Merkato, lëvizjet e fundit

Merkatoja dimërore e Kategorisë Superiore vazhdon me intensitet të lartë dhe skuadrat kanë në dispozicion përforcimet e parë. Këto janë disa nga lëvizjet e fundit, deti më datën 29 dhjetor 2010. Zyrtarisht, merkato hapet më 3 janar 2010.
DINAMO – E ardhmja e Elis Bakajt është Sivaspori në Turqi. Nëse sulmuesi i Dinamos dhe lojtari më i mirë i vitit 2010 në Superligë do të firmosë me klubin turk do të përfitojë një rrogë prej 15 mijë eurosh në muaj për një periudhë 6 mujore. Te Dinamo pritet të vijë qendërmbrojtësi serb, Milovan Miloviç. Portieri Isli Hidi është duke u stërvitur në Qipro me Olimpiakos Nikosias, ish-skuadrën e Arjan Beqajt. Dinamo është dorëzuar në lidhje me destinacionin e ri të Gjergj Muzakës te Skënderbeu, por blutë duan në këmbim serbin Mladen Bërkiç. Lajmi i fundit nga Dinamo është shkarkimi i trajnerit argjentinas Luis Manuel Blanko dhe ardhja në bankinë e Ilir Dajës, trajnerit që u bluve titullin e 17-të, në sezonin 2007-2008.
FLAMURTARI – Mesfushori sulmues i Skënderbeut, argjentinasi Rafael Soza është objektivi i madh. Ish-lojtari i Dinamos kërkon 50 mijë dollarë për pesë muaj, një shumë e madhe për klubin vlonjat. Në fakt, kur presidenti Shpëtim Gjika bleun janarin e vitit të kaluar Migen Memelli, golashënuesi më i mirë i Superligës për sezonin 2008-2009 përfitoi për të njëjtën periudhë 40 mijë euro. Memelli shënoi 14 gola në 17 ndeshje për Flamurtarin. Klubi vlonjat ka parashikuar të blejë tre lojtarë dhe në listë e prioriteteve është dhe sulmuesi i Tiranës, Sebino Plaku. Sulmuesi maqedonas, Aleksandar Bajevski, është drejt largimit nga Flamurtari.
BESA- Pas konfirmimit të portierit Elvis Kotori, Besa nënshkroi edhe me ish-sulmuesin e Shkumbinit, gjirokastritin Arlind Nora. Në listën e vijës së parë është dhe sulmuesi i Dinamos, Fatjon Sefa. Tani në dispozicion të trajnerit Gerdi Haxhiu është dhe mbrojtësi kavajas Erand Hoxha, ky i fundit luajti pjesën e parë të sezonit me Elbasanin. Edhe mesfushori Genti Gjondeda është në planet e kavajsve, që në dy javët e fundit arritën dy fitore: me Teutën në Durrës dhe Shkumbinin në Kavajë.
SHKUMBINI – Skuadra peqinase po vuan sindromën e largimeve, dhe i fundit që ka shpallur braktisjen është dhe mesfushori sulmues Bekim Kuli. Emiljano Veliaj – i kërkuar nga Skënderbeu dhe Besa – mund të transferohet në Azerbajxhan, vend ku aktualisht luajnë Elvin Beqiri, Adir Teli, Ansi Agolli dhe Eleandro Pema. Në planet e Shkumbinit janë Elton Grami, Ylli Shameti dhe sulmuesi i Kastriotit, Ivan Babiç.
SKËNDERBEU – Skuadra korçare ka bërë të sajt Renato Arapin (nga Shkumbini), Sokol Cikalleshin (nga Besa) dhe Gjergji Muzakën (nga Dinamo). Presidenca e Skënderbeut synon edhe shërbimet e mbrojtësit boshnjak të Shkumbinit, Ahmet Mujdragiç.
ELBASANI – Pas konfirmimit të trajnerit Esad Karishik (zëvendësoi Krenar Alimehmetin), Elbasani është duke testuar sulmuesin serb të Novi Sadit, Sasha Bogunoviç. Karishik ka kërkuar përforcime për çdo repart për të nxjerrë skuadrën nga kriza dhe vendi i fundit. Për mbrojtësin peqinas të Elbasanit, Daniel Ramazani, ka disa oferta nga Shkumbini, por dhe nga Apolonia dhe Tomori të Kategorisë së Parë.
TIRANA – Mbrojtësi kroat Matko Djarmati, aktualisht te Kastrioti, pritet të jetë përforcimi i radhës i Tiranës. Trajneri Nevil Dede ka kërkuar pubkikisht edhe shërbimet e mesfushorit shkodran Gilman Lika, ky i fundit luanë në Turqi me Diabakirsporin.
VLLAZNIA – Gilman Lika është dhe në listën e dëshirave të Vllaznisë, që ende nuk ka ndonjë plan të detajuar me emra në merkato. Faza përgatitore e Vllaznisë do të kryehet në Malin e Zi.
LAÇI- Mesfushori i Dinamos, Sajmir Gjokeja, është në planet e Laçit. Me skuadrën e Stavri Nicës është bashkuar edhe mesfushori shkodran Ervit Jacaj.
BYLIS – Tre lojtarë të skuadrës ballshiote, Polizoi Arbëri, Maringlen Shoshi dhe portieri Stivi Frashëri, sipas medias kanë oferta nga jashtë vendit.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 29 Dhjetor 2010