E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rizbulimi i haneve



Hanet në Shqipëri kanë ekzistuar edhe shumë kohë më parë si vende për të akomoduar udhëtarët. Sot, në gjithë vendin e kryesisht në veri kanë mbetur vetëm 40 të tillë, por në ndryshim nga e kaluara, me kalimin e viteve ato janë shndërruar në motele a në hotele. Projekti për t’i transformuar në hanet e mirëfillta shqiptare ka filluar 2 vjet më parë dhe ai ka dhënë frytet e para, duke i kthyer këto objekte në hane funksionale. Ato shtrihen kryesisht në zonën veriore të Shqipërisë, por përgjegjësi i këtij projekti, Ergys Faja, thotë se shtrirja e këtij projekti do të prekë edhe Jugun.

“Këto shtëpi turistike apo “shtëpi miqsh” ofrojnë një mundësi të mirë për të shijuar natyrën e bukur shqiptare dhe klimën malore. Numri i vizitorëve në ditët e sotme është i shumtë dhe ata janë kryesisht të huaj dhe kosovarë, ndërsa numri i shqiptarëve është shumë i vogël”, – rrëfen z. Faja. “Vizitorët e huaj mahniten pas natyrës shqiptare dhe dëshirojnë ta prekin atë në çdo aspekt. Ata dëshirojnë të gatuajnë gjellët tradicionale të zonës dhe madje të provojnë edhe punët e fshatit”, - tregon përgjegjësi.

Sipas tij, ka rreth një vit që agroturizmi familjar po e kthen vendin tonë në një pjesë të rëndësishme të turizmit rajonal. Hanet administrohen privatisht dhe shteti thjesht sa ka luajtur rolin e sensibilizuesit dhe të të bërit publicitet, sipas drejtorit të projektit.

“Madje pronarët kanë treguar interes edhe më para se të niste projekti. Ata kanë kërkuar mbështetje financiare, në mënyrë që të plotësonin kushtet për t’i transformuar shtëpitë e tyre në shtëpi akomodimi për vizitorët dhe për t’i kthyer ato në biznese fitimprurëse”, – thotë z. Faja. Ndërkohë që ky projekt gjeti konkretizim vetëm një vit më parë, kur këto hane u kthyen në bujtina të përshtatshme për të pritur vizitorë. Përfitimet që vijnë prej haneve shkojnë të gjitha tek pronarët, pasi ata mbeten përfituesit e vetëm. “Veçantia qëndronte në faktin se ishte mjaft interesante të shihje të huajt të transformuar në shqiptarë dhe për më tepër ndienin mjaft kënaqësi për këtë. Madje, edhe fëmijët ishin bërë pjesë e kësaj. Ata kishin shumë dëshirë të ruanin bagëtitë që janë të shumta në këto zona apo t’i ushqenin e t’i milnin. Shumë të preferuara janë edhe aktivitetet që lidhen me tradicionalen, si festivali i sazeve apo festivali i vajit të ullirit, aktivitete këto që bëhen për të argëtuar turistët, ndërsa aktivitetet sportive qëndronin pas këtyre”, – shprehet drejtuesi i projektit.

Këto hane janë edhe mbartës të kulturës sonë të lashtë dhe një pjesë e tyre janë edhe muze etnografikë. Hanet janë më tepër të frekuentuar në fundjavë dhe zakonisht prenotohen për disa ditë. Mjaft tërheqëse për pushuesit janë edhe çmimet, të cilat janë mjaft të përballueshme prej xhepit të shumë personave. Kështu një natë mund të shkojë jo më tepër se 30 euro. “Ushqimet janë një pjesë e rëndësishme e tërheqjes së të huajve. Ato janë tipike të zonave dhe ajo që është më e rëndësishmja, janë bio. Ato ndryshojnë nga një zonë në një tjetër, megjithëse ajo që të bie në sy është prania e bulmetrave si pjesë e këtyre recetave apo edhe e frutave të freskëta”, – shprehet z. Faja.

Resurset e Shqipërisë janë të shumta dhe janë të shfrytëzuara shumë pak dhe nëse do të arrihej të shfrytëzohej realisht potenciali turistik i vendit tonë, do të kishim një ekonomi më të mirë. Megjithëse të ardhurat nga turizmi në vitet e fundit janë shtuar përsëri, ka hapësira ku mund të investohet. Historia e lashtë e vendit tonë është mjaft tërheqëse dhe kombinimi i tradicionales me modernen, siç ka ndodhur në rastin e haneve, është shembulli më i mirë i funksionimit të kësaj gjëje. 40 hanet kanë ngjallur interes jo vetëm prej bukurive natyrore, por edhe prej historisë që ata përcjellin në ditët e sotme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›