Erzen Breçani shpërndau protestën tek shtëpia e Islamit. Deputeti: Rama të jetë i kujdesshëm
Edhe pse i pezulluar, nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, ka qenë ai që ka shpërndarë protestën përpara shtëpisë së deputetit Kastriot Islami.
Protesta ishte organizuar nga të rinjtë e FRESSH të njësisë bashkiake 5. Ata kanë hedhur parulla kundër deputetit, të cilin e kanë quajtur tradhtar pas votimit në Kuvend për ndryshimin e KQZ-së.
Protestuesit madje kanë debatuar edhe me Erzen Breçanin, duke i thënë se ai është i pezulluar dhe nuk ka pse vjen si polic për të shpërndarë protestën.
Por Breçani është përgjigjur se nuk është pezulluar dhe se protesta ishte e paligjshme.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar për Panoramën edhe vetë deputeti Kastriot Islami.
Ftoj kryetarin Rama që të jetë i kujdesshëm. Ishte ai që më ka përjashtuar dhe tashmë unë jam i lirë të ushtroj të drejtën time për të vendosur. Do të jetë publiku që do të vendosë se cili nga ne të dy ka të drejtë. Protesta e FRESSH ishte e karakterit të presionit psikologjik, e papranueshme kjo për një njeri që kërkon të bëhet Kryeministër i Shqipërisë. Konflikti në Kuvend mes deputetëve të PS dhe tre të larguarve ishte i organizuar nga Rama, ka thënë Islami./ep