E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo familje nën minimumin jetik”

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist ka vazhduar prezanti-min e programit qeverisës në fshatrat e qarkut të Korçës. Në bashkëbisedimin me banorët e fshatrave Orman dhe Pirg, Rama tha se programi qeverisës i socialistëve parashikon një ndryshim rrënjësor të raportit mes shtetit dhe bujqërve e fermerëve. Sipas tij, deri më sot, fshati ka pasur statusin e jetimit, u shpreh kryetari i PS gjatë fjalës së tij, duke nënvizuar se pas 28 qershorit do të nisë një marrëdhënie e re mes atyre që qeverisin dhe atyre që prodhojnë në bujqësi. “Do të shpallim edhe minimumin jetik, që do të thotë se ne nuk do të lejojmë që të ketë familje shqiptare nën minimumin jetik, duke filluar nga pagesa e papunësisë, që së paku do ta dyfishojmë. Por i gjithë koncepti ynë dhe thelbi i filozofisë tonë të re, është se varfëria dhe papunësia luftohen duke nxitur punën, duke nxitur prodhimin, duke nxitur integrimin e familjeve që janë në ndihmë ekonomike, drejt punës dhe drejt aktivitetit prodhues”, u shpreh Rama. Në këto takime, kryetari socialist shoqërohej nga deputetët Ben Blushi, Pandeli Majko, Alfred Dalipi dhe anëtari i Asamblesë Kombëtare, Arben Ahmetaj. Rama gjatë fjalës së tij në Pirg ka premtuar naftë pa akcizë për produktet bujqësore, pavarësisht rritjeve së çmimit të naftës. Kryesisht në të dyja takimet me fermerët e këtyre zonave, kryetari socialist premtoi për një qeveri me veshë sy e zemër nga grupet e interesit. Sipas tij, “çdo vendim nesër në qeverisje u tha Rama bujqërve në Pirg e Orman do ta marrim në konsultim dhe duke ju dëgjuar ju”. “Ne besojmë që pa ndryshuar jetën e fshatit, pa nxitur prodhimin në fshat, pa e siguruar këtë prodhim dhe pa u dhënë mundësi familjeve që jetojnë në fshat, që të mund të kenë qetësi dhe mirëqenie, nuk ka Shqipëri evropiane. Nuk ka Shqipëri që jeton në paqe dhe mirëqenie. Nuk ka familje shqiptare që jeton në qytet, të cilave nuk u dridhet dora kur shohin çmimet në stratosferë, të atyre ushqimeve që vijnë nga matanë diellit, sepse qeveria nuk i sjell dot nga fshati në qytet, por i lë të kalben në fshat apo të hidhen nëpër lumenj, apo të varrosen në tokë, për arsyen e thjeshtë dhe të vetme, sepse në Shqipëri nuk ka qeveri dhe mbi të gjitha se në fshat ka një bujk dhe fermer shqiptar që gdhihet vetëm dhe ngryset vetëm”, tha Rama duke mbyllur takimet në qarkun e Korçës, ku ai është marrë vetëm me çështjet e fshatit të programit qeverisës të socialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›