E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Vllaznia, sot luhet vërtet

"Countdown"-i po bie dhe Tirana e Vllaznia do të ndezin tashmë motorët në maksimumin e tyre për t‘u përballur në një supersfidë, të cilën e ka prodhuar shorti për javën e 12 të kampionatit të 70 kombëtar. Në orën 14.00 të ditës së sotme, të dy gjigantët e futbollit shqiptar do të luajnë ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të këtij sezoni. Vlerën e kësaj sfide e rrit akoma edhe më shumë fakti se do të ndeshen dy skuadrat e profilizuara si rivalet më të ashpra për titull, por që edhe në renditje ndajnë vendin e parë dhe të dytë: 22 pikë kanë bardheblutë, 21 kuqeblutë, si dhe me nga dy mungesa. Do të luhet një përballje pa kapitenët, të cilët i kanë dhënë akoma edhe më shumë bukuri dueleve të fundit mes këtyre dy ekipeve. Muka vazhdon të jetë i dëmtuar dhe nuk e ka të mundur të zbresë sot në "Qemal Stafa", ndërkohë që në krahun tjetër bomberi Sinani s‘mund të jetë i disponueshëm për trajnerin Agim Cana për ndeshjen "e sezonit" ndaj bardhebluve, për shkak të dëmtimit. Tiranës do t‘i mungojnë edhe golashënuesi i saj më i mirë i fazës së parë të kampionatit. Por, megjithatë, kjo duket se nuk do ta zbehë supersfidën e sotme, e cila gjen shumë motivime për të garantuar spektakël. Është një tjetër bomber i profilizuar në këtë sezon, ai që i ka hedhur dorashkën e sfidës bardhebluve. Bëhet fjalë për Paulin Dhëmbin. Ndonëse një mesfushor i mirëfilltë, duket se Vllaznia i ka dhënë korçarit edhe një ndjesi të veçantë në këtë sezon, pavarësisht se janë luajtur vetëm 11 javë kampionat. Është shndërruar në një goleador i pagabueshëm në fazën e parë dhe beson se do të konfirmojë vazhdimësinë edhe sot kundër kryeqytetasve. Oreksi i Dhëmbit nuk ndalet me kaq, ai shpreson që golin e shtatë t‘ia shënojë Tiranës. "Sigurisht që të jesh në vijën e parë të sulmit, je më afër portës kundërshtare më shumë se kushdo tjetër për të shënuar. Mendoj se deri tani kam bërë vetëm detyrën. Për sa i takon takimit të radhës ndaj Tiranës, do të ishte një kënaqësi dyfishe sikur t‘i shënoja kësaj skuadre, pasi përveç se do ta ndihmoja ekipin tim në arritjen e një rezultati pozitiv, do të ishte edhe një kënaqësi personale. I kam shënuar Partizanit e Dinamos në kryeqytet dhe pse të mos i shënoj edhe Tiranës, duke shpresuar që goli im të jetë ai i fitores për kuqeblutë", ka nënvizuar Dhëmbi. Ndërsa në krahun tjetër është trajneri Blazhe Slishkoviç, ai që dëshiron të ulë tensionin e të tijve dhe e quan këtë si një ndeshje normale kampionati, pasi nuk do të vendosë asgjë në lidhje me të ardhmen në luftën për titull. "Nga kjo ndeshje nuk varet kampionati", është munduar të qetësojë Agim Canaj, trajneri i shkodranëve, ndërsa Slishkoviç ka deklaruar se ekipi i tij do të luajë vetëm për fitore. "Pavarësisht mungesave, duhet të fitojmë për të mbajtur kryesimin dhe për të kënaqur tifozët", është shprehur kroati nga Bosnjë-Hercegovina. Më të bukur këtë sfidë pritet ta bëjnë tifozët, si vendasit, ashtu edhe shkodranët, të cilët pritet të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit.

Kategoria Superiore

Java 12

Të dielën

Teuta - Dinamo

T. Latifi

Bylis - Shkumbini

S. Cekaj

Flamurtari - Besa

A. Taullau

Apolonia - Elbasani

E. Hoxha

Partizani - Lushnja

K. Meta

Tirana - Vllaznia

L. Jemini

KLASIFIKIMI

Skuadra N Pikë

1. Tirana 11 22

2. Vllaznia 11 21

3. Shkumbini 11 19

4. Dinamo 11 17

5. Teuta 11 16

6. Elbasani 11 16

7. Besa 11 16

8. Flamurtari 11 13

9. Bylis 11 12

10. Apolonia 11 11

11. Partizani 11 7

12. Lushnja 11 7


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›