E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eskili” i pakuptuar i mjekësisë tonë

Isuf Kalo 

Çuditërisht ai pati diçka të ngjashme me Eskilin. Natyrisht në dimension të miniaturizuar. Të dy nuk u kuptuan nga bashkëkohësit sa ishin gjallë. Dhe të dy qenë humbës të mëdhenj. Eskilit i humbën qindra tragjedi. Atij qindra kaseta të emisioneve radiofonike, unikale të tij. Ai, i joni quhej Hamdi Sulçebej. Ishte mjek i diplomuar shkëlqyeshëm në Vjenë dhe më pas i specializuar në universitetin amerikan Harvard, një nga më të famshmit e botës. Në Vjenë përvetësoi artin e mjekësisë: të diagnostikimit e të mjekimit të sëmundjeve. Në Amerikë artin e shëndetësisë: të mbrojtjes, forcimit dhe përmirësimit të shëndetit publik. Kombinimi harmonik i të dyjave brenda një sistemi shëndetësor dhe zbatimi i tyre në praktikën e profesionistëve bluzë-bardhë përbën ende sot sfidën më të vështirë reformuese të shëndetësisë të çdo vendi.
Cilido vend do e kish thithur me lakmi një mjek të ri entuziast që ziente nga padurimi për t’i zbatuar ato të dyja, në jetë. Por ai preferoi vendin e tij. Dhe fjala është për Shqipërinë e viteve 1930...
Ëndrra, dëshira, zhgënjime
Në Shqipërinë e paraluftës së dytë as mund të flitej mirëfillti për një sistem shëndetësor. Ëndrrat dhe dëshirat në mendjen dhe zemrën e mjekut të sapo kthyer hasën realitetin e ashpër zhgënjyes. Por jo dëshpërues për Dr.Sulçebe falë njohurive, zellit dhe optimizmit të thjeshtë profesional, rrethanat e jashtëzakonshme të kohës do e vinin atë në një rol të paimagjinueshëm ende sot për një mjek shqiptar. Atë të “ministrit” të parë të shëndetësisë të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe të arkitektit të parë të një sistemi shëndetësor panshqiptar. Por lufta përmbysi dhe rikrijoi gjithçka....
Fill pas saj Dr.Sulçebe e pa veten si mjeku “borgjez” pa medalje e merita çlirimi. Por me kokën plot, me përkushtim e ndershmëri profesionale ekzemplare. Ato e bën atë “borgjez të nevojshëm”, edhe në rrethanat e sistemit të ri. Foshnjat dhe fëmijët nuk kuptojnë asgjë nga biografitë. Ata ndjejnë dhe vlerësojnë dashurinë e të mëdhenjve nëpërmjet zërit e vështrimit.
“Borgjez” ne gjirin e nomenklaturës
Kur e takova për herë të parë në mesin e viteve ‘60 në klinikën e ashtuquajtur speciale të bllokut, ku unë u emërova të punoj mjek  i sapodalë nga bankat e fakultetit, emri i tij ishte tashmë i njohur si një nga pediatrit më të famshëm të vendit. Dhe nuk u çudita që “doktori borgjez” ishte atje për të konsultuar fëmijët e “nomenklaturës” të udhëheqjes më të lartë të vendit.
Dhoma e konsultave të tij pediatrike ishte e vogël, e veçuar nga vila kryesore ku konsultoheshin “të mëdhenjtë”, në një pjesë të adaptuar që duhet të kish qenë garazh. Mbi tryezë çanta e tij me lëkurë të vjetër, e stërpërdorur, një stetoskop, disa spatula dhe një pasqyrë me një rreth mbajtës; nga ato që përdoren për të parë fytin e fëmijëve. Mbi tavolinë një peshore foshnjash. Në mur një metër për të matur gjatësinë e fëmijëve. Para portës në oborr qëndronte biçikleta e tij, e vjetër me një zile të ndryshkur.
Ky ishte i gjithë arsenali i veglave, aparaturave që ai mbarti me vete gjatë gjithë jetës në veprimtarinë profesionale të tij. Ishte koha e teknologjisë mjekësore primitive. Me to ai u nis të bënte mrekullinë, për të cilën nuk do e pengonte dot asnjeri.
Guaska dhe perla brenda saj
Dr. Hamdiu vetë ishte jo shtatlartë, kishte trup të ngjeshur, kokë disproporcionalisht të madhe dhe në tërësi dukej sidomos kur ishte mbi biçiklete si ariu i mirë i cirkut arusha e përrallave për fëmijë. Ato që të hutonin ishin sytë e tij jashtëzakonisht të shkëlqyer e depërtues. Dhe një buzëqeshje e përmbajtur enigmatike, që e shoqëronte në çdo takim. Sytë i lëviznin pareshtur teksa ai fliste. Prej lëvrimit të mendimeve të kyçura e vazhdimisht të vetë kontrolluara në kokë? Por kjo ishte guaska. Duhej t’i dëgjoje zërin që shkrinte imediatisht çdo barrierë, çdo paragjykim. Me zërin fliste zemra. Dhe vizionet e tij. Brenda guaskës fshihej i përmbajtur një ndër vizionarët dhe njohësit më të mëdhenj shqiptar të sistemeve shëndetësore moderne, qëndronin potenciale  si perla profesionale të vyera që nuk u njohën, u nënçmuan ose u shpërfillën nga shëndetësia jonë e saj kohe, e ndoshta ende sot.
Një mjekësi ndryshe
Dr. Sulçebe zgjodhi si specialitet pediatrinë, jo rastësisht. Vdekshmëria foshnjore e ajo fëminore dhe e nënave përbënin aso kohe dhe ende përbëjnë, plagën më të rëndë të shëndetësisë tonë. Shëndeti i fëmijëve është fusha e betejës determinuese për nderin apo turpin e shëndetësisë dhe madje edhe të shoqërisë së një vendi. Treguesit e tyre janë ende tek ne më të larta se në çdo vend tjetër të Evropës. Ato ishin katastrofikisht shumë herë më të larta në kohën kur ai nisi ëndrrën sfiduese te tij. Ai ushtroi pediatrinë klinike praktike në shërbim të fëmijëve. Jo atë predikuese, honorifike e katedrale. Nuk i priste koha të shkruante në letër të botonte revista e libra. Motua e tij ishte që “një jetë fëmije e shpëtuar vlen shumë më tepër se sa një artikull apo libër”. Shpëtimi vinte më shpejt me një fjalë, me një këshillë të dhënë sa nuk qe ende vonë. Shpëtimi kërkonte veprim. Aty ku njerëzit e fëmijët jetonin vuanin e sëmureshin me shumicë në fshatrat dhe  qytetet e largët. Mjaft prej atyre që u shpëtuan nuk arritën as ta takonin, as ta falënderonin. As ta shpërblenin. Mund që këtë ta bënin “të mëdhenjtë “në vendin e fëmijëve ata që kishin në dorë të jepnin tituj, grada e honore. Por nuk i kërkoi dhe nuk i dhanë; as titull profesor, as akademik, as hero i punës socialiste. Nuk e zgjodhën deputet, Nuk e dërguan jashtë shtetit me delegacione, as të shoqëronte fëmijët e sëmurë të bllokut. Profesor të tjerë, mes tyre ndonjëherë dhe unë, shkonin me ta.
Mjekët e të mëdhenjve u bënë/i bënë profesorë të mëdhenj... Ai mbeti mjeku i mirë i të vegjëlve. Ndërkohë nuk ishte modest. Ishte borgjezi që nuk luante “proletarin”. Sepse nuk ja përligjte dot vetes. Ishte i ndërgjegjshëm dhe krenar për vlerat profesionale e intelektuale të tij. Por nuk e kish të vështirë të sillej i tillë. Të bënte sikur e gëlltiste heshturazi pompozitetin mburravec të të tjerëve.
Lule e vetmuar. E  parakohshme?
Vizioni gjenial dhe merita historike e Dr. Sulçebe do dilte qartas në pah në dhjetëvjeçarin e fundit, kur sistemet moderne shëndetësore në botë do reformoheshin duke vënë si objektivë kryesore të tyre “vendosjen e të sëmurëve dhe qytetarëve në qendër të tyre”. Në kongresin e shëndetit në Gjenevë në vitin 2008 do shpallej se: “Sistemet Shëndetësore të shekullit 21  duhet të vinin në top prioritet dhe top financimin e tyre, jo shërbimin spitalor terciar siç kishin bërë deri më sot, por edukimin shëndetësor të individëve dhe familjarëve për të vetë menaxhuar sëmundjet dhe shëndetin e tyre”. Pak më parë kësaj në vitin 2002 vendet e BE do miratonin kartën e të drejtave të pacientëve e të qytetarëve për shëndetin, ku theksi do vihej tek e drejta e informimit dhe edukimit shëndetësor të tyre. Në ketë frymë Qendra jonë Kombëtare e Cilësisë dhe Akreditimit një nga tre departamentet e saj ia dedikoi tërësisht edukimit shëndetësor dhe fuqizimit të rolit të pacientëve si partner. Edhe ligji i ri i shëndetit publik që pritet të miratohet në parlamentin tonë së shpejti fatmirësisht promovimin e shëndetit dhe edukimin mjekësor të qytetarëve e ka parashikuar si top prioritet. Në 18 prill të këtij viti u celebrua për herë të parë në Shqipëri edhe “Dita Evropiane e të drejtave të pacientit”.
Pikërisht këto pati projektuar plot 70 vjet më parë i diplomuari ynë i Harvardit. Ai pati nisur si kalorës i vetmuar në shëndetësinë e Shqipërisë së djegur, të porsa dalë nga lufta sfidën e “mjekësisë së orientuar tek pacienti tek zgjidhja e shpejtë e thjeshtë e problemeve të rëndomta e të përditshme të tij”.
Mjekësi për njerëzit, mjekësi nga njerëzit
Dr. Sulçebe pati kuptuar më parë, se të tjerët se mjekësia ishte krijuar për njerëzit dhe duhej përdoruar e ushtruar në masën e mundshme nga vet njerëzit. Se asgjë nuk kishte më të rëndësishme, më frutdhënëse e më të domosdoshme në një sistem shëndetësor se sa çrrënjosja e “analfabetizmit shëndetësor të njerëzve tanë”; se asnjë ilaç apo procedurë mjekësore nuk do ishte më e efektshme për shëndetin e tyre se sa dija, këshilla, informimi, për të vepruar ndaj sëmundjeve ose mbrojtjes së shëndetit; se asgjë nuk ishte më pak e kushtueshme dhe më lehtë e përdorshme nga njerëzit e shumtë në zonat tona rurale e të largëta sesa fjalët e qarta e të thjeshta të mjekut. Ai pati paraparë se përhapja e informacionit, e këshillave mjekësore nuk duhej pritur të bëhej në mënyrën zvarritëse teknokratike si e kërmillit me institucionet shëndetësore të burokratizuar, por duhej shpejtuar me anë të fjalës së dalë direkt nga goja e mjekut në veshin e tyre. Për këtë nuk mjaftonin leksionet katedrale, simpoziumet e monografitë universitare, që flenë bibliotekave. Duhej fjala e shqipëruar, e qëruar nga lëvozhga e latinishtes. Duhej toni i ngrohtë i zërit të qartë e të kuptueshëm për të gjitha dialektet. Dr. Sulçebe lumturisht i mbarte brenda vetes ato. I duhej vetëm një mjet për të realizuar ëndrrën e guximshme të tij. Një mikrofon. Si edhe leja që t’i fliste falas pa asnjë shpërblim në radion shqiptare të gjithë shqiptarëve. Kudo që ata ndodheshin. Dhe u nis vetmitar në ketë rrugë...
Një legjendë e vërtetë
Kështu do të lindte emisioni më i famshëm, “emisioni legjendë” i Radio Tiranës dhe njëkohësisht krenari e shëndetësisë tonë. Emisioni radiofonik “Këshilla mjekësore. Ju flet Dr. Hamdi Sulçebe. “Ai u iniciua së pari në vitin 1939 në pragun e luftës se dyte botërore dhe do të mbante më pas çdo javë deri në vitin 1992 për 53 vjet resht të mbërthyer pas radios mijëra e mijëra dëgjues. Për dekada me radhë ai ishte emisioni emblematik i hapësirës mbarëshqiptare. Dr. Sulçebe ish “ministër” u bë mjeku i gjithë shqiptarëve, këshilltari mjekësor në çdo shtëpi të tyre. Emisioni i tij ishte më i dëgjuar dhe më i suksesshëm e ndërkohë më efektivi dhe i frytshmi për shëndetësinë, që ka pasur ndonjëherë radio Tirana. Për 53 vjet resht shqiptarët do dëgjonin pas radios të magjepsur me frymë të prerë. Telat e antenat zbuteshin e jepeshin nga ngrohtësia e qartësia e zërit të papërsëritshëm të tij. Shqiptarët e sidomos nënat do e prisnin me padurim këshillën e vyer, të ngrohtë e të dashur për problemet shëndetësore që përjetonin. Në ato 53 vjet legjenda tingëlloi në shqip e vërtetë.
Përtej një emisioni
Vizioni i nismës së Dr. Sulçebeut shkon shumë më tej se një emision këshillues popullor. Pas epokës tradicionale të mjekësisë së shkruar në letër nëpër libra. ai solli tek ne epokën e “mjekësisë radiofonike sonore”. Mjekësinë e fjalës, të zërit. Ajo do mbetet historikisht si më pak e kushtueshme, më rentabël, më e dobishme dhe më e pëlqyera nga njerëzit tanë. Pati në të një pasues të vetëm por mjaft të pasionuar: Dr. Flamur Topin, i cili fatmirësisht do e zhvillonte atë në një fazë të re në epokën e mjekësisë së imazhit, asaj televizive dixhitale.
Sidoqoftë askund nuk ka ndodhur që një mjek i vetëm të mbajë falas me dëshirën dhe një profesionalizëm aq të lartë një emision kombëtar ne të mirë të  njerëzve për 53 vjet me radhë. Shiritat e kasetat që regjistruan zërin dhe emisionet e tij në këto afro 6 dekada përbejnë padyshim një thesar unik dhe relikte të pakrahasueshme, të pazëvendësueshme jo vetëm për shëndetësinë tonë, jo vetëm të asaj ballkanike por edhe për shëndetësinë botërore. Faik Konica më parë dhe Dr D. Jarvic shumë më vonë patën parashikuar që roli i mjekut të ardhshëm do ishte i dyfishtë: “mjek dhe mësues”, që edhe të mësonte popullin si “të kujdesej për shëndetin dhe si të mos sëmurej” Por askund nuk ka ndodhur që, një njeri i vetëm, një mjek pa post, pa grada, pa financim e pa autoritet administrativ madje brenda një sistemi autokratik të burokratizuar të mund të ndërmarr e të institucionalizoj me iniciativën e tij fal pasionit e përkushtimit vetjak këtë aspekt të mjekësisë moderne; të “edukimit terapeutik të së sëmurëve e qytetarëve”.
Dr. Hamdiu e krijoi “mbretërinë e re të tij” në një hapësirë të lënë ndjerë, në tokën e askujt. Ajo fushë çuditërisht mbetet ende disi e harruar, e nënvlerësuar nga sistemet shëndetësore të sotme të obseduara pas  fetisheve të  medikalizimit dhe farmakologjizimit. Ai arriti pa bujë pa u ndjerë të hedhë bazat e dy shkencave të reja të domosdoshme për shëndetësinë moderne, asaj të pedagogjisë dhe shkencës  të komunikimit “mjek-pacient”, të cilat fatkeqësisht u venitën pas humbjes së tij. Më e papritur është ajo që thuhet “...se fatalisht paskan humbur në Radio Tirana shiritat e magjishëm të emisionit legjendar dhe i gjithë fruti i gati 60 vjetëve të mundit pasionant të tij. A nuk i ngjan kjo humbje asaj të Eskilit, tragjikut të madh?
Ai që jep harron. Dhe nuk harrohet.
Në ato shirita ai pati promovuar si pionier i parë mjekësinë e popullit; mjekësinë e foshnjave; mjekësinë e të largëtëve, të izoluarve, të së varfërve; mjekësinë e të paditurve; mjekësinë për njerëzit e thjeshtë. Sa fëmijë shpëtuan nga vdekja apo vuajtjet e sëmundjes falë këshillave të tij? Sa jetë nënash? Sa udhëtime, konsulta, analiza, shtrime në spitale me shpenzime të panevojshme ju kursyen atyre? Asnjë shifër nuk ka për to. Si të gjithë aristokratët e vërtet, fisnikët autentikë të mëdhenj, ai zbatoi parimin se: “ai që jep nuk mban mend, nuk përmend, nuk shënon, nuk kërkon, nuk pretendon”. Është detyra e atyre që marrin të kujtohen. Dhe të jenë mirënjohës. Një rrugëz e Tiranës (vogëlushe edhe kjo...!) mban tashmë të varur në gjoks me krenari si medalje emrin e tij. Ajo pati më tepër fat. Ai vetë nuk vari dot medalje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›