E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit interesohet për mesfushorin Lorik Cana

Mesfushori shqiptar i Olimpik Marsejës, Lorik Cana, është nën vëzhgimin e përfaqësuesve të Realit të Madridit. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta franceze "L‘Equipe", e cila ka theksuar se kuqeziu është një prej pikave të forta të marsejezëve dhe se gjatë këtij sezoni për të janë interesuar shumë klube të njohura evropiane. Cana është nën kontratë me klubin aktual, ku mban edhe shiritin e kapitenit, deri në vitin 2011, por gjatë merkatos së verës, ai mund të ndryshojë skuadër. Drejtuesit madrilenë i kanë ndjekur me shumë interes paraqitjet e 24-vjeçarit, por duhet parë nëse mesfushori i kombëtares dëshiron të largohet nga Olimpiku i Marsejës, pasi klubi ka ende shanse që edhe në sezonin e ardhshëm të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve.

Kampionati francez është një vitrinë shumë e mirë për futbollistët e rinj që dëshirojnë të bëhen pjesë e skuadrave më të mëdha në kontinent. Në këtë prizëm, me paraqitjet e tij, Lorik Cana është shndërruar në objektivin e "big"-ëve evropianë. Interesimi më i fundit ka ardhur nga Reali i Madridit, që në të kaluarën ishte vënë në gjurmët e dy talenteve më të mëdhenj të përfaqësueses së Francës, Karim Benzema dhe Samir Nasri. Sipas së përditshmes më të madhe sportive transalpine, "L‘Equipe", zv.kapiteni i kombëtares kuqezi është vëzhguar shumë herë nga përfaqësuesit madrilenë. Gazeta ka theksuar se "gjithsesi, shanset e shqiptarit për të luajtur në ‘Bernabeu‘ nuk janë shumë të mëdha, kryesisht për dy arsye: Cana ka edhe tri vite në kontratë me Olimpikun e Marsejës dhe sepse ndihet i lumtur në këtë skuadër". Pak ditë më parë, kishte qenë vetë mesfushori ai që kishte konfirmuar lidhjen e fortë që ekziston ndërmjet tij dhe marsejezëve: "Ndihem shumë mirë në Marsejë. Synimi kryesor kur luan në nivele të tilla është që të luash në Ligën e Kampioneve dhe këtë dëshiroj ta bëj me Olimpikun. Nëse klubi bën gjithçka që duhet në fund të sezonit - duke vazhduar të jetë ambicioz dhe të ketë stabilitet - nuk shoh asnjë arsye përse duhet të largohem". Megjithatë, "L‘Equipe" citonte se "Canës do t‘i duhej të mendohej mirë nëse nga Reali do të vinte një ofertë konkrete".

Trajneri Bernd Shuster po mendon që të largojë nga "Santiago Bernabeu" Gagon dhe Mahamadu Diarranë, dy futbollistë që luajnë në të njëjtin pozicion, ashtu si edhe Cana. Janë paraqitjet zhgënjyese të dy lojtarëve të mësipërm ato që duket se i hapin rrugën "luftëtarit" kuqezi, që edhe këtë sezon ka treguar kualitet dhe potencë si në mesfushë, ashtu edhe në mbrojtje. Nga ana tjetër, mediat spanjolle kanë saktësuar se Cana është alternativë e dytë, pasi preferenca e parë është milanisti Xhenaro Gatuzo. Lojtari i kombëtares italiane duket pranë largimit nga kuqezinjtë dhe kushton 20 milionë euro. Ndërkohë, interesimi i madrilenëve për Canën ka "alarmuar" Romën dhe Evertonin që po e ndiqnin prej kohësh 24-vjeçarin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›