E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Programi i PS-së për rritjen e pensioneve

 

Redi Gjuzi

Socialistët kanë bëra gati strategjinë e tyre për pensionet dhe shtresat në nevojë. Në një intervistë për gazetën, Nënsekretari për Programin, Ilir Beqja, tregon detajet e para të platformës së re. Sipas tij, në rast fitoreje të zgjedhjeve, PS do të aplikojë disa skema të reja për sigurimin shëndetësorë, pensionet e fshatit dhe qytetit, si dhe për ndihmën ekonomike. “Nuk do ketë pension nën minimumin jetik”. Plani për katërfishimin e pagesës së papunësisë dhe si do realizohet shërbimi shëndetësor falas për të gjithë shqiptarët.
Në programin e zbuluar deri tani të PS theksohet se të gjithë do të kenë të gëzojnë mbulim shëndetësor bazë, pa paguar kontribute. Si do të arrihet kjo, pasi dihet që buxheti i shtetit, mbahet nga të ardhurat e grumbulluara nga shtetasit e vet. A nuk është ky barazim një shkelje e të drejtave të atyre që paguajnë sigurime?
Tashmë ne e kemi deklaruar që do të ndërtojmë Shërbimin Shëndetësor Kombëtar. Ky shërbim do të financohet nga buxheti i shtetit. Të gjithë qytetarët shqiptarë do të kenë të drejta të barabarta në këtë shërbim. Këto shërbime ekzistojnë sot p.sh. në Angli dhe në Itali. Për të arritur në këtë vendim kemi diskutuar gjatë, kemi parë eksperienca të ndryshme, jemi këshilluar edhe me shumë ekspertë të huaj. Është tashmë e njohur që gjatë hartimit të programit kemi pasur mbështetjen e fondacionit “Italiani Europei”, por për shëndetësinë jemi këshilluar edhe me disa profesorë të London School of Economics.
Pa dyshim që buxheti i shtetit mbahet nga të ardhurat e grumbulluara nga taksat e tatimet që paguajnë qytetarët e vendit. Por, ne do të mbledhim më shumë të ardhura. Do të mbledhim më shumë të ardhura nga një administrim shumë më i mirë fiskal, si dhe nga më shumë të ardhura që do të gjenerohen nga më shumë zhvillim që do të ketë vendi, nga zhvillimi i industrive prodhuese vendase, nga turizmi i larmishëm, gjithë vjetor dhe jo vetëm i “rërës dhe detit”, nga nxitja e bujqësisë dhe e zhvillimit rural. Këto tri drejtime që përmenda, janë pjesë e 7 drejtimeve kryesore të programit të ri qeverisës, të bëra të njohura që ditën e parë që filluam prezantimin e programit.
Pas, ngritjes së Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, askush nuk do të paguajë më kontribute të detyrueshme për sigurimin shëndetësor. Por edhe deri më sot, kontributet e detyrueshme, kanë përfaqësuar më pak se ¼ e shpenzimeve të shëndetësisë. Pra përveç kontributeve të detyrueshme, shëndetësia është financuar edhe nga buxheti prej taksave dhe tatimeve. Sot, në Shqipëri, rreth 58 % e të hyrave tatimore janë tatime indirekte. Thënë ndryshe, janë tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH), taksë doganore apo akcizë, të cilat i paguan çdo qytetar, sepse janë pjesë e çmimit të mallrave e shërbimeve që të gjithë ne blejmë për të përballuar nevojat për konsum. Vetëm TVSH përbën rreth 40 % e totalit të të hyrave tatimore në Shqipëri. Pra, ne gjykojmë që nuk është e drejtë që të paguash taksa në buxhetin e shtetit, të kontribuosh nëpërmjet konsumit familjar në më shumë se gjysmën e të hyrave të shtetit e të mos kesh shërbim shëndetësor, vetëm pse nuk ke paguar kontribute të sigurimeve shëndetësore. Sot, 40 % e shqiptarëve në moshë pune nuk janë të siguruar, sepse për shumë prej tyre nuk ka punë, nuk ka punë të rregullt, apo sepse nga puna në bujqësi nuk nxjerrin as sa për të mbajtur frymën gjallë. Në pamje të parë mund të duket që mund të ketë një lloj shkelje të të drejtave të atyre që kanë paguar, por edhe ata që kanë paguar deri më sot nuk kanë përfituar sipas të drejtave të tyre, sepse procedurat administrative për të marrë përfitimet janë burokratike, sorollatëse, zvarritëse, madje me kosto të fshehura dhe, për më tepër, administrimi i këtyre kontributeve dhe përgjithësisht i shpenzimeve të shëndetësisë ka qenë jotrasparent, abuzivist, shpërdorues dhe në disa raste edhe i korruptuar. Ndërkohë që sistemi aktual i pagesës së kontributeve shëndetësore funksionon si një tatim regresiv. Ata që kanë të ardhura më të larta paguajnë në përqindje më pak se ata që kanë të ardhura më të ulëta. Ndryshe nga përfitimet e sigurimeve shoqërore që janë përfitime në të holla dhe që kanë një tavan (meqë edhe kontributet shoqërore paguhen deri në një tavan të ardhurash), përfitimet shëndetësore përcaktohen vetëm nga nevojat për shërbime shëndetësore. Nuk është normale që një i vetëpunësuar të paguajë 7 % të pagës, një mësuese të paguajë 3,4 % të pagës, një ministër të paguajë 1,5 % të pagës apo kryeministri i vendit të paguajë vetëm 1 % të pagës. E thënë ndryshe, kryeministri të ketë një shkallë tatimore të kontributeve shëndetësore 7 herë më të ulët se një i vetëpunësuar.
Të ndalemi te politikat për pensionet. Në programin, deri tani të deklaruar, ju theksoni se do të garantoni pensionin bazë në bazë të minimumit jetik. Një politikë e guximshme kjo por edhe me kosto të madhe. A do të rishikoni ju politikat e taksës së punës, pra do të rrisni pagesën për kontributet shoqërore? Në rast se jo, si do të balancohet buxheti i ISSH?
Ka ardhur koha, që politika shqiptare të ketë kurajon të shohë realitetin në sy, të mos fshihet pas gishtit e t’i thotë gjërat troç. Që pensioni duhet të garantojë një minimum jetik, është përcaktuar në Kuvendin e Shqipërisë që më 11 maj 1993 (me ligjin 7701). Asnjë qeveri nuk e ka pasur kurajon ta shpallë minimumin jetik. Ne e kemi këtë kurajo. Ne do ta shpallim minimumin jetik, e për pasojë, duke qenë detyrim ligjor, na mbetet vetëm të zbatojmë ligjin. Është për të ardhur keq, që në vitin 2009 të flasim për (mos)zbatim të ligjit. Minimumi jetik është detyrim i të gjithë shoqërisë. Në e kemi përcaktuar kohezionin social si një nga 7 drejtimet kryesore të programit tonë. Lidhur me taksën e punës, më lejoni të përsëris, atë që deklaroi Edi Rama ditën që filluam prezantimin e programit: “Ne nuk do të rrisim taksat”, pra as atë që ju po e quani taksë e punës.
PS ka premtuar se do të rrisë shtesën mbi pensionin sipas ndryshimit të pagave, ndërsa pensionin bazë sipas minimumit jetik. Shqipëria mund të ketë deflacion, kjo sipas krizës ekonomike botërore. Pra edhe kosto e minimumit jetim mund të ulet. Ju e parashikoni një hap të tillë për pensionet?
Pavarësisht, nëse do të ketë apo jo deflacion, pensioni është një e drejtë e fituar, dhe si e tillë kjo e drejtë nuk preket as në rast deflacioni. Kjo do të jetë një gjë e sanksionuar me ligj.
Duam që shtesa mbi pension të rritet vit pas viti sipas pagave, pra në këtë rast sipas koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësuar, me qëllim që të sigurojmë një lidhje më të mirë midis kontributeve dhe përfitimeve, jo vetëm në llogaritjen fillestare të pensionit, por edhe në gjithë periudhën e gëzimit të pensionit.
Deri tani pensionet janë rritur më shumë se sa pagat, nga të gjitha qeveritë. Sipas premtimit tuaj, ju do ta barazoni këtë rritje?
Besoj, se në përgjigjet e mësipërme jam përpjekur të shpjegoj se pensioni bazë do të garantojë një minimum jetik. Fillimisht do të duhet ta llogarisim, e më pas ta deklarojmë. Pensionet do të duhet të arrijnë te ky minimum, pavarësisht nga përqindja e rritjes. Shtesa mbi pension do të rritet sipas rritjes së pagave. Pra rritja e pensioneve më të larta se pensioni bazë, do të jetë funksion i dy ndryshoreve.
PS ka premtuar rritjen e pensioneve të fshatit më shumë se pensionet e qytetit me synim barazimin e tyre. Kur mendohet që këto pensione të barazohen? Kjo a do të thotë rritje e kontributeve të fermerëve për të marrë pension?
Ne synojmë që pensionet e fshatit të barazohen me ato të qytetit, brenda vitit 2013. Kuptohet që barazimi është i lidhur edhe me vetë rritjen e pensioneve të qytetit. Pas rritjes së deklaruar të pensioneve të 1 maj 2009, pensioni fshatit do të jetë sa 60 % e pensionit të qytetit. Pensionet e fshatit do të vazhdojnë të rriten më shumë se pensionet e qytetit. I mbetemi parimit kontributiv të pensioneve, do të punojmë që ai të forcohet, padyshim edhe fermerët si pensionistë të ardhshëm do të duhet të kontribuojnë për pension dhe të zhvillojnë përgjegjësitë e tyre individuale, por edhe kolektive duke kontribuar për pensionistët aktualë. 
Ju keni premtuar se do të jepni një pension social për këdo mbi 75 vjeç, pavarësisht nga periudha e vjetërsisë në punë. Çfarë mase do të ketë ky lloj pensioni?
Ne kemi analizuar me vëmendje situatën sociale, demografike, ekonomike në Shqipëri dhe kemi disa gjetje interesante. Jetëgjatësia në Shqipëri po rritet. Po rritet jetëgjatësia edhe atyre që e arrijnë moshën e pensionit. Por nga ana tjetër po rritet edhe numri i të moshuarve që jetojnë vetëm. Ashtu siç po rritet, vit pas viti, numri i personave që dalin në pension duke mos pasur vitet e mjaftueshme të punës për pension të plotë, ashtu siç po rritet edhe numri i viteve që mungojnë për të pasur pension të plotë. Kështu, këta të moshuar, rrezikojnë të mbeten të varfër apo shumë të varfër, në moshë të thyer. Shoqëria jonë duhet t’i gjendet pranë këtyre njerëzve. Në një mënyrë apo në një tjetër, këta persona kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Dhe në pjesën e fundit të jetës, meritojnë të jetojnë me një minimum dinjiteti. Ky është detyrim që shoqëria duhet të ketë për kontributin e tyre, por edhe siguri për ata që kontribuojnë sot. Masa e këtij pensioni do të jetë e lidhur me minimumin jetik, por, ndërkohë, nuk do të dekurajojë kontribuimin në sistemin e pensioneve.
Një pikë e fortë e premtimeve për uljen e varfërisë është ajo e rishikimit të skemës së ndihmës ekonomike. Ju thoni se do të gjeni punë për ata që janë në skemën e ndihmës. Ju keni premtuar që për pjesën tjetër të atyre që nuk gjejnë punë nga politikat e qeverisë, ndihma ekonomike do të katërfishohet. Katërfishimi i pagesës së ndihmës ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punës, janë disi politika të ndryshme. Qeveria mund të krijojë punë vetëm me anë të investimeve. Nga ana tjetër deri tani, programi i PS anon më shumë në shpenzimin e parave për të siguruar shërbime. A mendoni se ka një përplasje mes premtimeve, për rritjen e shërbimeve sociale dhe rritjen e punësimit?
Në javën e parë të prezantimit të programit, ne u përqendruam më shumë tek aspekti social, por në 4 ditët e fundit po prezantojmë edhe pjesën e programit tonë për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Në javën e parë, prezantuam kryesisht çfarë do të japim në formë përfitimesh sociale. Midis tyre ishte që në fund të mandatit tonë të parë, ndihma ekonomike do të 4–fishohet. Por, kemi deklaruar edhe që do të përgjysmojmë numrin e familjeve të varfra. Për këtë do të ngremë Fondin e Integrimit Social. Do të ofrojmë për të papunët, më shumë formim profesional, më shumë punë në komunitet. Të premten, duke prezantuar programin e bujqësisë në fushën e Korçës, takuam, në Dvoran, një teknik serb që po montonte një pajisje frigoriferike që me shumë mund një fermer kishte arritur të blinte. Po atë natë në mbrëmje, në një njësi sociale që po hapej në fshatin Tushemisht, punonin 5 teknikë maqedonas. Nuk kemi asgjë me punëtorët e huaj, por mendojmë se shqiptarët nuk janë më pak të mençur, më pak të talentuar e më pak punëtorë se serbët, maqedonasit apo të huajt. Lypet që të formohen profesionalisht në ato zanate që kërkon tregu i punës sot dhe që do të kërkojë nesër. Kjo është detyra që duhet të luajnë agjencitë shtetërore dhe qeverisja jonë e re do të punojë edhe në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›