Osmani, më i miri i Mitrovicës
Elvis Osmani është shpallur sportisti më i mirë i qytetit të Mitrovicës për vitin 2010, në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit, e organizuar të shtunën nga ana e Komunës së këtij qyteti.
Sigurisht që juria nuk e kishte vështirë për të vendosur se kujt t’ia japë këtë epitet, pasi Osmani ishte njëri ndër futbollistët më meritor të Trepçës, e cila pas plot 17 vitesh, në vitin që po e lëmë pas u stolis me titullin e kampionit dhe me Superkupën e Kosovës në futboll.
“Ky shpërblim është më i veçanti për mua nga shpërblimet e tjera, sepse vjen si rezultat i shpalljes së Trepçës kampion i Kosovës”, deklaroi kapiteni i Xehetarëve, që gëzon respekt në gjithë Mitrovicën.
Ndërkohë, klubi më i mirë sportiv i këtij qyteti për vitin 2010 u zgjodh kampioni dhe fituesi i Superkupës së Kosovës në futboll, Trepça.
Kjo ceremoni në njëfarë mënyre edhe bashkoi Mitrovicën, i cili qytet vazhdon të jetë i ndarë, fakt ky që po e brengos gjithë Kosovën. Kjo pasi shpërblim nga Komuna e këtij qyteti pranoi edhe basketbollisti i ekipit serb nga veriu i Mitrovicës, Bambi, Jugosllav Dashiq.