E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjurmët e Ilirisë së lashtë, në konferencën e Torinos

Në Torino u zhvillua konferenca arkeologjike Alla scoperta dellantica Illiria (Në gjurmët e Ilirisë së lashtë) e organizuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra. Takimi, i konceptuar si një udhëtim i ilustruar arkeologjik nëpër tokën Shqiptare, u prit me interes mjaft të madh nga publiku i kualifikuar torinez. Pjesëmarrësit, një pjesë e mire të cilëve e ndoqën konferencën në këmbë, pasi salla prestigjioze e Circolo dei Lettori ishte e tejmbushur që shumë

kohë përpara orarit të fillimit të takimit, patën rastin të njiheshin me qëndrat kryesore të zbuluara të Ilirisë, si edhe me pasuritë që ato përmbajnë. I ftuari kryesor i konferencës ishte eksperti i shquar i kësaj fushe, arkeologu i mirënjohur shqiptar, profesor Neritan Ceka. Në takim morën pjesë gjithashtu edhe Sandro Caranzano (arkeolog), Chiara de Filippis (historiane dhe profesore e Universitetit të Torinos) dhe Benko Gjata (gazetar, korrespondent i akredituar i ATSH-së në Itali). Veprimtaria u përshëndet edhe nga përfaqësues të rëndësishëm të pushtetit vendor si Gianni Oliva, asesor i kulturës në Rajonin e Piemontit, Marco Borgione, asesor i politikave sociale në Bashkinë e Torinos dhe Michele dellUtri, asesor i marrdhënieve ndërkombëtare pranë këtij institucioni. Në takim ishin të pranishëm edhe miqtë e bashkësisë arbëreshe të Torinos, në emër të të cilëve përshëndeti professor Vincenzo Cucci, kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbereshe të Piemontit. Veprimtaria u zhvillua në kuadër të projektit Festivali i Kulturës Shqiptare. I ideuar nga Shoqata Vatra dhe i realizuar me mbështetjen e Rajonit të Piemontit, projekti parashikon zhvillimin e veprimtarive që synojnë promovimin dhe vlerësimin e pasurisë historike, artistike, kulturore dhe letrare të popullit Shqiptar. Takimi u realizua me bashkëpunimin e F.I.A.P, Federata e Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbereshe të Piemontit, dhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino. Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh shqiptarë dhe italianë. Ajo zhvillon veprimtari, të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë italiane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë. Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale, Torino është shndërruar këto vitet e fundit në një nga qendrat më mikpritëse ndaj artit dhe kulturës shqiptare në Europë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›