Piratët lëshojnë naftëmbajtësen e marrë peng në shtator
Sipas Ministrisë së Marinës Tregtare Greke, piratët somalezë kanë liruar një naftëmbajtëse me pronësi greke që qëndronte në duart e tyre që në shtator. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Konstantin Gialelis, bëri me dije se cisterna "MV Genius", me flamurin e Liberisë, u lëshua nga piratët të premten me ngarkesën prej nafte të rafinuar të paprekur. Edhe 19 pjesëtarët e ekuipazhit qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Zëdhënësi bëri me dije se pronarët grekë të mjetit lundrues nuk pranonin të identifikoheshin dhe as të sqaronin nëse anija qe liruar pas pagesës së kërkuar nga piratët. Sipas Konstantin Gialelis, mjeti me volum 6765 tonësh tani është rrugës për t‘u kthyer në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe rreth 800 kilometra larg Somalisë. Ekuipazhi i mjetit lundrues përbëhet nga qytetarë nga Gjeorgjia, Sri Lanka dhe nga Siria.