Estonia, kombëtare anonime
Leonard Karaj
Pjesa më e madhe e skuadrës përfaqësuese të Estonisë luajnë në skuadra të panjohura ose tepër modeste përkundrejt futbollistëve të Kombëtares shqiptare. Që Kombëtarja e Kuzhesë do të përballej me një skuadër modeste më 14 nëntor, kjo dihej që para një muaji. Që bëhej fjalë për Estoninë, ish-shtet i Bashkimit Sovjetik edhe kjo afërmendsh që do bëhej publike. Por që asnjë futbollist nga ky ekip nuk aktivizohet në një skuadër të njohur evropiane ose në një kampionat elitar, kjo ndoshta nuk mund të imagjinohej. Fakt është se Shqipëria e Josip Kuzhesë do të përballet këtë të shtunë ndaj një skuadre thuajse anonime, ku futbollistët më të famshëm, nëse të tillë mund të quhet, janë sulmuesi i Jonkopings Sodra (Suedi) Kristen Viikmae (112 ndeshje me kombëtaren, 15 gola të shënuar) dhe mbrojtësi i AZ Alkmarit në Holandë, Ragnar Klavan (61 ndeshje, 1 gol). Pjesa tjetër e kësaj përfaqësuese është pothuajse e panjohur, duke filluar që nga porta e deri tek linja e sulmit. Trajneri Tarmo Rutli, pas dështimit total të skuadrës së tij në kualifikimet e botërorit “Afrikë e Jugut 2010” (ishte në një grup me Spanjën, Bosnjën, Turqinë, Belgjikën dhe Armeninë), ku arriti të merrte vetëm 2 fitore dhe 2 barazime ka vendosur të rinovojë ekipin e tij. Ai ka lënë jashtë skuadrës për ndeshjen me Shqipërinë shumë lojtarë që i pati aktivizuar gjatë këtyre kualifikimeve duke grumbulluar disa lojtarë të rinj me të cilët synon të bëjë një paraqitje sa më dinjitoze në ndeshjet për EURO 2012. Në këtë pikë Rutli ka optuar njëlloj sikundër edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. Por ndryshimi qëndron në faktin se të ashtuquajturit të rinj të ekipit tonë përfaqësues janë disa herë më të famshëm, për vetë skuadrat ku ata aktivizohen, përkundrejt të grumbulluarve të trajnerit Rutli. Ndërkohë për t’u theksuar vlen fakti se nga 20 lojtarët e thirrur për ndeshjen e kësaj të shtune, vetëm tre prej tyre aktivizohen në kampionatin vendas. Portieri Mihkel Aksalu dhe mesfushori Martin Vunk luajnë për Tallinna Flora ndërsa mbrojtësi, Tihhon Sisov aktivizohet te Tallinna Levadia. Futbollisti me më shumë ndeshje është Kristen Viikmae (Jonkopings Sodra IF) me 112 ndeshje, ndërsa Sander Post (Go Ahead Eagles) është lojtari më pak i aktivizuar me këtë kombëtare (1 ndeshje). Ndërkaq bie në sy shtegtimi i estonezëve drejt kampionateve fqinj, si ai danez, suedez dhe norvegjez por nuk mungon këtu edhe Serie B në Itali, e përfaqësuar nga Enar Jaager, i cili aktivizohet tek Askoli.
Kombëtarja estoneze
Portierë: Mihkel Aksalu (Tallinna FC Flora), Artur Kotenko (Viking FK, Norvegji), Sergei Pareiko (Tom Tomsk, Rusi)
Mbrojtës: Alo Barengrub (Bodo/Glimt, Norvegji), Enar Jaager (Ascoli, Itali), Ragnar Klavan (AZ Alkmar, Holandë), Dmitri Kruglov (Neftsi Baku, Azerbajxhan), Taavi Rahn (Neftsi Baku, Azerbajxhan), Andrei Sidorenkov (Sonderjysk Elitesport, Danimarkë), Tihon Sisov (Talina Levadia)
Mesfushorë: Aleksandr Dmitrijev (Honefoss, Norvegji), Tarmo Kink (Gyori ETO, Hungari), Joel Lindpere (Tromso IL, Norvegji), Konstantin Vasiljev (Nafta Lendava, Sllovaki), Martin Vunk (Talina Flora)
Sulmues: Sander Post (Go Ahead Eagles, Holandë), Ats Purje (Inter Turku, Finlandë), Kaimar Saag (Silkeborg, Danimarkë), Kristen Viikmae (Jonkopings Sodra, Suedi), Vladimir Voskoboinikov (Luch-Energia Vladivostok, Rusi)
Estonia, vendi më i lirë për lirinë e mediave
Estonia është një shtet në pjesën veriore të Evropës. Ajo kufizohet në veri nga Gjiri i Finlandës, në perëndim nga Deti Baltik, në jug nga Letonia, dhe në lindje nga Federata Ruse. Territori i Estonisë është 45.227 km2 dhe ndikohet nga një klimë e butë sezonale. Estonia është pagëzuar me këtë emër nga një historian romak, Tacitus, i cili në librin e tij Germania (98 p.e.s) e quan këtë vend Aestii. Ai i referohet një sage të lashtë skandinave, ngjarjet e së cilës zhvilloheshin në Eistland, afër Danimarkës. Estonia është një republikë demokratike parlamentare dhe është i ndarë në 15 qarqe. Kryeqyteti dhe njëkohësisht qyteti më i madh është Talin. Me një popullsi prej vetëm 1.34 milionë banorë, Estonia është një nga vendet më pak të populluara të Bashkimit Evropian. Estonia është bërë anëtare i Lidhjes së Kombeve më 22 shtator 1921 si dhe i Bashkimit Evropian prej 1 majit 2004, teksa dy muaj më parë më 29 mars 2004 ishte bërë edhe anëtare e NATO-s. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore Estonia ashtu si shumë vende balltike iu bashkëngjit, e detyruar Bashkimit Sovjetik. Vetëm më 20 gusht 1991 Estonia rifitoi pavarësinë e saj. Shteti filloi një program të shpejtë të reformave sociale dhe ekonomike, i cili çoi deri në anëtarësimin në BE. Sipas “Reporters Without Borders” (Reporterë pa kufi) për vitin 2008 Estonia është renditur në vendin e katërt në botë porsa i përket lirisë së mediave.