Estonia, ligë e golave

Edhe pse vëmendja kryesore e futbolldashësve përqendrohet në ligat kryesore evropiane si La Liga, Premierliga, Serie A, Bundesliga, Ligue 1, e të tjera, këto Kampionate shtetërore janë inferiore ndaj një shteti tjetër sa i përket statistikës për mesataren e golave të shënuar për ndeshje.
Liga e Estonisë udhëheq renditjen me 3.41 gola për ndeshje. Estonezët duket sikur zhvillojnë ‘festival golash’ për dallim nga ligat tjera të zonës UEFA, përfshirë edhe top 8 Kampionatet kryesore.
Irlanda e Veriut është e dyta me 3.23 kurse në ‘podium’ ngjitet edhe Holanda, liga e parë anëtare e top 8-shes së UEFA-së. Këtë sezon Eredivisie është edhe Kampionati më spektakolar: mungojnë 8 ndeshje deri në fund të sezonit dhe vetëm 5 pikë i ndajnë gjashtë pozitat e para në renditje (AZ: 53 pikë, AJAX 52, PSV 51, Twente, Feyenoord dhe Heerenveen 48).
Letonia është e katërta me 3.14 kurse më pas vijnë Malta (3.08), Kazakistani (3.07), Islanda (3.03) dhe Finlanda (3.02). Top 10-shja kompletohet nga Norvegjia me 2.94 dhe Belgjika, 2.88.
Bundesliga e 11-ta, Premierliga (13), La Liga (15), Serie A (25)
Bundesliga, edhe pse njëra prej ligave me shikueshmërinë më të madhe në stadiume, ka pësuar rënie gjatë këtij sezoni sa i përket mesatares së golave të shënuar për ndeshje. Elita e futbollit gjerman gjendet aktualisht e 11-ta me 1.82 gola për ndeshje (për dallim nga 2.92 nga 2010/11).
Premierliga angleze është e 13-ta me 2.79 gola për ndeshje (statistikë e njëjtë me një vit më parë). La Liga është e 15-ta, me mesatare prej 2.72 gola për ndeshje nuk është aq atraktive sa duket në shikim të parë.
Më 2010/11 ishin realizuar 1042 gola prej të cilëve 102 nga Real Madridi dhe 95 nga Barcelona. Këta dy gjigantë realizuan 20 % të golave në La Liga, kurse në 735 golat e realizuar deri më tani, Reali udhëheq me 89, 12 % të totalit, për dallim nga Barcelona me 77, 10 %.
Serie A e Italisë është e 25-ta me mesatarisht 2.50 gola për ndeshje. Kampionati shqiptar gjendet i 30-ti me 2.47 gola për takim. Më së paku gola, shënohen në ligën greke, 2.11 për ndeshje.
Renditja e mesatares së golave për ndeshje në ligat e zonës UEFA:
1. Estonia : 3.41
2. Irlanda e Veriut : 3.23
3. Holanda : 3.21
4. Letonia : 3.14
5. Malta : 3.08
6. Kazakistani : 3.07
7. Islanda : 3.03
8. Finlanda : 3.02
9. Norvegjia : 2.94
10. Belgjika : 2.88
30. Shqipëria : 2.47