LSI: Opozita po bllokon integrimin, të votojë ligjet në Kuvend
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje opozitës të votojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament pasi bllokimi i reformave do përkthehej në vlerësim negativ për integrimin evropian të vendit. Në një konferencë për shtyp nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili u shpreh se bllokimi i këtij procesi do të ishte i pafalshëm dhe pasojat do të bien mbi shqiptarët të cilët më shumë se çdo komb tjetër e duan integrimin. “Pakti kombëtar i propozuar nga LSI-ja ka qenë dhe mbetet një zgjidhje parimore dhe gjithëpërfshirëse. Ky pakt vazhdon të jetë zgjidhje politike që interesat e shqiptarëve i vë të parat”- ka theksuar Vasili duke shtuar se ky pakt është mundësia e vetme që dialogu të udhëheqë procesin politik në Shqipëri. Duke iu referuar deklaratave të kreut të PS-së Edi Rama, Vasili theksoi se pakti kombëtar nuk duhet të përdoret si kushte të njëanshme apo për interesat e ngushta të individëve të ndryshëm. “Nuk ka minuta për tu humbur. I bëjmë thirrje opozitës të mbështesë paktin kombëtar, të japë mbështetjen e saj në parlament duke miratuar ligjet që janë lidhur ngushtë me përmbushjen e 12 kritereve të Bashkimit Europian”- u shpreh ndër të tjera nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.