Moti i ftohtë, qindra raste sëmundjesh në pediatri
Moti i ftohtë i ditëve të fundit ka rritur edhe numrin e fëmijëve që shtrohen apo vizitohen çdo ditë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Mjekët e këtij spitali u shprehën dje për “standard” se kemi të bëjmë me një epidemi të gripit, që ka prekur qindra fëmijë në kryeqytet. Çdo ditë në pediatri paraqiten 40-50 raste të reja, ndërkohë që në repartin e kardiologjisë paraqiten çdo ditë 100-130 persona.
Mjekët bëjnë thirrje për të marrë masa mbrojtëse, duke kontrolluar temperaturën e shtëpisë dhe të mjediseve ku qëndrojnë, të mos vishen trashë, sidomos fëmijët dhe mbi të gjitha të merren ilaçe në rast se shihen simptomat e para të ftohjes apo gripit, të cilat tashmë janë kthyer në epidemi në kryeqytet.
QSUT
“Ditët e fundit në spital janë paraqitur mbi 200 raste fëmijësh, të cilët i kanë sjellë prindërit. Shumica e tyre kanë marrë trajtimin e parë e më pas janë kthyer në shtëpi, ndërkohë që shumë pak fëmijë janë shtruar, për të marrë trajtim të vazhdueshëm. Bëhet fjalë vetëm për fëmijët me ftohje”, – thanë dje për “standard” burime nga urgjenca e pediatrisë së QSUT-së.
E njëjta situatë vërehet edhe në repartet e tjera të qendrës më të madhe spitalore në vend. Kështu, reparti i Kardiologjisë ka pasur fluksin më të lartë të pacientëve të vizituar dhe të shtruar, të cilët kanë pasur probleme me zemrën për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Bëhet fjalë më së shumti për qytetarë të moshës së tretë dhe të rritur. Ndërkohë që probleme janë vërejtur edhe në Urgjencën e QSUT-së, ku ka dhjetëra raste të reja çdo ditë.
Epidemia
Mjekët bëjnë fjalë për një epidemi që ka prekur një pjesë të konsiderueshme të popullatës, por bëjnë të ditur se nuk ka rrezik për pandemi dhe se thjesht duhet të jemi të kujdesshëm, në lidhje me sëmundjet stinore. Fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, janë më të rrezikuarit, pasi një sëmundje e lehtë gripi apo ftohjeje, që nga pjesa tjetër e popullatës kalohet pa probleme, mund të lërë pasoja mbi ta.
Sipas mjekëve, këto tri kategori duhet të shmangin takimet me persona të sëmurë me grip apo ftohje, si në punë, në shtëpi, apo në mjedise të tjera. Ndërkohë që për këto kategori këshillohet konsumimi i shumtë i lëngjeve dhe mbajtja e temperaturave konstante në mjediset ku qëndrojnë. Vlen të theksohet se për personat në fjalë, mjekët këshillojnë kontakt të vazhdueshëm me mjekun e familjes, pasi një sëmundje në këtë stinë mund të shkaktojë pasoja në jetën e tyre.
Gripi
Gripi sezonal i shkaktuar nga viruset e influencës është njëri prej infektimeve më të shpeshta të aparatit respirator tek njeriu. Por, duhet pasur kujdes për fëmijët, të cilët duhet të vizitohen menjëherë te mjeku i familjes. Çdo vit shfaqen epidemi, kryesisht mes dhjetorit dhe marsit. Parimisht çdo njeri mund të sëmuret nga një grip. Përderisa të rriturit e rinj përgjithësisht shërohen mirë pas sëmundjes, gripi mund të ketë pasoja shumë të rënda para së gjithash për foshnjat, njerëzit e moshuar dhe personat me sëmundje kronike. Sëmurja nga gripi zakonisht nuk kërkon ndonjë trajtim special. Varësisht nga simptomat dhe nga shkalla e sëmundjes mund të merren medikamente që ulin zjarrminë dhe zbusin dhimbjet. Veç kësaj, ekzistojnë edhe medikamente speciale kundër viruseve të gripit (medikamente antivirale), të cilët përmes një mjeku mund të përdoret para së gjithash tek pacientët me rrezik të madh. Por, ato duhet të merren më së voni deri 48 orë pas fillimit të simptomave.
Masat parandaluese
Ambientet brenda shtëpive të mbahen në temperaturë konstante;
Prindërit të mos i veshin fëmijët trashë;
Të konsumohen sa më shumë lëngje;
Të evitohen kontaktet me njerëzit e sëmurë me grip.
Simptomat
Zjarrmi e shfaqur përnjëherë me temperaturë mbi 38°C;
Ethe, dhimbje të kokës, të muskujve dhe të gjymtyrëve;
Rrufë, koll i thatë dhe dhimbje të fytit;
Ndjenjë e marramendjes;
Ankesa gjatë frymëmarrjes;
Tek fëmijët mund të shfaqen edhe dhimbje të barkut, diarre ose vjellje.
Moti, rinis funksionimi i shkollave
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vendosur që të rihapë të gjitha shkollat që janë mbyllur gjatë këtyre ditëve për shkak të motit të keq. Situata e krijuar për shkak të reshjeve të dëborës ka bërë që Ministria e Arsimit të pezullonte mësimin në nëntë rrethe lindore dhe verilindore të vendit, deri në normalizimin e situatës. Ndërkohë që mësimi që ka humbur gjatë këtyre ditëve do të zëvendësohet ditët e shtuna të periudhës në vijim. Rrethet ku nuk është zhvilluar mësim prej fundvitit janë Dibër, Mat, Bulqizë, Mirditë, Librazhd, Kukës, Tropojë, Has dhe Pukë. Përjashtim nga ky rregull kanë përbërë shkollat që janë në qytetet e Kukësit, Bajram-Currit, Krumës, Pukës dhe Fushë-Arrëzit. Vlen të theksohet se në Qarkun e Dibrës, në Mirditë dhe në Librazhd nuk është zhvilluar mësim as në qytete, ndërsa në rrethet e tjera të prekura është pezulluar mësimi vetëm në komuna. Mësimi që kanë humbur nxënësit për shkak të dëborës do të zëvendësohet sipas ministrisë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëri të ditur se me rihapjen e shkollave në këto nëntë rrethe, do të shihet mundësia e kompensimit të ditëve të humbura të shkollës, gjatë ditëve të shtuna.
Lushnjë
8 milionë lekë për qendrën e re shëndetësore
Banorët e lagjes "Xhevdet Nepravishta" në qytetin e Lushnjës do të kenë brenda muajit shkurt një qendër të re shëndetësore. Këshilli i Bashkisë së Lushnjës miratoi ditët e fundit një fond prej 8 milionë lekësh nga të ardhurat e saj për zbatimin e projektit të ndërtimit të Qendrës Shëndetësore në këtë lagje. Projekti do të përfundojë brenda muajit shkurt, duke zgjidhur përfundimisht problemet e urgjencës për qytetarët e kësaj lagjeje, tha dje kryetari i bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku. Lagjja "Xhevdet Nepravishta" ka një popullsi prej rreth 15.000 banorësh dhe prej një periudhe disavjeçare ka vuajtur mungesën e shërbimit mjekësor. Për vetë nevojën emergjente që paraqiste ky shërbim i munguar, Drejtoria e Urbanistikës dhe ajo e Shërbimeve në bashki përgatitën projektin për ndërtimin e godinës së qendrës shëndetësore, me një vlerë prej 8 milionë lekësh, që u miratua me të gjitha votat e këshilltarëve bashkiakë.
Moti, ulen me 2-3 gradë temperaturat
Ulet edhe sasia e reshjeve. Shërbimi Meteorologjik: Ftohtë deri në fundjavë, reshje të izoluara
Ardit Bido
arditbido@journalist.com
Gjatë dy ditëve në vijim nuk do të ketë reshje dëbore dhe shiu në sasi të mëdha në vendin tonë, duke mundësuar kështu normalizimin e situatës në veri dhe verilindje të Shqipërisë. Por, sipas Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore, do të ketë një ulje të vogël të temperaturave, 2-3 gradë celsius, si edhe ngricë në zonën verilindore dhe shikim të dobësuar për shkak të mjegullës. Reshjet e dëborës pritet të nisin pasnesër deri në fund të javës të lokalizuara dhe në masë me fillimin e javës së re.
Moti
Shërbimi Meteorologjik i Forcave Ajrore bën të ditur se gjatë ditës së sotshme do të ketë shikim të dobësuar, sidomos në zonat veriore, ku mjegulla do të jetë më e dendur, si edhe ngrica, përgjatë gjithë rrugëve automobilistike që kalojnë në zona malore. Ndërkohë, do të kemi edhe alternim vranësirash dhe kthjellime, me reshje vetëm gjatë orëve të para të ditës.
Vendi ynë do ndikohet nga periferia e presionit të ulët me qendër që spostohet në lindje të detit Mesdhe. Në qarkullim janë masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, janë të lagëta dhe të ftohta. Kemi një tendence të lehtë termike në rritje. Moti do të jetë me alternim vranësirash dhe kthjellime. Reshjet janë vetëm në orët e para të 24-orëshit. Kemi praninë e mjegullës. Edhe gjatë këtyre ditëve, situata më e keqe do të jetë në zonat veriore, ndërkohë që reshje do të ketë në zonat qendrore dhe jugore. Për zonat veriore Shërbimi Meteorologjik parashikon se “moti do të jetë me vranësira të pakta dhe mesatare. Do të ketë ngrica. Shikimi do të jetë i dobësuar për shkak të mjegullës”. Ndërkohë që për zonat qendrore përcaktohet mot me pak vranësira dhe ndonjë reshje të dobët lokale. Për jugun e vendit parashikohen ngrica, shikim i dobësuar për shkak të mjegullës dhe reshje të dobëta lokale. Ndërkohë, në gjithë vendin, reshjet do të jenë të pakta dhe mesatare.
Ngrica
Për ditët në vijim parashikohet det i valëzuar me 5 ballë të shkallës bofor. Ndërkohë që era do të jetë nga 1 deri në 12 metra për sekondë me drejtim verilindje-lindje. Temperatura minimale gjatë ditës së sotshme do të jetë minus 6 gradë dhe maksimalja 10 gradë celsius. Në zonat malore temperaturat do të luhaten nga -6 në 2 gradë. Në zonat e ulëta nga -1 në 9 gradë, ndërkohë që në bregdet temperaturat minimale dhe maksimale do të jenë 4 dhe 10 gradë përkatësisht.
Ndërkohë që bëhet e ditur se do të rikthehen reshjet e dëborës gjatë kësaj jave dhe do të vazhdojnë deri në fund të saj. Deri tani nga reshjet e dëborës janë bllokuar me dhjetëra fshatra dhe rrugë automobilistike, ndërkohë që specialistët e cilësojnë këtë dimër si një ndër më të ftohtit dhe më të ashprit të dhjetëvjeçarit të fundit.