E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, Arvizu: Është përmirësuar cilësia e shërbimit

Cilësia e shërbimit në spitale dhe klinika është përmirësuar. Deklarata është bërë nga ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, gjatë një vizitë në qytetin e Koplikut, në kuadër të përmbylljes së panaireve të edukimit shëndetësor. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal. Ambasadori amerikan gjatë fjalës së tij ka vënë theksin në zhvillimin e shëndetësisë, e në mënyrë të veçantë në ndërgjegjësimin e opinionit publik për edukatën shëndetësore. “Jemi këtu për të folur për shëndetësinë dhe për konceptin e këtij sektori në shoqëri. Jemi munduar të bëjmë një lloj ndërgjegjësimi në të gjithë Shqipërinë. Falë ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, mund të cilësoj se shërbimi në shëndetësi është përmirësuar në klinika. E rëndësishme është të dish si të ruash trupin tënd, ashtu siç është i rëndësishëm edhe komunikimi i prindërve me fëmijët, apo prindërit me mësuesit e tyre. S’ka asgjë më me vlerë se të jesh një person i shëndetshëm”, - ka theksuar Arvizu. Ministri Vasili, përveç përshëndetjeve për zhvillimin e këtij panairi në qytetin e Koplikut, ka folur edhe për hapat që institucioni që ai drejton ka ndërmarrë për zhvillimin e shëndetësisë. Vizita e ambasadorit Arvizu është mbyllur në një takim në qendrën e shoqatës joqeveritare “World vision”, në Shkodër, ku është njohur me disa prej iniciativave humanitare që ka në themel kjo shoqatë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›