E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadiu sjell në Tiranë “përrallën” shqiptaro-italiane

 

Alma Mile

“Atë mëngjes, në Tiranë, ajri ishte mbytës. Treni që po na shpinte në Durrës, në njërin prej qyteteve më të lashta të Shqipërisë, ishte i tejmbushur me njerëz. Kush pinte duhan pranë dritares, kush lexonte gazetën, kush ia kishte ngulur sytë atij që kishte pranë, për të kërkuar ndonjë përgjigje, kush i frynte fytyrës së fëmijës që mbante në krahë, duke u përpjekur të zvogëlonte sadopak pasojat e vapës së tmerrshme dhe kush, ashtu si ne, qëndronte në një cep duke kënduar këngë popullore, edhe pse ngjitur me njëri-tjetrin, si të ishim në një koncert roku. Mendjen e kishin pushtuar mijëra pyetje. Prej disa ditësh nuk flitej për gjë tjetër. Nëpër bare, nëpër rrugë, nëpër zyra. Të gjithë e dinin se porti do të hapej dhe për secilin do të paraqitej një mundësi. Po, pikërisht kështu. Secili do të kishte mundësinë që të përmbushte dëshirën e vet për të marrë hak ndaj jetës”.
Kështu do të niste rrugëtimi i Kledi Kadiut. Sot një nga balerinët më të njohur në Itali, por gati 20 vjet më parë, një i ri, që si shumë syresh nxitonte të kapte anijen në port për të kaluar në bregun matanë, në “tokën e premtuar”. Rrugëtimin e tij, që nga ajo ditë mbytëse, balerini e tregon në romanin e tij autobiografik “Më e bukur se një përrallë, jeta ime”, i cili vjen edhe në shqip përmes shtëpisë botuese “Dudaj”. Për të prezantuar librin, balerini ishte dje në Tiranë, ku gjatë një takimi me gazetarë e miq të librit, iu përgjigj pyetjeve mbi këtë vepër. Ndihej i emocionuar, pasi siç do të thoshte edhe vetë, kjo ishte hera e parë që bënte diçka në vendin e tij. Suksesin e ka përjetuar më së shumti në Itali. “Romanin ia kushtoj gjyshes sime”, - do të thoshte Kadiu. Sipas tij, historia që ai rrëfen në romanin e tij është normale për në Shqipëri dhe jonormale në Itali, pasi histori refugjatësh Shqipëria ka parë shumë. Por ky libër është shkruar pikërisht për një lexues të huaj e më konkretisht atë italian. “Duke qenë se në shqiptarët mbaheshim si pjesa më e keqe e emigrantëve në Itali, mu dha rasti dhe u përpoqa që përmes jetës sime të tregoja jetën e shqiptarëve, traditat dhe vlerat më të mira të një populli”, u shpreh balerini. Por jo vetëm kaq. Njeriu që ka kaluar detin në mënyrë klandestine, që ka njohur zhgënjimin dhe suksesin, ka ca mësime për t’u dhënë të rinjve. “Kam parë që të rinjtë, jo vetëm në Itali, por edhe këtu, duan të arrijnë një sukses të shpejtë. Kjo është arsyeja pse unë tregoj fillimisht përpjekjet e 8 vjetëve në shkollën e baletit e më tej vuajtjet, sakrificat që ka profesioni ynë. Dhe jam ndalur këtu, duke mos folur për suksesin”, vazhdon Kadiu. Disa vite më parë, balerinin që ka shkëlqyer në skenat italiane dhe është aq i dashur për publikun e përtej detit, u shfaq në ekranin e madh të kinemasë, si protagonist i filmit “Passo a due”, një film që tregon jetën e një balerini shqiptar. Edhe pse jeta e personazhit të filmit, ngjan deri diku me atë të Kledi Kadiut, balerini nuk pranon se filmi është një autobiografi e tij. Autobiografinë e tij të vërtetë ai po e sjell përmes romanit “Më e bukur se një përrallë, jeta ime”, i cili është pritur mjaft mirë në Itali, ku u botua për herë të parë. Historia e artistit shqiptar, madje u vlerësua edhe me një çmim letrar. Menjëherë erdhën edhe kërkesat për ta kthyer atë në film. “Më është propozuar të luaj në film, por do të dëshiroja që të ishte një djalë i vogël që të luajë rolin tim”, thotë balerini, teksa shton se si filmi, ashtu edhe të shkruarit janë eksperienca që momentalisht mendon se nuk do të përsëriten më. Libri është jeta e jetuar e Kledi Kadiut. Nis me largimin e tij drejt Italisë, ndryshimet e mëdha profesionale dhe në jetën personale. Por përmes jetës së tij, në këtë libër vijnë edhe ato ndryshime të mëdha që ndodhën në Shqipëri, pas rënies së komunizmit. Një periudhë shumë e ngjeshur me data dhe fakte. Libri trajton që nga fillimi, fëmijërinë e balerinit, momentin kur hyri në Akademinë e Dancit në Tiranë. Janë tetë vitet që kaloi atje. Pastaj tundimi për t’u larguar në botën e reklamave dhe dritave që i shikonte vetëm në kanalet e huaja televizive. Një aventurë e rrezikshme në det të hapur, ku rrezikoi të humbiste jetën. Përpjekja e parë në shtetin fqinj ishte e dështuar. Shumë shpejt erdhi zhgënjimi, rikthimi në Shqipëri në të njëjtën shkollë, ku rinisi jetën artistike, turnetë dhe angazhimin në Teatrin e Operës dhe Baletit. Pastaj sërish rrugëtimi drejt Italisë, por këtë herë me dokumente të rregullta. Të gjitha vështirësitë që një i huaj mund të gjejë në Itali dhe pastaj suksesi, fitorja. Në këtë fazë historia mbaron, sepse pjesa tjetër është e njohur, për të gjithë ata që e ndjekin karrierën e tij përmes ekranit dhe mediave. Tanimë Kadiu është shtetas italian. “Vetëm një vit më parë mora shtetësinë italiane. Nuk e kam dorëzuar shtetësinë shqiptare, kështu që tanimë kam dy shtetësi. Kjo ishte një burokraci, të cilën e kisha të nevojshme për karrierën time artistike”, - tha dje Kadiu, gjatë prezantimit të librit të tij. “Kërcej, kërcej dhe prapë kërcej, deri sa shpërthejnë duartrokitjet që ma mbushin zemrën plot gëzim, duke më bërë që të përjetoj sërish çdo herë fundin e së njëjtës përrallë. Përralla e mrekullueshme e jetës sime”. Kështu e mbyll romanin e jetës së tij Kledi Kadiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›