E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eshtë themeli i PS, kemi përfshirë në të edhe zërat që janë kundër Ramës”

07/07/2011  Anastas Angjeli flet për synimet e programit qeverisës të PS

Anastas Angjeli, një nga 20 anëtarët e grupit të hartimit të programit në Partinë Socialiste, ka folur dje në lidhje me synimet e projektit të lançuar në Asamblenë e së shtunës. Angjeli thotë se programi do të reflektojë zhvillimet e fundit në Shqipëri, por edhe ato të ekonomisë globale dhe nuk do të jetë vetëm elektoral. “Programi që bëhet është programi themelor politik i PS-së, mbi bazën e të cilit pa dyshim që, përderisa dhe fushata për zgjedhjet e ardhshme elektorale sa vjen dhe afrohet, do të shërbejë si bazë për programin elektoral të PS-së dhe njëherësh edhe për programin qeverisës të saj”, - tha Angjeli. Në grupin prej 20 anëtarësh të hartimit të programit të drejtuar nga kryetari Edi Rama janë përfshirë edhe emra që jo rrallë kanë qenë zëri kundër i linjës zyrtare, si Blushi, Bello, Malaj, Braçe etj. Por Angjeli thotë se Partia Socialiste dallohet për lirinë dhe demokracinë e saj të brendshme. Ai thotë se është një amplifikim mediatik ekzistenca e konfliktit mes të rinjve dhe të vjetërve në PS, duke shtuar se mendimet ndryshe janë dëgjuar në këtë forcë politike. “Tani është rasti më i mirë që të gjitha këto mendime të konvergojnë në grupet e hartimit të programeve dhe të pasqyrohen në to ato që janë më të dobishmet dhe më konstruktive”, - tha Angjeli. Lidhur me aleancat e PS-së, të cilave kryetari Rama i shpalli si një tjetër lëvizje e selisë rozë drejt hapjes, Angjeli sqaron se ato nisin me qytetarin. “Faktorë të ndryshëm të biznesit, të shoqërisë civile pa dyshim që do të jenë pjesë e një ambicieje politike të PS-së për t’u afruar pranë saj. Kjo nuk ka përjashtuar asnjëherë as partitë e tjera që ende sot nuk janë në koalicion me PS-në, që kanë program të përafërt, interesa të përbashkëta, të cilat është lidershipi i PS-së që në negociatat e ardhshme i vendos ato”, - tha Angjeli. Partia Socialiste miratoi në Asamblenë e datës 2 korrik disa grupe pune për programin dhe riorganizimin e saj, të cilat duhet të kenë përfunduar punë deri në kongresin e datës 5 nëntor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›