E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimi, a mund të përdoren Letrat me Vlerë?

LETËR NË REDAKSI
E nderuar redaksi e gazetës "Shekulli"! Unë që ju shkruaj, quhem Eqerem Frakulla, pensionist dhe invalid nga qyteti i Vlorës. Jam gjithashtu edhe një lexues i rregullt i gazetës tuaj, ndaj kërkoj nga gazetarët tuaj që të më ndihmojnë, duke më bërë të qartë nëse qeveria do t'i marrë dhe do t'i njoh në legalizimin e banesave tona Letrat më Vlerë, të cilat kemi vite që i mbajmë në xhepa. Dhe nëse po deri në çfarë mase ? Mbetem në pritje të kësaj përgjigjeje. Me shumë respekt, Eqerem Frakulla.
PËRGJIGJA NGA SHEKULLI-KONTAKT
I dashur lexues! Për aq kohë sa njohja e letrave me vlerë në procesin e legalizimit të banesave, nuk është shkruar dhe nuk ka marrë formë ligjore, s'mund të thuhet se ALUIZNI do t'i marrë parasysh ato. Nëse teorikisht do të flisnim se si mund të përfshiheshin letrat me vlerë në procesin e legalizimit atëherë do të thoshim se i takon Këshillit të Ministrave të nxjerrë një vendim apostafat, që në këtë rast, do të gjente zbatim në momentin që objektet do të shlyenin pagesën për legalizim. Sidoqoftë, sipas Ferdinad Shehut, nëndrejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-it, mënyra e pagesës është hapi i fundit i procedurës së legalizimit. Ai tha se në momentin që objekti do të jetë i gatshëm për legalizim, do t'i përcaktohet një faturë. Kjo e fundit do të përpilohet mbi bazë të "gjobave të mundshme" që objekti mund të ketë marrë pas vetëdeklarimit. Do të përcaktohet tarifa e ndikimit mbi infrastrukturën, do të mblidhet tarifa e shërbimit, që është e njëjtë për të gjithë, si dhe do shikohet nëse ndërtesa është në truall të vet apo të dikujt tjetër. Në fund, del një shumë totale që përbën faturën përkatëse për legalizimin e objektit.
Është e vërtetë i nderuar lexues, që për vite me radhë Letrat me Vlerë po rezultojnë... të pavlera. Pyetëm edhe në Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë meqë një pjesë e konsiderueshme e tyre i janë dhënë kësaj kategorie. Simon Miraka, drejtori i Institutit tha se një propozim që është bërë deri tani, është që poseduesit të futen aksionerë në privatizimin e objekteve. Megjithatë, nuk do të lihet me kaq. "Mendojmë të diskutojmë rreth përdorimit të tyre pasi të përfundojë cikli i dëmshpërblimit të të përndjekurve. Tashmë jemi në kontakt me Ministrinë e Drejtësisë, për marrjen e dokumentacionit të tyre",- tha Miraka. Sipas tij, nëse të përndjekurit do të kishin bërë kërkesë pranë Institutit që letrat me vlerë të përdoreshin në legalizimin e banesave, sigurisht që kjo do t'i ishte propozuar qeverisë. Por deri tani nuk kemi pasur ndonjë kërkesë të këtij tipi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›