E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, 30 minuta kokë më kokë me Uidhers

 

Presidenti Bamir Topi ka takuar dje për rreth gjysmë ore Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zyrën e tij. Në orën 10:00, kreu i diplomacisë amerikane i është drejtuar selisë së Presidencës, ku ka biseduar me kreun e shtetit për situatën politike në vend. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së Presidencës, bëhet e ditur se në takim janë prekur çështjet e ditës, konsolidimi i institucioneve të pavarura, forcimi i shtetit ligjor dhe liria e medias. “Gjatë takimit u diskutua rreth situatës politike në vend, konsolidimit të institucioneve të pavarura, forcimit të shtetit të së drejtës, rreth gjendjes së mediave në Shqipëri në përgjithësi, si dhe problemeve të shfaqura kohët e fundit me lirinë e shtypit dhe të fjalës”, thuhet në njoftimin për shtyp. Takimi mes kreut të shtetit dhe ambasadorit amerikan vjen në një moment kur maxhoranca dhe opozita nuk po gjejnë ende gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e krizës politike dhe pas rrahjes së gazetarit Mero Baze nga biznesmeni Rezart Taçi. Në këtë takim Ambasadori Uidhërs shoqërohej edhe nga Shefi i Çështjeve Politike-Ekonomike i Ambasadës, Pol Polete. Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Shqipërinë dhe bindjen se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve mike dhe aleate do të zhvillohen edhe më tej. “Nga ana e tij Ambasadori Uithers, pasi ndau të njëjta mendime me Kreun e shtetit shqiptar, theksoi edhe njëherë interesin e qeverisë amerikane për situatën dhe zhvillimet politike, ekonomike dhe të demokracisë në Shqipërinë duke e konsideruar vendin tonë si aleatin më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›