E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i ish-ekspozitës, dëmi në buxhet 600 milionë

07/07/2011  Del akt-ekspertimi i tre ekspertëve, trualli u privatizua nën çmimin e tregut

TIRANE-Njësia hetimore Task-Forcë ka administruar në dosje akt-ekspertimin e tre specialistëve kontabël që ishin ngarkuar për të nxjerrë çmimin e truallit ku është ndërtuar godina e ekspozitës “Shqipëria sot”. Konkluzionet përfundimtare që tre ekspertët nxjerrin, tregojnë se trualli është privatizuar nga institucionet shtetërore me një çmim fare të ulët, nga ai që kanë nxjerrë tre specialistët. Sipas akt-ekspertimit të përfunduar pak ditë më parë, çmimi i tokës ku ndodhet ekspozita “Shqipëria sot” ka vlerën financiare prej 62 mijë lekësh për m2, ndërkohë që nga procedurat e privatizimit është konstatuar se çdo metër katror është shitur me 42 mijë lekë. Ky konkluzion rrëzon pretendimet e disa prej zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilët janë shprehur para grupit hetimor se e gjithë procedura e privatizimit të truallit tek ekspozita është kryer në përputhje me ligjet në fuqi. Më tej në aktin e ekspertimit, tre specialistët shprehen se nga vënia në zbatim e kësaj procedure, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 600 milion lekësh. Momentalisht i gjithë studimi i ekspertëve është administruar në dosjen që mban të njëjtin emër me atë të ekspozitës “Shqipëria sot” dhe pritet që shumë shpejt dosja t’i nënshtrohet një analize hetimore në Prokurorinë e Përgjithshme, për të vendosur më pas hetimin e mëtejshëm të personave që janë të dyshuar për këtë rast. Ndërkohë që njësia hetimore Task-Forcë ka pyetur të gjithë personat, duke filluar nga pronarët e ligjshëm të truallit, zyrtarët e administratës së Ministrisë së Ekonomisë, si dhe ata të AKKP-së. Për çështjen në fjalë duket se është pyetur dhe bashkëjetuesi i deputetes së PD Albana Vokshi, Arjan Tartari, i cili ka lidhur disa kontrata me poseduesit e truallit, që është bërë objekt privatizimi. Gjithashtu një tjetër biznesmen që është përfolur në privatizimin e truallit tek ekspozita, është Rrahman Selmanllari. Për mënyrën e privatizimit të truallit njësia hetimore Task-Forcë, ka pyetur ish-ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, si dhe deputetin e PS që denoncoi i pari këtë aferë, Eduart Shalsin. Hetimet lidhur me këtë dosje nisën kryesisht të nxitura nga debatet politike dhe nga akuzat e deputetit të opozitës, Eduart Shalsi, i cili foli për afera korruptive, duke hedhur dyshime mbi format që kishte ndjekur ish-ministri i METE-s, Genc Ruli, për të privatizuar ish-ekspozitën. Ndërkohë që ky i fundit dhe gjatë dhënies së deklarimeve në Prokurori e ka quajtur procesin e privatizimit si transparent dhe në përputhje me ligjet në fuqi.

Dyshimi i Prokurorisë

Gjatë kësaj periudhe Prokuroria e Tiranës ka administruar në dosje dokumentet e sekuestruara në Ministrinë e Ekonomisë dhe AKKP duke bërë më pas verifikimin e tyre. Hetuesit shprehen se janë duke hetuar kontratat që janë lidhur midis biznesmenëve dhe pronarëve, para apo pasi ka dalë VKM-ja e qeverisë. Dyshohet se ka ndikim nga biznesmenët në Ministrinë e Ekonomisë për kthimin e pronës ish-pronarëve, për ta përdorur më pas në ndërtime shumëkatëshe, pasi trualli tek ish-ekspozita është në pozicion tepër të favorshëm për një gjë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›