S’kryen punë as gjyqi

Pas injorimeve të njëpasnjëshme që FIFA e posaçërisht UEFA po ia bëjnë Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po mendon seriozisht që këto dy organizata t’i paditë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Madje, nënkryetari i shtëpisë së futbollit kosovar, Agim Ademi i ka thënë Express-it se gjasat janë shumë të mëdha që në javën e ardhshme Komiteti Ekzekutiv i FFK-së përfundimisht të vendosë që çështjen ta procedoj♪7 Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
Mirëpo, nuk është fort e qartë nëse nëpërmjet gjyqit FFK-ja do të kërkojë anëtarësimin e plotë të saj në këto dy organizata, apo vetëm marrjen e lejes për të organizuar ndeshje miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.
Sidoqoftë, ish nënkryetari i shtëpisë së futbollit në vend, respektivisht juristi i njohur kosovar, Haki Demolli nuk beson që FFK-ja do t’i arrijë objektivat e saj, edhe nëse e bën një gjë të tillë.
“Unë jam skeptik. Nuk e di, ato janë organizata shumë të fuqishme dhe nuk lejojnë t’u tejkalojë asgjë prej rregulloreve të saj. Dispozitat nuk lejojnë”, deklaroi Demolli për Express, i cili megjithatë i vlerëson lart përpjekjet e krerëve të FFK-së që po i bëjnë rreth ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.
“Kur isha nënkryetar i FFK-së, bashkë me Fadil Vokrrin dhe Eroll Salihun patëm vizituar UEFA-n. Aty i patëm bërë dy kërkesa konkrete – njohjen e kartonëve të transferimit të futbollistëve kosovarë dhe lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore. Ajo e para tashmë është realizuar, por jo edhe kërkesa e dytë. Ata na patën bërë të qartë se dispozitat e tyre nuk lejojnë që në asi aktivitete të saj të përfshihen vende të cilat nuk i njeh si anëtare”, theksoi Demolli.
Megjithatë, ai këshillon krerët e futbollit kosovar që mos të ndalen. Sipas Demollit, në fund të fundit shtëpia e futbollit kosovar le të provojë që edhe nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv t’i arrijë objektivat e veta.
“I çmoj përpjekjet e FFK-së. Ajo ka shumë të drejtë. Kosovarët e meritojnë të luajnë të paktën ndeshje miqësore, pas 20 vitesh të izoluar. Është e drejtë e FFK-së t’i bëjë këto kërkesa, qoftë edhe nëpërmjet gjyqit. Në fund të fundit një fjalë e urtë popullore thotë: ‘Pa qajtë fëmija, as nëna gji nuk i jep’. Andaj, edhe FFK-ja duhet t’i kërkojë ato që i do”, theksoi Demolli i cili njëherësh është deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.