E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK përmirëson gabimin

Nga Express më 08 prill 2011 në ora 11:17

Komisioni për çështje urgjente i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i drejtuar nga kryetari Fadil Vokrri, të enjten ka shqyrtuar interpretimin zyrtar të nenit 64 të Rregullores së garave nga ana e Komisionit për akte normative të FFK-së lidhur me renditjen tabelore të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, pas rrethit të dytë të garave.

Në këtë mbledhje, ky Komision mori vendim që ta shfuqizojë vendimin e Komisionit të Garave lidhur me renditjen tabelore të Raiffeisen Superligës së Kosovës, pas xhiros së 22-të, të cilin ky i fundit e kishte formuluar gabimisht. Nga FFK gjithashtu njoftojnë se Komiteti Ekzekutiv do ta hulumtojë rastin e Komisionit të Garave për interpretimin e gabuar lidhur me çështjen në fjalë.

Ndërkohë, të enjten është mbledhur me vetiniciativë edhe Komisioni për Akte Normative (KAN) i FFK-së në përbërje prej Luan Vokshit, Muharrem Muhaxherit e Adem Qollakajt, i cili formuloi interesimin zyrtar të nenit 64 të Rregullores së Garave, në të cilin ishte thirrur Komisioni i Garave i FFK-së, për ta bërë renditjen tabelore pas 22 xhirove.

KAN konstaton se Komisioni i Garave i FFK-së për Superligë ka bërë gabim për disa arsye. Komisioni për Akte Normative shpjegon se renditja tabelore pas 22 xhirove i siguron përparësi tabelore ekipit me pikë të njëjta, por me gol-diferencë më të mirë. Nëse edhe kjo është e barabartë, atëherë përfiton ekipi i cili ka shënuar më shumë gola.

“Opsioni të cilin e ka marrë për bazë Komisioni i Garave (pikët nga ndeshjes e ndërsjella) është opsioni i fundit që është dashur të merret parasysh, sepse në këtë rast nuk është fundi i kampionatit, ngase këto ekipe do të takohen edhe njëherë në mes vete në fazën e tretë”, shkruan në arsyetim.

“Përpos kësaj, Komisioni ka gabuar edhe në renditjen tabelore të tri ekipeve të tjera me pikë të njëjta: Flamurtari, Ballkani dhe Vëllaznimi, duke i klasifikuar ato në bazë të ndeshjeve të ndërsjella”, vazhdon arsyetimi i Komisionit për Akte Normative.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›