E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ethet e El Clasico

Barcelona mposhti Shakhtar Donetskun 5-1 në ndeshjen e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve. Gjiganti katalan pothuajse siguroi përballjen me Real Madridin në gjysmëfinale, që është në epërsi 4-0 ndaj Tottenhamit. Brenda këtij muaji ata do të takohen edhe në La Liga dhe finalen e Copa del Rey. Por, trajneri Guardiola dhe futbollistët e tij ende nuk kanë filluar të mendojnë për Realin. Nga Express më 08 prill 2011 në ora 10:20

Barcelona tregoi respekt për Shakhtar Donetskun duke refuzuar të flasin për atë që duket pothuajse i caktuar, takimi me rivalin Real Madrid në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Fitorja 5-1 të mërkurën në ndeshjen e parë çerekfinale solli mundësinë e katër përballjeve mes gjigantëve spanjollë brenda 19 ditëve, pasi ekipi i Jose Mourinhos kishte shkatërruar Tottenhamin 4-0 në ndeshjen e tyre të parë të martën.

Barcelona dhe Reali do të ndeshen në La Liga më 16 prill, katër ditë më vonë i pret finalja në Copa del Rey e më pas ajo që pothuajse është caktuar, takimi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve më 27 prill dhe 3 maj.

Me të dyja skuadrat në garë për tre tituj, ‘Clasico’ do të përcaktojë shpresat e tyre për secilin prej këtyre titujve. Por, nga respekti, trajneri Pep Guardiola dhe futbollistët e tij refuzuan të mendojnë përtej javës së ardhshme dhe ndeshjes së kthimit kundër Shakhtarit në Donbass Arena.

“Do ta kishim gabim nëse mendojmë se përballja ka përfunduar”, tha Andres Iniesta, shënuesi i golit të parë të Barcelonës pas vetëm dy minutave në Nou Camp. Ndërsa Xavi, i cili realizoi të pestin, shtoi: “Në futboll gjithçka mund të ndodhë. Ne mund të kemi vënë një këmbë e gjysmë në gjysmëfinale, por duhet të jemi të kujdesshëm. Ata mund të na vënë nën presion”.

Guardiola shprehu brengën e tij se njerëzit nënçmonin ukrainasit para takimit të parë dhe përsëri bëri thirrje për kujdes para ndeshjes së kthimit.

“Ende kemi kujtime të freskëta nga fitorja 5-0 ndaj Real Betisit në Copa del Rey e më pas sa shumë vuajtëm në ndeshjen e kthimit”, tha ai, duke iu referuar dy golave të skuadrës nga liga e dytë në 10 minutat e parë të humbjes 3-1 në janar.

I vetmi koment i Guardiolës para përballjeve të ardhshme me Realin ishte në lidhje me ndeshjen e tyre të ardhshme të ligës në shtëpi kundër Almerias të shtunën, e fundit para vizitës së tyre në Santiago Bernabeu.

“Ne duhet të shkojmë në Bernabeu me tetë pikë epërsi (epërsia aktuale). Humbja kundër Almerias është e paimagjinueshme”, u shpreh Guardiola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›