Eurozona ne pritje te dites vendimtare te Greqise

Politikanët grekë po bëjnë përpjekjet e tyre të fundit për të cuar votuesit në një nga zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e vendit dhe të zonës euro.
Një manifestim final i fushatës elektorale në prag të ditës vendimtare të së dielës për Greqinë. Të gjithë sytë janë drejtuar në dy raundet e zgjedhjeve pas votimit të majit që e lane vendin në gjendje të trazuar. Këtë herë shihet si një referendum mbi faktin nëse vendi do të qëndrojë në Eurozonë apo do të largohet prej saj.
Në tentativat e tij të fundit për të bindur elektoratin kreu i SYRIZA-s, Alexis Tsipras ka premtuar se do heq kushtet e vendosura nga marrëveshja për shpëtimin ndërkombëtar të vendit. Ai ka fituar një popullaritet të madh tek të rinjtë dhe të papunët dhe kjo rritje ka qenë një nga historitë më të mëdha të zgjedhjeve.
“Duke filluar nga dita e hënë sëbashku me popullin do të nisim një epokë të re. Një epokë të ndryshimeve të mëdha dhe refromave të mëdha për popullin. Të hënën plani i shpëtimit do të jetë një histori. E hëna do të jetë një epokë e re e rritjes, shoqërisë dhe solidaritetit. Sëbashku do të nisin ndryshimet në vend”, u shpreh Tsipras.
Ndërkohë tregjet financiare janë përgatitur edhe për skenarët më të këqinj. Bankat qëndrore në të gjithë botën thonë se janë të gatshme për një stuhi financiare dhe një panik të publikut pas zgjedhjeve të fundjavës.
Masat mund të përfshijnë një veprim të koordinuar për stabilizimin e tregjeve financiare. Kreu i shkëmbimeve financiare të ETX Capital, Joe Rundle thotë se një fitore e Tsipras nuk do të ishte kaq dramatike sikurse kemi menduar në fillim.
“Nuk pres një rrëzim total. Unë në të vërtetë pres që Syriza të shkojë në BQE dhe ndoshta do të jetë më pak i ashpër në kërkesat e saj. Kështu që nuk pres shumë nëse fiton SYRIZA. Ajo nuk mund ta përballojë daljen nga euro, pasi Greqia nuk ka mundësi të paguajnë punonjësit e saj”, vlerësoi ai.
Në fakt në sondazhet e fundit, Tsipras shkon pothuajse aty- aty me rezultatet krahasuar me Demokracinë e Re të Samaras.
Kreu i kësaj partie është i vendosur t’i bindë grekët se e vetmja mënyrë për të shmangur falimentimin e ekonomisë është qëndrimi në Eurozonë.
“Nuk mund të luajmë poker me Greqinë. Është rruga e përgjegjësisë në të cilën jeni të qartë mbi atë që na duhet dhe themi se dëshirojmë euron dhe rinegocimin. Ka të tjerë që janë të varfër në mendime dhe nuk flasin qartë dhe për ne ata janë të papërgjegjshëm”, vuri në dukje Samaras.
Duke u rikthyer në zgjedhjet e fundit gara kryesore ishte mes Samaras dhe Venizelos. Ky i fundit ka qenë negociator për dy herë i marrëveshjes së shpëtimit me ndërkombëtarët. Por këtë herë në krye të garës qëndrojnë lojtarë të tjerë që do të vendosin për të ardhmen e Greqisë dhe Eurozonës.