E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ethet e Nobelit kete vit midis Shqiperise dhe Japonise

Ethet e Nobelit këtë vit kanë pushtuar hapësirën midis Shqipërisë dhe Japonisë.
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është renditur i katërti në sondazhin online nga gazeta britanike “The Guardian” për çmimin Nobel të Letërsisë. Shkrimtari dhe drejtori i drejtorisë së librit në MTKRS Ermir Nika thotë se kolosi i letrave shqipe Kadare e meriton këtë çmim, pasi sipas tij ky çmim duhet të shkojë për shkrimtarë, të cilët janë të njohur në gjithë botën falë përkthimit të veprave në gjuhë të ndryshme ndërkohë që veprat e Kadaresë janë përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës.
Nika thotë që në festivale të ndryshme të Letërsisë zhvilluar në Europë, ku Shqipëria ka qenë pjesë, shpesh jemi ndeshur me thënien: “ju vini nga vendi i Kadaresë” dhe ky është faktor i rëndësishëm që tregon popullaritetin dhe përbotshmerinë e veprës së Kadaresë.

Në toplistën e sivjetshme vihet re që 46 kandidatë nga 210 të nominuar janë kandidatë për herë të parë. Ndërkohë që shkrimtari shqiptar është kandidat për çmimin më të rëndësishëm të Letërsisë, Nobelin për të disatën herë. Kadare këtë vit është propozuar nga Këshilli ekzekutiv i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si kandidaturë për komitetin e Çmimit Nobel për Letërsinë për vitin 2012.

Këtë vit, fituesit do të përfitojne rreth 1.5 milionë dollarë, diplomë dhe medalje ari. Ndërkaq për Kadarenë u shënua pak ditë më parë një tjetër sukses. "Prilli i Thyer" i shkrimtarit Ismail Kadare është radhitur në listën botërore tek "10 hakmarrjet me të mira në Letërsi".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›