E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi, kod sipas zonave

07/07/2011  Kryeministri Berisha paraqet analizën mbi zhvillimet ekonomike

“Babëzia në shitje, ndërtuesi duhet të zbatojë rregullat e tregut”

Ekonomia dhe sektori i ndërtimit si pjesë e rëndësishme e saj ishin një ndër çështjet kryesore në të cilat u përqendrua kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të Këshillimit të Ministrave. Kryefjala e kësaj mbledhje ishte sërish ekonomia. Kështu, veç analizës për zhvillimet ekonomike në vend kreu i ekzekutivit zgjodhi t’i mëshojë me forcë faktit se në sektorin e ndërtimit, e kryesisht atë të banesave, tregu do të kontrollohet përmes kodeve të fitimit. Kjo në vlerësimin e qeverisë “Berisha” do të mund të vendoste rregulla të qarta në çmimet e banesave të ndara sipas zonave përkatëse në kryeqytet. Ndërkohë, duke iu referuar të dhënave mbi ekonominë, kryeministri Berisha nënvizoi se “tremujori i parë i vitit mbyllet me një rezultat 3,4 % më të lartë sesa tremujori parë i vitit të kaluar, çka përbën një zhvillim realisht inkurajues. Gjithnjë tremujori i parë është një tremujor i përgjumur për ekonominë, por nuk mund të thuash se ky është një tremujor i përgjumur.” Gjithashtu, duke vijuar më tej të sqarojë një deklaratë të tillë, kreu i qeverisë shtoi: “Konsideroj shumë pozitive rikthimin e ndërtimit si promotorin e zhvillimit të vendit. Vjet ndërtimi ka pasur një rënie. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar ndërtimi ka qenë -17%, këtë tremujor ndërtimi është + 4,1%, pra ka një rritje mbi 21% dhe ky është një ogur shumë i mirë.” Nga ana tjetër, kryeministri Berisha, duke u ndalur në nismën e qeverisë për vendosjen e kodeve të fitimit në ndërtim, nuk kurseu kritikat ndaj përfaqësuesve të këtij sektori. “Ndërtimi diktohet dhe nga tregu, si p.sh. sektori i banesave, por ajo që e pengon tregun nuk është aspak mungesa e parave, por babëzia, sepse më duhet të them se ka ndërtues që kërkon t’u shesë qytetarëve të këtij vendi, në periferi po flas dhe jo në qendër, pasi nuk janë preokupimi i qeverisë ata që blejnë në qendër, pasi ata i kanë mundësitë, por në periferi, është ekzakt 40-50% më i kushtueshëm se në periferinë e Berlinit, qytetit më të kamur të Evropës”, - u shpreh Berisha. Madje, në fjalën e tij kreu i qeverisë veçoi domosdoshmërinë që “ndërtuesit duhet të zbatojnë rregullat e tregut, të kuptojnë se fitimi ka një kod, sepse të mbash çmime stratosferike me idenë se mund të fitosh më shumë, gabohesh”.

Ekonomia private

“Në Evropë nuk ka asnjë forcë politike socialiste evropiane që të ketë nacionalizmin, sepse të heqësh privatizimin do të thotë të futësh nacionalizimin, praktika me të cilat Evropa, socialdemokracia evropiane është ndarë që nga fundi i viteve ’70. Në qoftë se ekonomia shqiptare po reziston si Davidi me krizën, po reziston se është ekonomi private, nuk po reziston në saje të ndërmarrjeve publike, se ne kemi shumë pak ndërmarrje publike.”

Vendimi i qeverisë

Vendimi “Për adoptimin e eurokodeve të ndërtimit” ka për qëllim adoptimin e eurokodeve të ndërtimit. Eurokodet janë një seri standardesh europiane për projektimin e ndërtesave dhe të inxhinierisë civile. Futja në përdorim e eurokodeve do të bëjë të mundur përmirësimin e ndjeshëm në fushën e projektimit. Përshtatja e eurokodeve përbën bazën e harmonizimit të standardeve europiane me ato shqiptare në fushën e ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›