E Shtunë, 31 Tetor 2026

Etiketa per pajisjet elektrike

Qytetarët do të kenë mundësi në një kohë të afërt të përzgjedhin pajisjet që punojnë me energji elektrike ose kanë ndikim në shpenzimin e energjisë. Kjo falë ligjit më të ri që po hartohet nga drejtoria e tregut të brendshëm në Ministrinë e  Ekonomisë. Sipas këtij ligji, produktet që  tregtohen në tregun vendas, do të pajisen me etiketa, skedë informative dhe informacion plotësues, me qëllim që t’i mundësojnë konsumatorit zgjedhjen e produkteve më eficiente.
Sipas drejtoreshës së tregut të brendshëm, Anila Jani, ky informacion do të ndikojë në zgjedhjen prej konsumatorëve, të atyre produkteve që kanë konsum më të vogël të energjisë, por nga ana tjetër do të ndikojë dhe në operatorët ekonomikë që të vendosin në treg produkte sa më eficiente për energjinë.
Në grupin e parë të pajisjeve janë pajisjet elektroshtëpiake. Ligji pritet të fuqizohet dhe aplikohet brenda vitit të ardhshëm.
Ekspertë të ministrisë së Ekonomisë shprehen optimist për avantazhet e një ligji të tille, i cili do të rezultojë i efektshëm, në rast se strukturat inspektuese të tregut do të funksionojnë plotësisht. Në rast se operatorët ekonomikë, pra tregtarët, nuk do të aplikojnë etiketat atehërë do të penalizohen në bazë të akteve normative që pritet të rrjedhin nga ligji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›