TemA TV/ Zyrtari i lartë i DASH i nis takimet nga selia rozë. Rama: Largimi i Bibës slidhet me zëvendësimin e tij nga LSI
Tirana nuk e ka parë këtë vëmendje ndërkombëtare prej kohësh.
Një ditë pasi në Tiranë ishte kryediplomatja e BE, Catherine Ashton, zyrtarët kryesorë të shtetit do presin në zyrat e tyre edhe Jonathan Moore, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Moore, drejtor për Euroazinë, ka mbërritur dje në Tiranë, në mes të krizës politike, të nxitur nga ndryshimet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Sot ai ka nisur takimet në Tiranë, duke zhvilluar fillimisht bisedime me kreun e opozitës, Edi Rama.
Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm për situatën paraelektorale dhe për gjendjen në rajon dhe ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe praktikisht rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri.
Nga ana tjetër besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë në këtë moment kaq të rëndësishëm për vendin në kontekstin e integrimit evropian dhe zhvillimeve në rajon të mos ketë asnjë arsye që nesër zgjedhjet të jenë të papranueshme, tha Rama pas takimit.
Rama ka mohuar se largimi i Bibës ka lidhje me zëvendësimin e tij nga një përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Është krejtësisht e pavërtetë. Unë ushqej respekt të plotë për Denar Bibën, që nuk vjen nga radhët e PS. Nuk është propozuar për të qenë një ushtar partie. Ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional në kundërshtim të hapur me cenimin e integritetit të KQZ, tha Rama.
Ai tha se këtu nuk flitet për emra, por për të rikthyer ligjshmërinë e këtij institucioni.
Në Tiranë për takime janë edhe dy reporterët e Këshillit të Europës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco./ep