Ese - Si ta shohim teatrin?
Bertolt Brehti në kohën e tij ka qenë kritik ndaj teatrit. Në shkrimet që i ka shkruar në vitet 1919 deri në 1921, ai gjithnjë ka përmendur se shpeshherë shfaqjet janë monotone, nuk janë zbavitëse, por të papranuara.
“Teatri pa kontakt me publikun na çon në pakuptimësi. Teatri ynë është pakuptim. Teatri i sotëm nuk ka ndonjë kontakt me publikun, ngase ai nuk di se çfarë kërkon publiku, konkretisht nga teatri. Teatri i dikurshëm ishte tejet magjik dhe i madh, dhe atë që e bënte dikur ai teatër sot më nuk është në gjendje, edhe nëse kishte ofruar, njerëzit më nuk e duan atë”. Brehti shumë herë në shkrimet e tij ka pohuar se teatri në mënyrë servile i ofron publikut pa kurrfarë stili ndonjë kënaqësi, apo zbavitje. Sipas tij, aktorët punojnë me presione të mëdha për ta kënaqur publikun, pa kurrfarë zbavitje, atëherë nga kjo na del se as shikuesit nuk mund të kënaqën në tërësi. Brehti mendon se aktori në skenë duhet të ofrojë problemet e përbashkëta shoqërore, e jo mënyrat kritike. Çdo gjë që prezantohet në skenë, çdo ngjarje reale dhe shoqërore duhet të zgjojë interesim të madh tek spektatorët, sepse shikuesi në bazë të interesave të tij e zgjon edhe përqendrimin, diçka që e prek thellësisht atë, e jo si diçka abstrakte për të. Në vend që shikuesit e errësuar të qeshin, të qajnë nga ngjarjet në skenë nëse janë për t’u qeshur ose derdhur lot, shikuesit jepnin konkludime, mendime, vendime për atë që ju ofrohet, edhe për atë që qëllimisht i mban deri në fund të shfaqjes. “Teatri modern nuk duhet të vlerësohet me atë që i kënaq spektatorët, por me aftësinë e nderimit të publikut. Nuk ka nevojë ky teatër t’i përmbahet rregullave të dramës, por ai duhet në mënyrë artistike t’i zotërojë këto rregulla. Nuk është qëllimi të shesë sa më shumë bileta për të hyrë në sallë, por duhet të zgjojë interesim tek spektatori për botën në përgjithësi”, - na kujton Brehti. Aktori dhe shikuesi nuk duhet të ofrohen njëri me tjetrin, por të largohen dhe çdo njëri duhet të largohet nga vetja e tij. Brehti e shpjegon si një teknikë e re, teknikën e efekteve të çuditshme, e cila duhet ta orientojë shikuesin tek kërkimi i ngjarjes së prezantuar. Aktori nuk identifikohet me personazhin, sepse ai nuk është personazhi, ai na prezanton dikë tjetër. Aktori duhet ta lexoj rolin e tij në mënyrë të çuditur, të çuditet, ta zbuloj çudinë dhe para se të regjistronte fjalitë, ai duhet së pari të regjistrojë çudinë e përjetuar dhe këto momente ai duhet t’i mbartë në egon e tij. Aktori nuk e prezanton tekstin sikur të tijin, por si “citues” i personazhit. Për të funksionuar personazhi, aktori i përdor këto udhëzime: kalimi në vetën e tretë dhe në të kaluarën, duke i brohorit zëshëm komentet, indikacionet të cilat nuk zbulohen publikisht. Një moment i thellë i aktorit është ky: kur një prozë e ashpër thuhet në mënyrë shumë të ashpër dhe “gjestikulacionet” përshtaten me ashpërsinë e fjalëve dhe aktori arrin t’i përmbahen gjestet, do të zgjojë një magji të thellë tek ai. Atëherë shikuesi do të zgjojë interesim te aktori. Ndërkaq, gjestet e tepruara gjatë citimit të fjalëve të personazhit, na sjellin një distancë ironike tek aktori. Aktori në mënyrë të përkryer duhet të pasqyrojë momentet e jetës, të cilat ndoshta çdo shikues në realitet i ka përjetuar. Në asnjë mënyrë ai nuk duhet të pasionojë spektatorin, sepse ai është njëri i thjeshtë, i cili e pasqyron një person tjetër, jo vetën. Në çdo moment aktori e di që është aktor, dhe shikuesi shikues, dhe që të dy
palët janë në dijeni që ndodhen në teatër. Sipas Brehtit, teatri duhet në të njëjtën kohë të mësojë, kritikojë dhe zbavitë. Krahasuar me teatrin e Stanisllavskit, ku publiku nuk e sheh njëri-tjetrin, shikuesit e teatrit modern, në mënyrë aktive i përcjellin reaksionet e shikuesve të tjerë dhe janë më të lirë. Brehti në kohën e tij ka kritikuar ashpër shumë regjisorë, të cilët teatrin e kanë shndërruar në skenë politike. Shfaqjet e Brehtit kanë qenë tejet normale të mbushura me nuanca humori, fantazie dhe nganjëherë me disa personazhe naivë të viseve të largëta, të cilët kanë qenë simpatikë për publikun në sallë.