Esat Ruka: Bashkia e Tiranës nuk shfaq interes për folklorin kombëtar
Drejtori i QKFV pohon se duhet më tepër buxhet dhe një bashkëpunim më i mirë nga bashkitë për zhvillimin e festivaleveFestivalet Folklorike Kombëtare janë veprimtaritë, të cilat sjellin vlerat më të bukura të folklorit shqiptar. Më performacat e tyre artistike këta festivale tashmë janë bërë pjesë e rëndësishme e aktiviteteve artistike- kulturore, që zhvillohen në vendin tonë, të cilët janë përcjellës të traditës dhe kulturës shqiptare. Në vendin tonë këto festivale padyshim që mbartin pjesën më të bukur dhe më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Esat Ruka
drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike në MTKRS shpjegon se 5 janë festivalet që QKFV do të organizojë gjatë vitit 2010. Drejtori i kësaj qendre, i cilëson këto aktivitete si tepër të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë sonë shpirtërore folklorike. Ai tregon se ashtu si dhe vitin e kaluar për 5 festivalet folklorike që priten të zhvillohen gjatë këtij viti është akorduar një buxhet prej 8 milion lekësh të reja. Sipas tij kjo shumë, duke bashkëpunuar dhe me bashkitë arrin që të plotësojë zhvillimin e festivaleve, megjithatë sipas tij gjithmonë asnjëherë buxheti nuk është i mjaftueshëm. Ashtu si dhe vjet edhe për këtë vit ne kemi një fond prej 8 milion lekësh të reja, të cilat do të përdoren për zhvillimin e 5 festivaleve folklorike gjatë këtij viti. Gjithmonë kërkohet më shumë buxhet, e megjithatë në bashkëpunim dhe me bashkitë ky buxhet i plotëson këta festivale,u shpreh drejtori i QKFV. Më tej ai tregon se një problem që ata kanë hasur gjatë punës së tyre, ka qenë se në shumë raste disa bashki nuk kanë qenë të interesuara që të përfaqësohen në këto festivale. I vetmi shqetësim në punën tonë është se ka disa bashki, me të cilat ne nuk kemi një bashkëpunim të mirë, pasi ato nuk janë të interesuara që të marrin pjesë në këto veprimtari folklorike. I tillë është rasti me Bashkinë e Tiranës, e cila megjithëse unë kam bërë përpjekje të vazhdueshme për të bashkëpunuar, ne nuk e kemi gjetur atë. Mua më vjen keq që ndodh diçka e tillë, pasi bëhet fjalë për kulturën kombëtare dhe në të tilla veprimtari folklorike ajo duhet të ketë më shumë interes, pohon Ruka. Më tej ai e cilëson vitin që sapo lamë pas, si tepër produktiv në realizimin e festivaleve e veprimtarive të tjera folklorike, që është njëkohësisht edhe synimi kryesor i punës së QKVF, institucioni që ai drejton. Viti 2009 ishte viti më i suksesshëm për punën e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, e cila kulmoi me zhvillimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Gjithçka është rezultat i një bashkëpunimi tepër serioz me të gjitha bashkitë e rretheve, në vendin tonë. Ndërkohë që edhe këtë vit ne synojmë që të realizojmë objektiva të rëndësishme, në përmbushjen e qëllimit që ne kemi, pra jo vetëm në ruajtjen e origjinalitetit por edhe në përcjelljen brez pas brezi të trashëgimisë sonë folklorike, theksoi Esat Ruka, drejtori i QKVF. Ndërkohë që 5 festivalet që priten të zhvillohen gjatë këtij viti janë: Festivali Folkloristik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore, në Elbasan përgjatë datave 12-13 Mars; FFKT i Valles Burimore, në Lushnjë, në datat 25, 26 dhe 27 Maj; FFKT i Rapsodëve dhe Instrumentistëve në qytetin e Lezhës, në datat 23 e 24 Qershor; FFKT i Sazeve, në Korccës në datat 16 dhe 17 Gusht, ( gjatë ditëve të festës së birrës) si dhe FFKT i Iso-Polifonisë, në Vlorë në datat 24 dhe 25 Nëntor. Gjithashtu ai thekson më tej se për një ridimensionim të këtyre aktiviteteve të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë sonë shpirtërore, kërkohet edhe parashikimi i aktiviteteve dytësore, të cilat i japin fizionomi multikulturore këtyre festivaleve. Nga Julia Vrapi