani i madh, futbollisti shqiptar ka çuar në parajsë mbështetësit e tij dhe njëkohësisht duke i dhuruar një shije të hidhur tifozerisë vendase të shumtë në numër. Ky është goli i tretë i shënuar nga Skela në portën e të mëdhenjve bavarezë. Një goditje dënimi nga e majta dhe një top i hidhur i Skelës drejt portës, që nuk e preku askush dhe kaloi drejt e në rrjetë, ndoshta edhe për faj të hezitimit të portierit Mihael Rensing. Ky i fundit e kishte parandier, siç duket, pasi të premten paralajmëronte një ditë më parë se, Bajerni duhej t‘i ruhej më së shumti Ervin Skelës. Dy golat e mëparshëm fantazisti shqiptar ia ka shënuar as më pak e as më shumë se të madhit Oliver Kahn. Në 2004-ën, kur ai luante për Eintratin e Frankfurtit, Skela do të ulte në gjunjë pikërisht portierin e Bajernit, atëherë i përkufizuar si më i miri në botë. Por nuk ishte hera e parë për Skelën që shënonte në portën e bavarezëve. Tabunë e kishte thyer vetëm një vit më parë, në 2003-shin, ku ai u vu përballë Bajernit në "Olimpiashtadion". Vendasit kryesonin 3-0 ndeshjen dhe për të shpëtuar nderin e Frankfurtit do të mendonte mesfushori shqiptar. Ervini realizoi një gol të mrekullueshëm në një goditje dënimi në minutën e 68-të, pasi më parë kishte goditur shtyllën tetë minuta para golit. Edhe në atë kohë në portë ishte Oliver Kahn. Goli i djeshëm është i 20-i për vlonjatin në Bundesligë, në 150 ndeshje të luajtura. Ndërkohë që në total shqiptari ka koleksionuar golin e 52-të në 277 ndeshje, ku përfshihen ato në të dyja kategoritë e para të futbollit gjerman, Bundesliga dhe Bundesliga 2.