Meta: Ilaçet falas dhe ligj i ri për Moshën e Tretë
“Projektligji për Moshën e Tretë, që do kthehet në ligj pas 28 qershorit do realizojë rimbur-simin e plotë të ilaçeve, deri te garantimi për transportin falas për të gjithë pensionistët në të gjithë vendin, si dhe shtimin e pensionit të 13-të”. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta i shoqëruar edhe nga drejtues të tjerë të kësaj force politike, kanë vizituar një Qendër për Individët e Moshës së Tretë në qytetin e Vlorës. Në këtë qendër ndodhen nën përkujdesje të përditshme 155 të moshuar të qytetit të Vlorës. Për mirëmbajtjen e kësaj qendre ka investuar kandidati për deputet i LSI-së në qytetin e Vlorës, Shkëlqim Selami.
Kreu i LSI, Meta vizitoi nga afër ambientet e kësaj qendre që ofron kushte mjaft të mira, që të moshuarit të mos e ndjejnë vetminë, ku dhe ju shërbeu vetë ushqimin të moshuarve që gjenden në këtë Qendër. Pasi falënderoi dhe vlerësoi kontributin e kandidatit të LSI për deputet në Vlorë, për investimin dhe solidaritetin për individët e moshës së tretë, Meta u shpreh se zgjidhja përfundimtare që të gjithë individët e moshës së tretë të mos e ndjejnë vetminë dhe të jetojnë në kushte të mira vitet e pleqërisë, do të jetë miratimi pas 28 qershorit i P/Ligjit, që LSI ka hartuar për Kujdesin ndaj Individëve të Moshës së Tretë. Meta bashkëbisedoi nga afër me individët e moshës së tretë, që jetojnë në këtë qendër. Kreu i LSI-së, që gjendej në këtë takim së bashku me Presidentin e Sindikatës së pensionistëve, Prof.Isa Goricën, evidentoi dhe njëherë p/ligjin e hartuar nga LSI së bashku me Sindikatën e Pensionistëve, për Kujdesin ndaj Moshës së Tretë. Meta theksoi se “ky projektligj, i cili pas 28 qershorit do të kthehet në ligj, ka si synim rimbursimin e plotë të ilaçeve, deri te garantimi për transportin falas për të gjithë pensionistët në të gjithë vendin, si dhe shtimin e pensionit të 13-të”. Por gjithashtu në këtë P/ligj është parashikuar në mënyrë të veçantë ngritja dhe krijimi me ligj i Qendrave për Moshën e Tretë pranë çdo njësie. Meta theksoi se ky është një tregues i interesit që ka LSI, për të gjithë pensionistet. Por me fitoren më 28 qershor, LSI do të garantojë miratimin e ligjit, pasi është detyrë e shtetit dhe e Qeverisë që të garantojë dhe të ofrojë mbështetje për moshën e tretë, të cilët nuk mund të përballojnë koston e jetesës me një pension minimal, që ata kanë.