Fajon: Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, pa viza në BE nga 19 dhjetori
“Qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë do të jenë të lirë të lëvizin pa viza në zonën “Schengen” që nga 19 dhjetori i këtij viti”, kështu deklaroi për agjencinë MIA eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila përgatiti raportin për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Parlamenti Evropian pritet ta aprovojë sot heqjen e vizave “Schengen” për tre vendet e Ballkanit. Sipas Fajon, është e sigurt se Parlamenti Evropian do ta miratojë raportin. Pritet që pjesë përbërëse e dokumentit të jetë edhe propozimi i Sllovenisë që vizat “Schengen” për të tri vendet të hiqen nga 19 dhjetori i këtij viti, në vend të 1 janarit të vitit të ardhshëm, siç kishte propozuar Komisioni Evropian. “Mendoj se është shumë reale të pritet që qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi mund të udhëtojnë lirisht në BE që prej 19 dhjetorit, gjatë Krishtlindjes dhe festave të Vitit të Ri. Kjo do të ishte një risi e madhe për njerëzit në rajon. Shpresoj që së shpejti, sapo t’i plotësojnë kushtet, atyre do t’iu bashkëngjiten edhe qytetarët e Bosnjë- Hercegovinës dhe Shqipërisë. Parlamenti Evropian e mbështet fuqimisht liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Fajon për MIA. Raporti për heqjen e regjimit të vizave për shtetet e Ballkanit Perëndimor i eurodeputetes Fajon, u miratua muajin e kaluar nga Komiteti për Liri Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, por edhe nga Komiteti për Politikë të Jashtme të BE.