Etapat e Maturës Shtetërore
Matura Shtetërore 4 do të fillojë pas pak ditësh të tërheqë vëmendjen e të gjithë maturantëve të këtij viti. Ndonëse provimet janë në qershor dhe korrik, ethet e maturës nisin shumë më shpejt. Prej fundit të këtij muaji, kur shpallet udhëzimi i ministrit të Arsimit në lidhje me procedurat e Maturës Shtetërore, e deri në fund të muajit gusht, kur do të shpallen rezultatet përfundimtare të maturantëve në të katërt lëndët që do të japin provim, etapat e maturës janë të shumta.
Rregullorja
Pas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, në lidhje me procedurat dhe datat e regjistrimeve që pritet të dalë në fund të këtij muaji ose në fillim të shkurtit, do të botohet edhe rregullorja e Maturës Shtetërore. Në tre edicionet e mëparshme të Maturës Shtetërore, rregullorja ka pasur çdo vit ndryshime të vogla, por në thelb ka qenë e njëjtë.
Në të përcaktohen rregullat e provimit, mënyra se si duhen plotësuar tezat, përqindja e pyetjeve me zgjedhje dhe me zhvillim, ato çka nuk duhet të bëjë maturanti gjatë provimit, të drejtat e tij dhe detaje të tjera, që përbëjnë në vetvete mekanizmin funksionues të Maturës Shtetërore. Rregullorja bëhet publike në të gjitha shkollat e mesme të vendit, si edhe në media dhe përmban gjithashtu edhe datat e provimeve të detyrueshme dhe të provimeve me zgjedhje.
Programet orientuese
Në fund të muajit shkurt, Ministria e Arsimit do të bëjë publike edhe programet orientuese për të gjitha lëndët që mund të jepen provim në Maturën Shtetërore 4. Këto programe orientuese përmbajnë të gjitha mësimet nga ku mund të ketë pyetje në provimet e detyruara, ose ato me zgjedhje të maturës, si edhe kapitujt që nuk do të jenë pjesë e provimeve.
Programet orientuese janë të ndara, jo vetëm sipas lëndëve, por edhe sipas profileve të shkollave. Kështu, maturantët e një shkolle të mesme të përgjithshme me profil shoqëror, profil natyror, shkolle të mesme tekniko-profesionale, apo shkolle artistike, do të kenë programe të ndryshme orientuese, pasi do të kenë edhe provime të ndryshme gjatë Maturës Shtetërore.
Formulari A1
Muaji mars është edhe muaji i vendimeve të mëdha. Në fillim të këtij muaji deri në mes të tij, do të shpërndahet për plotësim Formulari A1, që shërben për të përcaktuar lëndët që maturanti zgjedh për të dhënë provim. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të shpërndajë në të gjitha shkollat e mesme të vendit formularët, të cilët pasi të plotësohen, do të rigrumbullohen në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve në Tiranë, për t’u hedhur në bazën e të dhënave. Në këtë formular përcaktohen lëndët me zgjedhje që do të japë maturanti, të cilat janë dy. Vitet e kaluara është kthyer në traditë, që lënda më e preferuar të jetë anglishtja, pasi ka pasur koeficiente maksimale për të gjitha shkollat e larta. Ndërkohë, maturantët nuk do të kenë mundësi për dublikatë, në rast se plotësojnë gabim Formularin A1, e për këtë arsye, ata do të kenë mundësi të provojnë në fotokopje të formularëve, përpara plotësimit përfundimtar.
Koeficientet
Fundi i muajit mars dhe fillimi i muajit prill është një tjetër etapë e rëndësishme për maturantët. Kjo, pasi ata do të mësojnë se cilat lëndë dhe shkolla kanë koeficiente më të larta në fakultetet që dëshirojnë. Në bazë të këtyre rezultateve, maturantët duhet të plotësojnë formularin A2, i cili shpërndahet pas provimeve të detyrueshme.
Specialistët shprehen se maturantët duhet të kenë kujdes në përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje dhe degëve ku do të konkurrojnë, pasi nëse zgjedhin degë dhe fakultete që nuk kanë koeficiente maksimale, kanë shumë më pak shanse për të fituar. Në disa raste këto shanse janë zero, sipas tyre, sidomos kur një maturant që përzgjedh lëndë natyrore tenton të fitojë një shkollë shoqërore, ose anasjelltas.
Guida dhe degët e veçanta
Në muajin maj do të shpallet Guida e Maturës Shtetërore, që përmban të gjitha të dhënat e maturantëve, rregulloret, udhëzimet, koeficientet dhe detaje të tjera, e që shpërndahet në çdo shkollë të mesme në vend. Kjo guidë përbën një bazë reference për të gjithë maturantët, në mënyrë që të kuptojnë mënyrën e funksionimit të Maturës Shtetërore, për të mos pasur probleme gjatë procedurave të provimeve.
Ndërkohë në të njëjtën periudhë bëhen të ditura edhe kriteret e shkollave, përveç rezultateve të Maturës, kanë edhe konkurse të veçanta. Kështu, Arkitektura, Akademia e Arteve, Akademia e Sporteve dhe Universiteti Ushtarak “Skënderbej” bëjnë të ditur se cilat janë kriteret shtesë që nevojiten për pranimin e studentëve të rinj.
Provimet e detyrueshme
Muaji qershor është prova e parë për maturantët. Javën e parë të qershorit, nga data 2-7 qershor, të gjitha shkollat duhet të zhvillojnë konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit duhet të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara. Provimet bëhen në datat e caktuara dhe rezultatet dalin një javë më pas.
Për çdo maturant, i cili është i pakënaqur me rezultatet e tij të maturës, ai ka mundësi që të marrë provimin e tij. Sipas Maturës Shtetërore, çdo pjesëmarrës në provimet shtetërore si ato me zgjedhje dhe ato me detyrim, pas shpalljes së rezultateve të provimit, ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar, me rezultatet përkatëse të vlerësimit. Për të marrë kopjen e testit të zhvilluar, maturantët duhet që brenda 7 ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit të paraqesë para Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore një kërkesë.
Formulari A2
Pas dhënies së provimeve të detyruara, që janë përfundimi i shkollës së mesme dhe marrjes së rezultateve të tyre, maturantët do të duhet të plotësojnë Formularin A2. Në këtë formular përcaktohen 10 degët ku aplikon maturanti në rend numëror. Koeficientet dhe rezultatet e provimeve të detyruara janë elementet kryesore që duhen marrë parasysh gjatë plotësimit të formularit.
Formulari A2 shpërndahet në të gjitha shkollat e mesme në fund të muajit qershor dhe afati i plotësimit të tij është një javë. Nëse maturantët nuk plotësojnë këtë formular, ata automatikisht nuk përfshihen në konkursin për shkollat e larta publike në vend, por gjithsesi do të kenë mundësi të japin provimet me zgjedhje.
Provimet me zgjedhje
Provimet me zgjedhje janë faza e fundit e Maturës Shtetërore. Ato jepen në një ditë në mes të muajit korrik dhe çdo maturant do të duhet që të plotësojë brenda 3 orësh dy testet e lëndëve që ka zgjedhur për të dhënë provim. Sipas këtij sistemi, provimet me zgjedhje do të jepen brenda ditës. Këto provime do të përmbajnë 20 pyetje të përzgjedhura nga fondi i përgjithshëm i pyetjeve për provimet e Maturës Shtetërore. Testet me zgjedhje do të jenë nga lëndët e përcaktuara në Formularin A1.
Pas shpalljes së rezultateve të provimeve me zgjedhje dhe renditjes së maturantëve sipas degëve dhe preferencës së tyre, përfundon Matura Shtetërore dhe nis procedura e regjistrimit.