Një komb në shekullin e tre genocideve
Nga Hyqmet ZANE
65 vjet nga genocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë dhe 10 vjet nga genocidi mbi shqiptarët e Kosovës janë së bashku në një vit që lidh njëherazi edhe qëllimet e mëdha të shqiptarëve përballë sfidave që u ka dhënë koha. Një komb i tërë në genocid në një shekull, janë një nga rastet më unikale në botë që flet për një vend, ku veç fqinjësia nuk ka qenë ndonjëherë miqësi, por shantazh, krime, vrasje, persekutime, dëbime dhe shfarosje masive dhe çfarë nuk mund të thuash tjetër. Vërtet që shekulli XX ka qenë fatal për shqiptarët që nga Konferenca e Londrës e deri tek Traktati i Lozanës, që nga masakrat antinjerëzore si krim kundër njerëzimit që bëri shteti grek mbi shqiptarët e Çamërisë në përfundim të Luftës II Botërore e deri tek genocidi serb mbi shqiptarët e Kosovës në 1999. Është për t’u shënuar që edhe vetë shqiptarët brenda territorit me emrin “Shqipëri” vuajtën një genocid të tretë, atë komunist. Megjithëse kam të drejtën të bëj pyetjen se përse kështu, përsëri them se Evropa dhe organizmat ndërkombëtar deri tek OKB dhe Tribunali i Hagës duhet ta kishin përcaktuar këtë komb si unikal dhe të papërsëritshëm në tërë globin, çka edhe do të meritonte edhe vëmendjen ekskluzive ndaj një kombi të tërë. Akademikët tanë që veç të shquar nuk janë treguar në këto punët e kombit, do të kishin rastin më të mirë që të ndërtonin një strategji të zgjidhjes së këtyre problemeve mbarëkombëtare dhe do të ktheheshin në këtë mënyrë në një pikë referimi për institucionet ndërkombëtare.
Por nuk do të ishte keq që në këto ditët tona të shekullit XXI pasardhësit tanë do tu duhej të shihnin me sytë e tyre se cila është e kaluara e një kombi të ndarë në gjashtë pjesë. Kombet e tjerë për ngjarjet e tyre, qofshin edhe me humbje si beteja e Fushë-Kosovës, kanë ngritur memoriale, bëjnë aktivitete, shënojnë në kalendar këtë apo atë ngjarje, çka i bën të ndjeshëm ndaj brezave me qëllimin e vetëm për të mos e harruar historinë.
Kryeqyteti ynë Tirana, ka shumë memorialë dhe shenja në pllaka përkujtimore për betejat e luftës partizane, njërës prej atyre luftërave që shqiptarët e fituan për të pasur një genocid 50-vjeçar mbi krye. E megjithatë komunistët shqiptarë, edhe pse e dinë se Lufta Nacional-Çlirimtare u shndërrua në një luftë civile me pasoja të padëshirueshme dhe fatale për një popull, përsëri kanë kurajën që të kërkojnë memorialë, të organizojnë festa, të vendosin pllaka përkujtimore, edhe pse e dinë që janë veprime donkishoteske të disa fanatikëve që luftën e drejtë e kthyen në një luftë klasash deri në genocid si krim ndaj njerëzimit. Bile ka nga ata që krenohen edhe sot e kësaj dite me ato krime, duke prodhuar edhe trashëgimtarë që krenohen që babai i tij ka qenë sekretar i parë edhe pse ka firmosur për krime ndaj njerëzimit.
Po në këtë kryeqytetin tonë si nuk ka një pllakë përkujtimore e le pastaj një memorial që të flasë për krimet ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës. Të ketë një memorial për të fiksuar edhe ndihmën që dhanë populli i thjeshtë që priti dhe strehoi, ndihmoi dhe ushqeu popullatën çame dhe atë kosovare në kohërat e rreziqeve dhe krimeve të mëdha që ranë mbi këtë komb. Njëherazi do të ishte edhe një kujtesë historike, do të ishte edhe një kujtesë për brezat, por edhe një turizëm kulturor për të huajt që do të ballafaqoheshin me të vërtetat historike të një kombi që provoi genocid, po aq sa edhe solidaritet mes vetes për të qenë si shqiptari krah shqiptarit. Edhe turisti më i thjeshtë do të kuptojë se ky vend ka histori dhe që ka provuar njëherazi edhe tre genocide në një shekull. Nëse për Kosovën dhe genocidin që u ushtrua mbi të pati një forcë madhore si NATO dhe veçanërisht SHBA që i dhanë përgjigjen e merituar agresorit dhe genocidbërësit serbë, për Çamërinë jo vetëm që nuk ka pasur një realitet të tillë, por duket se me heshtjen e tyre, ndërkombëtarët janë bërë palë me genocidbërësit, tamam ashtu si edhe komunistët që e persekutuan tërësisht popullatën çame deri në palcë, jo vetëm me mohimin e të drejtave të tyre që buronin nga kartat ndërkombëtare, pore dhe me një pjesëmarrja të drejtpërdrejt në persekutim të një sistemi të tërë që nga grupet e ndryshme armiqësore e deri tek shantazhi në emër të popullit që bëhej me fyerjet dhe poshtërimet e kësaj popullate.
Tashmë që kanë kaluar 65 vjet Tirana duhet të kishte memorialin e saj të kujtimit të një genocidi mbi shqiptarët e Çamërisë nga shovinisti grek (përcaktim i bërë nga Parlamenti shqiptar më 1994), po aq sa edhe një memorial për të shënuar genocidin mbi shqiptarët e Kosovës nga shovinizmi serb. Nga kush pritet të merret urdhri për këto shenja historike që ende i mungojnë kombit, por jo ndërgjegjes qytetare shqiptare që u bë protagoniste e përjetimit të realiteteve të tilla. A nuk përbëjnë këto një bashkim me qëndrimet e njëpasnjëshme greko-serbe ndaj shqiptarëve? Duket sikur ecim në një valë ,e ata që na bënë genocid, se edhe komunistët e sotëm të pasuar nga socialistët, ende nuk i kanë dënuar krimet e komunizmit e jo më të dënojnë krimet e grekëve dhe serbëve ndaj pjesës tjetër të kombit të pabashkuar.
Ka ardhur koha që edhe mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë dhe OKB, t’i kushtojnë çështjes kombëtare shqiptare gjithë vëmendjen që i takon. Disa politikan-bërës të huaj e bashkë me mbështetësit e tyre shqiptarë ende kërkojnë moszgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Çështja e Kosovës nuk mund të jetë thjeshtë çështje e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por është çështje e të drejtave të kombit, vetëvendosjes shtet-formuese. Po të njëjtat fjalë mund të thuhet edhe për çështjen e Çamërisë që s’është më thjesht një çështje e të drejtave të njeriut, por çështje e zgjidhjes së një padrejtësie dhe gjykimit të një genocidi mbi një popullatë të tërë që bëri një shtet. Pa zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre etnike, Evropa nuk do të ketë qetësi dhe kurrë nuk do të realizojë atë që dëshiron, pa qetësuar shpirtrat e shqiptarëve të vrarë nga tre genocide njëherazi në një shekull. Në kuadrin e zgjidhjes së tërë çështjes shqiptare në favor të tyre, jo vetëm Evropa do të ketë qetësi, por dhe në Ballkanin e trazuar nuk do t'i shkojë ndërmend ndonjë shteti për luftë. Shteti shqiptar që në lindjen e tij s’ka pasur kurajën të mbrojë të paktën edhe për kortezi dinjitetin e vet. Çdo shtet në botë, edhe pa dhëmbë të jetë, kur vjen puna për çështjen kombëtare të tij, të kafshon e të lë pa një copë mishi se rrobat t’i gris që t’i gris.
Ajo që tha këto ditë titullari i lartë i NATO-s për futjen e Shqipërisë në organizmin euroatlantik, se kjo do të prodhojë siguri dhe Shqipëria do të jetë prodhuese e kësaj sigurie, është sinjifikative dhe e besueshme deri në maksimum, por kjo ka si precedent moszgjidhjen e çështjes çame që pret drejtësi. Po të ishin ndërtuar memorialë edhe në Tiranë, si ai në Elbasan që fokuson gjymtimin e trupit të kombit si në Çamëri, edhe titullari i lartë i NATO-s, po ashtu edhe të tjerë titullarë dashamirës të kombit shqiptar do të provonin se në ndërgjegjen e këtij kombi ka kujtesë historike e cila meriton vëmendje. Para së gjithash kjo vëmendje duhet të nisë nga vetë shteti shqiptar. Duhet thënë se memorialin e ngritur në Elbasan, ende nuk e kanë vizituar titullarët e shtetit e jo më titullarët e organizmave ndërkombëtarë.