E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet dokumenti, Alfred Moisiu: Si më internuan kur u arrestua Kadri Hazbiu

 

Fatos Mahmutaj

Alfred Moisiu, është po i njëjti, si në kohën që drejtoi shtetin për pesë vjet me radhë. Si ish-ushtarak nuk ka humbur asgjë nga disiplina e punës, megjithëse këtë vit bën plot 80 vite. Kalon orë të tëra para kompjuterit në zyrën e tij, dhe shkëputet vetëm për të ndjekur lajmet apo për të takuar ndonjë mik. Kjo, axhendë e ngjeshur, është thuajse e njëjtë me kohën e Presidentit, veçse tani takimi me të nuk është në institucion e parë të shtetit në bulevardin kryesor, por në zyrat e tij në Rrugën e Elbasanit. Vetëm pak ditë më parë është njohur me një dokument të vitit 1982 dhe që do të ishte një nga “duart” që iu dhanë gjatë persekutimit nga zëvendësministër i Mbrojtjes në një toger të thjeshtë në Burrel. “Po, po, është e vërtetë, Bardhyl Manon babai im e ka pasur shumë mik. Ndërsa fjalët që janë vendosur në gojën e tim eti, Spiro Moisiut, nuk janë në dialektin e tij. Duket se ia kanë futur kot ...”, pohon ish-presidenti sapo njihet me qëllimin e intervistës.

Zoti Moisiu, jemi në vitin 1982, në muajin shtator, ju ishit zëvendësministër i Mbrojtjes. Babai juaj Spiro Moisiu kishte një vit e gjysmë që nuk jetonte. Tepër sekret, mes institucioneve kryesore të shtetit të atëhershëm qarkullon një dokument për veprimtarinë e dyshimtë të Spiro Moisiut me elementë “antiparti”. Pra e thënë ndryshe, ministri i atëhershëm i Brendshëm, Hekuran Isai u bën me dije Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë këtë dokument... A kishte lidhje kjo me ju dhe cili është opinioni juaj?
Tani, është e vështirë të thuhet pasi nuk kemi asnjë pikënisje por është e vërtetë që im atë kishte një vit e gjysmë që kishte vdekur dhe një informacion i tillë nuk mund të kishte vlerë tjetër veçse për mua. Në atë kohë nga familja ime vetëm unë kisha një post të lartë në ushtri, zëvendësministër i Mbrojtjes. Kjo ka ndodhur në të njëjtin moment kur u godit ministri Kadri Hazbiu. Në të njëjtën ditë u shkarkuam të gjithë, pra të pestë zëvendësit e tij. Fakti është se në të njëjtën ditë me Kadriun u shkarkuam ne të gjithë.
Unë atë ditë kisha për të shkuar në Poçem të Mallakastrës. Kisha lënë takim me ministrin e Ndërtimit të asaj kohe, Rrahman Hanku. Do niste puna për ndërtimin e një ure mbi Vjosë. Në ndërtimin e kësaj ure do të merrte pjesë ushtria. Iu them shokëve të mi: “Do nisem për Poçem”. Më pyet Maliq Sadushi, i cili ishte zëvendësministër si unë dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor: “Pse do shkosh?”. I them se e kisha lënë me ministrin e Ndërtimit, ndërkohë që në zyrë i kisha rregulluar të gjitha punët. Më tha: “Lëre se mund të kemi ndonjë punë apo detyrë tjetër këtu”. Ia ktheva: “Po ç’punë mund të kemi, punët i kam rregulluar këtu. I kam vënë në vijë, për sot dhe për nesër”. Ai këmbënguli duke më thënë: “Dërgo ndonjë nga vartësit e tu”. Shkurt muhabeti, ai ma mbushi mendjen. Dërgova vartësin tim, drejtorin e xhenios.
Pse kjo këmbëngulje për të mos u larguar nga zyra?
Më vonë e kuptova këtë. Meqë ai ishte anëtar i Presidiumit kishte marrë vesh shkarkimin e Kadri Hazbiut, gjë të cilën ne nuk e dinim. Madje ishte firmosur vendimi për shkarkimin e tij nga Enver Hoxha. Më vonë Maliqi më ka thënë se edhe ai vetë aq dinte, vetëm shkarkimin. Por kuptohet, të shkarkohet ministri, do ketë edhe pasoja të tjera. Merret me mend, pse nuk më la që të ikja në Mallakastër. Përfundimisht unë nuk shkova. Kjo ka ndodhur rreth orës 07:30–08:00 e mëngjesit. Rreth orës 11:45 po kaloja në korridor, pashë në oborrin e brendshëm të ministrisë dy “Benz”-a të zinj, por asnjëri prej tyre nuk ishte ai që përdorte Kadriu. Me thënë të drejtën nuk i kushtova shumë rëndësi. Në orën 11:55 më mori në telefon sekretarja e ministrit dhe na thotë: “Të gjithë zëvendësministrat, ejani për mbledhje në zyrën e ministrit”.
Cila ishte arsyeja e mbledhjes?
Shkuam në paradhomën e ministrit katër zëvendësministra, Ylli Backa nuk ndodhej në zyrë ato momente, kishte shkuar diku. Ministri nuk ishte në zyrë. Ishin Adil Çarçani dhe Prokop Murra. Karshi nesh ishin katër oficerë të tjerë, të cilët siç u sqarua me vonë, u vendosën në vendet tona. Simon Ballabani, Bajram Mane, Bujar Çeliku dhe Kiço Mustaqi. Nga pesë, organika ishte shkurtuar në katër. Sapo u ulëm, Adil Çarçani lexoi vendimin e firmosur nga Enver Hoxha, për shkarkimin tonë dhe emërimin e tyre.
Ju deri ato momente nuk kishit dijeni as për shkarkimin e Kadri Hazbiut?
I vetmi që kishte dijeni ishte Maliq Sadushi, ngaqë ishte anëtar i Presidiumit.
Atëherë shkarkimi juaj?
Na thanë që në orën 12:30 të bëheshim gati të dorëzonim zyrat. Sapo shkova në zyrë erdhi Bajram Mane, i cili më zëvendësoi. Nuk mora asgjë nga zyra. të gjitha materialet e mia, i morën. Madje më morën edhe blloqet personale, siç ishin me shënimet e mia. I vulosën dhe nuk e di ku i çuan. I kam kërkuar shumë herë po nuk i kam gjetur. Në arkivin e ushtrisë nuk ndodheshin. Kam pasur shënimet personale, të gjithë aktivitetit tim në to, ishin sekrete dhe jo sekrete, por asgjë nuk mora dot. Kur dola në dritare, hodha sytë në oborrin e jashtëm, pashë që makina ime mungonte. E çuditshme pasi shoferin nuk e kisha dërguar asgjëkund, po kështu as ai nuk më kishte kërkuar leje për tu’ larguar.
Çfarë makine kishit ju?
Një “Fiat” polak. Konsideroheshin luksoze për atë kohë.
Çfarë ndodhi pas shkarkimit si zv/ministër i Mbrojtjes?
Na thanë: “Ju nuk duhet të largoheni nga banesat tuaja, derisa të vendosim se çfarë do bëhet me ju”. Sapo shkova në shtëpi, isha bërë sikur të më kishte rënë të fikët. Isha prishur në fytyrë dhe kisha shumë stres. Në fakt nuk ishte gjë e vogël, të shkarkoheshe nga zëvendësministër në atë lloj forme. Në këtë rast njeriu nuk mendon për vete, por për fëmijët. Unë kisha katër fëmijë. Isha shumë i shqetësuar për ta. Më pyeti bashkëshortja: “Çfarë ke?”. I thashë që na kishin shkarkuar. Sigurisht që i erdhi keq dhe u shqetësua, por shqetësimi më i madh do të ndodhte më vonë. Në darkë, poshtë shtëpisë time, aty ku ishte një tabelë emulacioni e bllokut, u vendos një dritë shumë e madhe. Llamba mund të ishte ndoshta 500 vatëshe. Në tarracën e pallatit përballë qëndronin dy vetë që vëzhgonin. Të busti i Qemal Stafës, pashë një “Gaz ’59" që qëndronte i parkuar aty. Ishin përgatitur për të na vëzhguar, ndoshta edhe për të na arrestuar.
Sa kohë qëndruat i rrethuar në shtëpi? A lëvizët ndonjë moment nga banesa?
Qëndrova tre ditë në shtëpi. Vetëm një herë dola, shkova tek ime motër për ta qetësuar, pasi ishte bërë merak për shkarkimin tim. Shqetësimi i familjes time ishte i madh, pasi merret me mend se shkarkimi im ishte politik, i menjëhershëm dhe për jo për ndonjë arsye tjetër. Kjo gjë kishte edhe procedurën e saj. Do bëhej mbledhja, do shqyrtoheshin problemet etj. Pas tre ditësh na thërrasin në ministri dhe në mbledhjen e partisë. Na thanë që jeni njerëz që keni pasur poste të larta në ushtri dhe dini shumë sekrete, duhet të heshtni. Ndryshe mbani përgjegjësi penale.
Ndërkohë gjatë kësaj kohe ishte arrestuar Kadri Hazbiu?
Jo. Ka ndodhur më vonë ajo. Punë ditësh. Pas dy ditësh na thirrën në Drejtorinë e Kuadrit në Ministri. Drejtori i kuadrit na komunikoi emërimet. Dy dolën në pension, Ylli Backa dhe Maliq Sadushi, kishin mbushur moshën. Unë transferohesha në Burrel, me detyrën e shefit të xhenios në Korpus. Veli Llakaj në Cërrik dhe Nazar Berberi në Patos. Na thanë që në orën 12:30 – 13:00 të jeni gati për t’u nisur. Makinat po ju presin. Kishim rreth një e orë e gjysmë apo dy orë kohë. Sa shkova në shtëpi, natyrisht që u alarmuan të gjithë. Më kujtohet si tani që dhëndri im shkoi dhe bleu ca ushqim dhe m’i dha për rrugës. Nuk dihej se çfarë dhe ku do haja. Në orarin e caktuar mbërrita te ministria. Aty prisnin makinat, na hipën dhe ikëm në tre drejtimet e caktuara. Unë si zëvendësministër kisha në varësi edhe parkun e ministrisë, drejtoria e Autotraktorëve quhej. I fola ish-vartësit tim shofer rrugës por ai nuk përgjigjej.
Ishit vetëm me shoferin?
Po. Vetëm ne dy ishim. Ai nuk fliste fare. Në hyrje të qytetit të Laçit pash një oficer që e njihja. Një shokun tim. I thashë shoferit të ndalonte, por ai nuk më ktheu asnjë përgjigje dhe vazhdoi. “Mbaje”, -i thashë, por ai vazhdoi sërish pa përgjigje. “Ore do e ndalosh makinën apo si e ke hallin!, -i bërtita. Pas kësaj ndaloi. Zbrita dhe qëndrova vetëm pesë minuta sa e përshëndeta në këmbë atë shokun tim. U nisëm sërish. Mbërritëm në Burrel në godinën e korpusit. U paraqita tek oficeri i rojës. Ata sigurisht që e kishin marrë vesh. Ishte bërë njoftimi i gjithë ushtrisë që unë isha shkarkuar. Oficeri i rojës më tha se më priste shefi i shtabit të korpusit në zyrë. Ndërsa po ngjitja shkallët për sipër, shoferi që më solli mua, po fliste në telefon nga një zyrë. Siç duket fliste me Tiranën, dhe me pakujdesi, aq sa e dëgjova edhe unë thotë: “E solla atë plaçkën”.
Domethënë, ju tani konsideroheshit si një plaçkë?
Atëherë pritej çdo gjë. Të gjithë të shkarkuarit nga rangje të larta kishin përfunduar në burg. Unë nuk e di sesi kam shpëtuar. Po që më vonë mora vesh se dosjet na i kishin bërë gati.
Sa vazhdoi kjo gjendje, pra si i dëbuar nga Tirana në Burrel?
Aty vazhdova një muaj e gjysmë. Më thirrën në Tiranë në mbledhjen e organizatës së partisë. Aty mu vërsulen të gjithë. Ata që një muaj më parë më kishin propozuar për “Hero të Punës Socialiste” nuk lanë asgjë pa më thënë. Pas kësaj më dënuan me ulje në parti. Nga “anëtar partie” më bën “kandidat partie”. Kjo ulje në parti u pasqyrua edhe në detyrën që kisha në ushtri. Duke qenë kandidat partie, unë nuk mund të isha Shef Xhenio në korpus, kështu që përfundova shef xhenio në brigadë. Kjo e barabartë me një komandant kompanie. Unë isha 53 vjeç dhe prej më tepër se 30 vjetësh kisha qenë anëtar partie. Në këtë detyrë në Burrel vazhdova për rreth dy vjet e gjysmë. Gjatë kësaj kohe kam pasur presion të jashtëzakonshëm. Më kërkonin që të merrja familjen në Burrel. Një oficer që ishte transferuar në Tiranë dhe që i kishte mbetur familja në Burrel më thoshte që unë t’i merrja atje. Bashkëshortja ime me profesionin mësuese të punonte në vend të bashkëshortes së tij. Nuk pranova për këtë. Iu thashë: Më nxirrni në pension të parakohshëm. E kisha bërë moshën 55-vjeçare, ndërkohë.
Keni pasur një lloj presioni për ndjekje nga Sigurimi i Shtetit?
Po. Jo vetëm kaq. Më vonë mora vesh se personi që jetonte me mua në të njëjtën dhomë, ishte bashkëpunëtor i Sigurimit. Ishte një teknik, gjeometër, civil që punonte në xhenio. Ishte nga Macukulli i Matit. Ai, siç më thanë më vonë përcillte çdo gjë në Sigurim. Unë gjatë gjithë kësaj kohe lexoja. Një ditë punonjësja e bibliotekës më tha: “Shoku Alfred, ju lexoni më shumë se të gjithë”, pasi një libër nuk e çoja më shumë se dy-tre ditë. Gjatë gjithë kësaj kohe “bishti”, siç po e quaj sigurmsin, nuk më ndahej nga pas. Ka pasur diçka që nuk më shqitej nga mendja. Megjithëse kam qenë anëtar partie që nga viti 1949, unë asnjëherë nuk kam qenë kandidat për kongres. Kam pasur poste të larta në ushtri nga komandat brigade e deri tek zëvendësministër. Njëherë kur u bë kongresi i fundit kur ishte gjallë Enver Hoxha, unë isha zëvendësministër. Më sollën një ftesë për të ndjekur punimet në aneks. D.m.th., me televizor, çka mund ta bëja fare mirë që nga shtëpia.
Pse ndodhte kjo?
Është e thjeshtë, merret vesh.
Ka pasur dashakeqësi ndaj teje? Pse ndodhte kjo?
Po im atë është konsideruar në vitet e para të çlirimit si antijugosllav. U shkarkua nga shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Por me marrjen fund të Koçi Xoxes, nuk u sulmua më. U kthye në ushtri si komandat i Garnizonit të Tiranës dhe më pas kryetar i SHNUM-it, ku bëhej përgatitja e paraushtarakëve me profesione të ndryshme, si shoferë, elektronike etj. Dashakeqësia ndaj meje dhe të tjerëve në Ministrinë e Mbrojtjes ndodhte edhe për faktin se në Ministrinë e Brendshme punonin persona, ushtarakë, që për paaftësi largoheshin nga Ministria e Mbrojtjes. Ata drejtonin Sigurimin, ose ishin funksionarë në këtë dikaster dhe kishin një lloj inati dhe dashakeqësia ndaj nesh.

Sekret
Ekzemplar i vetëm.
Tiranë më 16.09.1982
INFORMACION PËR SPIRO MOISIUN
Gjatë përpunimit që i bëhej elementit antiparti Bardhyl MAno (ish-sekretar i shoqatës së gjuetarëve, dënuar me procesin e Shyqyri Këllezit, Ali Kubatit, etj), kur ishte i lirë, ndër të tjera dalin edhe këto materiale për Spiro Moisiun;
Bp (Bashkëpunëtori i Sigurimit. redaksionale) “Dajti” më datën 2.9.1980 informon se në bisedë me Bardhyl Manon, ky i fundit iu ka thënë: “... kur u mor në shqyrtim në Presidiumin e Kuvendit Popullor, kërkesa për faljen e jetës së Beqirit, Abdylit, Koços, Petritit, Hitos etj, ka qenë në këto dy mbledhje vetë Udhëheqësi i Partisë dhe në të dyja këto mbledhje, fjalën i pari e ka marrë Ky, ndërsa të tjerët nuk thanë ndonjë fjalë tjetër, vetëm se u çua ndonjë tjetër, për të përforcuar akoma më shumë fjalën e Udhëheqësit të Partisë. Më kujtohet, vazhdoi Bardhyli, se për të dy rastet, shefi jonë (Spiro Moisiu), para se të shkonte në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka ardhur në zyrë dhe e kam parë shumë të mërzitur. Pas përfundimit të mbledhjes, Spirua u kthye prapë në zyrë, më mori mua dhe dolëm së bashku. Ishte jashtëzakonisht i mërzitur, sidomos herën e dytë, kur ishte problemi i Abdylit, Koços etj. Më tha se: “Për Abdylin më ka ardhur shumë keq ... nuk kemi çfarë me ba...si qenka kjo dynja... Dëgjo or çun, kanë ardhur ditë shumë të rënda, është zjarr gjithandej. Të kam si djalin tim, pashë Zotin ruaju. Këto muhabete mos i bëj me njeri”.
Kjo e dhënë vërtetohet edhe nga informacioni i TO. (Teknikë operative. red)
Ministri i Punëve të Brendshme
Hekuran Isai

“Tuneli i thesarit u llogarit të ishte i sigurt edhe ndaj sulmeve bërthamore”

Emri dhe firma e Alfred Moisiut gjenden mbi skicat dhe hartat e objekteve më të rëndësishme dhe sekrete të shtetit komunist. Duke qenë zëvendësministër i Mbrojtjes, përgjegjës për fortifikimet, Moisiu ishte njeri i besuar nga krerët e shtetit dhe u ishin besuar ndërtimi i shumë objekteve të sekrete dhe të sigurta. Por në një moment regjimi e humbi këtë besueshmëri dhe Alfred Moisiu kthehet në një njeri të dyshimtë, ndërsa sekretet e objekteve të rëndësishme, siç ishte ai i Kërrabës, ku në vitin 1997 u vodh thesari i shtetit, “kyçen” brenda Moisiut. Ish-presidenti tregon për objektin “Lumi” të ndërtuar në Kërrabë për të strehuar në rast lufte apo sulmi bërthamor krerët e shtetit, ishte porositur nga Ministria e Brendshme. “Ne nuk e dinim mirë funksionin. Ata e porositën dhe punoi grupi ynë i inxhinierëve të ndërtimit. Nuk e kam parë asnjëherë. Vetëm në një rast na thirrën për një objekt tjetër ku duhej të merrej një vendim. ka pasur pesë objekte të tilla. Në Skrapar poshtë Çorovodës; në Dajt; në Kërrabë kanë qenë dy objekte, një te lumi Erzen dhe tjetri lart në mal, “Kalaja” i thonë; si dhe i fundit ishte poshtë Kodrave të Tiranës aty ku është selia e Ambasadës Amerikane. Disa prej këtyre objekteve ishin ndërtuar para se të vija unë zëvendësministër i Mbrojtjes. Atë të Skraparit e mbanin si sekret shumë të madh. Në atë zonë mendohej se do vendosej udhëheqja në rast të luftës. Sot këto objekte mund të bëhen vetëm muze, se për asgjë tjetër nuk hyjnë në punë”, tregon, Alfred Moisiu, ndërsa pohon se nuk i ka vizituar kurrë këto objekte, as gjatë kohës së ndërtimit. Kjo për faktin se nuk kishte pasur kuriozitet dhe për më tepër ishin në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe nuk kishin lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes. I pyetur se si i dukej atëherë ndërtimi i tyre dhe sot, a nuk ishin një farë çmendurie, Moisiu, i cili ka qenë edhe ish-kreu i Shoqatës së Atlantikut Verior, përgjigjet prerazi: “E ka thënë disa herë që strategjia e atëhershme për të luftuar dhe fituar kundër NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, ishte një çmenduri. Por, ka diçka. Çdo gjë duhet parë në prizmin e kohës. Në atë kohë, SHBA dhe ish-BS harxhonin 730 miliardë USD në vit për studimet, ndërtimet dhe teknologjinë ushtarake. I bie afërsisht dy miliardë USD në ditë, ndërsa sot asnjë armë apo objekt i asaj kohe nuk funksionin më. Pra, ka ndryshuar strategjia. Ne atëherë funksionimin me të njëjtin mentalitet si të tjerët”. Ndërkohë, i pyetur për sigurinë e këtyre objekteve ish-presidenti pohon se ishin të sigurt dhe se ishin llogaritur të ishin të tillë. Në fund, Moisiu i pyetur, nëse ishte llogaritur gjithçka, si shpjegohet se thesari i shtetit që fshihej aty u vodh nga tre barinj, jep përgjigjen: “Thesarin mund ta vidhte edhe një bari, kur nuk funksionon shteti”.                       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›