E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha paratë e Barak Obamës

Votat u numëruan në pak
orë, ndërsa llogaritjet
mbi financimet e
zgjedhjeve amerikane
2008 ende nuk kanë përfunduar.
Për muaj të tërë është shkruar
se kjo ka qenë një fushatë prej
2 miliardë dollarësh, rekord në
historinë amerikane. Por, sipas
Qendrës për Politikat Përgjegjëse
të Uashingtonit, kur të
numërohen paratë e fituara nga
të gjithë kandidatët, demokratë
e republikanë, në garë për Shtëpinë
e Bardhë, Kongresi (35
senatorë, 435 deputetë) dhe 11
guvernatorët, rezultati do të jetë
shokues. Vlera mund të arrijë në
2,8 miliardë dollarë.
Nga ky lumë parash, 750 milionë
e 767 mijë e 963 dollarë kanë
përfunduar, sipas llogaritjes së
fundit, në shtëpitë e fushatës
elektorale të Barack Obama-s.
Sapo kanë filluar verifikimet
edhe mbi përbërjen e thesarit të
tij. Sipas instituteve më të besuara
të kërkimit të Uashingtonit,
nuk është e vërtetë se
pothuajse gjysma e financimeve
u mblodh mes dhuruesve të vegjël,
ashtu siç është përsëritur
shumë herë. "Realisht, vetëm 25
për qind e parave të grumbulluara
nga Obama kanë ardhur prej
njerëzve që kanë dhënë më pak
se 200 dollarë". Ky është vlerësimi
i Craig Holman, që udhëheq
institutin "Qytetar publik". Këtyre
llogaritjeve u janë shtuar
edhe ato të Qendrës për Politikat
Për-gjegjëse.
Holman pohon se llogaritjet
mund të mos jenë precize: ligji
elektoral nuk të detyron të deklarosh
emrin e atij që dhuron më
pak se 200 dollarë. Kështu u duhet
besuar thënieve të personave
që merren me thesarin e
Obama-s. Sipas tyre, rreth 3 milionë
amerikanë kanë kontribuar
me shuma të vogla parash për
zgjedhjen e Presidentit: "Gjithsesi,
bëhet fjalë për një revolucion.
Është dyfishi i kontribuuesve
të vegjël të Howard
Dean, që në vitin 2000 inauguroi
epokën e dhurimeve online. Por
rëndësia e financuesve të mëdhenj
për zgjedhjen e Obama-s
është më e madhe nga
ç‘mendonim".
Ligji elektoral nuk lejon që një
person të kontribuojë më shumë
se 4600 dollarë, 2300 për zgjedhjet
kryesore dhe po aq për
zgjedhjet e zakonshme. Megjithatë,
ka mënyra të ndryshme për
të manipuluar rregullat. Si
Obama, ashtu dhe John McCain
kanë formuar komitete të ndryshme
financimi të lidhura me
njëra-tjetrën (joint fundraising
committee). Në këtë rast, dhuruesit
mund të firmosnin pagesa
deri në një maksimum prej 70
mijë dollarësh, me një kuotë që i
shkonte kandidatit dhe pjesës
tjetër të partisë. Kështu, Obama
mblodhi rreth 183 milionë dollarë,
kundër 176 milionëve që
mblodhi McCain.
Përmes këtyre komiteteve,
këtë vit lindi një kategori e re financuesish
me emrin "mega
bundlers". Të angazhuar fillimisht
në vitin 2000 nga George
W. Bush, "bundler" mbledhin
shuma të madha, duke filluar
nga 2300 dollarë. "Mega bundlers"
janë e njëjta gjë, por mbledhin
së bashku shumat e caktuara
prej 70 milionë dollarësh,
miratuar nga komiteti i financimeve.
Për Obama-n kanë punuar
606 "bundlers", 111 prej të
cilëve të kategorisë mega. Pjesa
tjetër janë në nivelet maksimale
te skuadra që do të shkojë në Shtëpinë
e Bardhë. Këtu veçohen
Julius Genachowski dhe Don
Gips, të cilët kanë mbledhur më
shumë se 500 mijë dollarë për
person.
I pari është një sipërmarrës në
sektorin e teknologjisë së lartë, i
dyti është zëvendëspresident i
grupit "Level 3", që prodhon fibra
optike. Së bashku janë kandidatë
për drejtimin e komisionit
federal të komunikacionit, roli
i të cilit këtë vit është edhe më
kritik, sepse që nga 17 shkurti
sistemi televiziv amerikan do të
braktisë transmetimet analogjike,
për të përqafuar "hight
definition". Nëse në epokën e
Bush-it kompanitë e telekomunikacionit
dhe ato tradicionale
të shpërndarjes me kabllor e
bënë të tyren, me Obama-n peshorja
e pushtetit mund t‘u
kalojë grupeve të mëdha të internetit.
Si Genachowski, ashtu edhe
Gips, kanë studiuar në Universitetin
e Harvardit dhe së bashku
me Universitetin e Kalifornisë,
atë të Kolumbias dhe
Çikagos, figurojnë mes organizatave
të para që kanë financuar
fushatën elektorale të banorit të
ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë.
Universiteti i Harvardit ka një
interes të madh për studimin e
qelizave staminale, financimi
publik i të cilit u ndalua nga
Bush, por që tani do të riintegrohet
prej Obama-s. Mes "mega
bundlers" janë edhe përfaqësuesit
e sektorit imobilar, si Valerie
Jarrett, mikesha e familjes
Obama, e cila ka mbledhur 200
mijë dollarë.
Mes financuesve të mëdhenj
të Obama-s janë edhe George
Soros e Kenneth Griffin, themeluesi
i "hedge fund Citadel" të
Çikagos: asnjëri prej tyre nuk do
të dëshirojë një post të rëndësishëm
në administratë, por
është e sigurt se të tjerët do ta
përfitojnë një të tillë. Sipas një
studimi të "Washington Post",
104 nga 246 financuesit e mëdhenj
të fushatës presidenciale
të Bush-it morën një kandidaturë
si ambasadorë apo një
post të rëndësishëm në administratë.
Të paktën, për momentin,
Obama po "sillet mirë":
vetëm 10 për qind e skuadrës së
tij transferuese përbëhet nga
dhuruesit e mëdhenj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›