Të porsalindurit “gënjehen” për shpërblimin 5 mijë lekësh
KORÇE / JORGJETA GJANÇI
Vendimi i qeverisë për t’iu uruar mirëseardhjen fëmijëve të porsalindur me një shpërblim prej 5 mijë lekësh ka mbetur në letër. Janë rreth 4 mijë vogëlushë në qarkun e Korçës, prindërit e të cilëve nuk kanë mundur të marrin në bashki shumën e premtuar. Përgjigja e nëpunësve të bashkisë për të interesuarit është e njëjtë: jemi në pritje të mbërritjes së fondit nga qeveria. Vetëm në rrethin e Korçës janë 1200 fëmijë latantë, nga mosha disaditore deri në 8 muajsh, të cilët nuk kanë marrë shpërblimin. Prindërit e fëmijëve të porsaardhur në jetë disponojnë dokumentin zyrtar të maternitetit si dhe regjistrimin e foshnjës në zyrat e gjendjes civile. Burime nga bashkia e Korçës bënë të ditur se janë dorëzuar rreth 500 dokumente që vërtetojnë lindjen e vogëlushëve, por për mungesë fondesh ata nuk kanë mundur t’iu japin vlerën monetare që u takon ligjërisht. Një prej nëpunëseve të bashkisë deklaroi se ka shumë kërkesa, por janë në pritje të fondit përkatës. Për t’ju uruar mirëseardhjen foshnjave të sapolindura, me vendim të qeverisë numër 9929, datë 09.06.2008 u vendos që çdo fëmijë të marrë një shpërblim prej 5 mijë lekësh. Në zbatim të këtij ligji u vendosën edhe disa rregulla. Fëmija e merr shpërblimin vetëm nëse regjistrohet në zyrën e gjendjes civile brenda 60 ditësh. Përfitues të këtij vendimi janë edhe fëmijët e emigrantëve. Por për këtë kategori kërkohet që ata të regjistrohen brenda një periudhe prej 90 ditësh. Ky ligj hyri në fuqi më 16 korrik të vitit të kaluar, por aktualisht vërehet se as 20 për qind e foshnjave të porsalindura nuk e kanë marrë këtë shpërblim. Mungesa e ekzekutimit të faturës financiare nga Ministria e Financave ka lënë në pritje mjaft prindër, të cilët kalojnë herë pas here në bashkinë e Korçës për të pyetur. E njëjta situatë paraqitet edhe në bashkitë dhe komunat e qarkut të Korçës. Madje, në disa prej tyre, ligji i vitit të kaluar nuk ka gjetur zbatim për asnjë fëmijë. Nga një përllogaritje e thjeshtë për këtë shpërblim simbolik të fëmijëve latentë, shuma e “borxhit” arrin në rreth 20 milionë lekë. Duke iu referuar gjendjes në qytetin e Korçës, mësohet se vetëm 150 fëmijë e kanë marrë shumën e mësipërme. Por edhe ata u shlyen me 5–6 muaj vonesë nga një fond prej 75 mijë lekësh që mbërriti në 31 dhjetor 2008. Më pas nuk është dërguar më fond, ndërsa numri i të porsalindurve sa vjen e rritet.