E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, ekzekutohet kambisti Agush Hyzoti



Qyteti bregdetar i Durrësit tronditet sërish nga krimi. Një ekzekutim ka ndodhur në orët e pasdites në qendër të qytetit, nga ku për pasojë ka humbur jetën një 45-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare të policisë së qytetit të Durrësit, 45-vjeçari me profesion kambist është ekzekutuar me armë zjarri automatike, duke i shkaktuar në këtë mënyrë vdekje të menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 11, rreth orës 17:45, pranë gjykatës së këtij qyteti. Viktima është 45-vjeçari Agush Hyzoti. Mësohet se Hyzoti është shoqëruar me urgjencë për në spitalin e qytetit, por pa asnjë rezultat, pasi breshëria automatike i ka shkaktuar atij vdekje të menjëhershme. Ndërkohë policia e këtij qyteti ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, por ende mbeten të paqarta motivet e kësaj vrasjeje. Mësohet se 45-vjeçari është ekzekutuar pranë pallatit ku ai banonte. Policia po punon për zbardhjen e motiveve të kësaj vrasjeje si dhe autorët e saj, ndërkohë që janë marrë në pyetje të afërm të viktimës në ndihmë të hetimeve. Burime nga policia bënë të ditur se 45-vjeçari u qëllua nga një distancë tepër e afërt. Deri më tani policia nuk ka ende një pistë zyrtare hetimore, kjo u konfirmua edhe nga drejtori i Krimeve të Hapura, Nikolin Bala, i cili mbërriti në vendngjarje së bashku me grupin hetimor. Për policinë nuk është ende e qartë se sa persona kanë marrë pjesë në këtë krim. Ndërkohë që në kërkim të tyre janë vënë efektivë të policisë së qarkut të Durrës, si dhe forcat e RENEA-s të mbërritura nga Tirana.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg qendrës së qytetit të Durrësit në lagjen numër 11, në afërsi të Gjykatës së Rrethit. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje mësohet se 45-vjeçari Agush Hyzoti, rreth orës 17:45 minuta duke iu afruar hyrjes së pallatit ku jetonte, ndërsa po tentonte të ngjitej për në apartament ku ndodhej i vetëm, është qëlluar me armë nga persona ende të paidentifikuar. Policia ende nuk bën të ditur llojin e armës me të cilën 45-vjeçari është ekzekutuar. Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhojat e gjetura në vendngjarje. Bluzat e bardha të spitalit bëjnë të ditur se 45-vjeçari kishte ndërruar jetë nga plagët fatale të marra në trup përpara se të mbërrinte në urgjencë. Policia tha se ka ngritur shumë postblloqe në qytetin e Durrësit, si dhe në periferi të tij. Ndërkohë që ende nuk është zbuluar se kush ishin atentatorët.

Hetimet

Edhe pas dëshmive të para të marra nga policia, vrasja e kambistit mbetet ende pa një motiv se për çfarë u krye, ndërsa rrethanat dhe mënyra se si ndodhi përkon me një ekzekutim të mirëmenduar, pasi dyshohet që vrasësit mund ta kenë ndjekur, ndërsa zgjodhën momentin më të përshtatshëm për ta kryer këtë vrasje. Një pistë ku po hetohet mbi vrasjen e 45-vjeçarit është ajo për shkak të detyrës së tij. Sipas hetimeve paraprake të policisë, 45-vjeçari mund të kishte ndonjë konflikt të vjetër me profesionin, por nuk hidhet poshtë edhe pista e një grabitjeje të tij në kohën që po kthehej për në banesë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›