E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri inspekton Ashten Ta shnderrojme vendin ne superfuqi energjetike

Kryeministri Berisha inspektoi sot, hidrocentralin e Ashtës, një ndër veprat më të madhe të energjisë hidrike që po ndërtohet në zonën e Bushatit në Shkodër dhe asistoi në vënien për herë të parë, në punë, të turbinave Hydromatrix® të HEC-it Ashta 1. Në këtë mënyrë, kjo vepër energjetike, një investim prej më shumë se 200 milionë euro i dy kompanive të njohura austriake në fushën e energjisë hidrike, VERBUND dhe EVN, nisi testimin e prodhimit të energjisë.

“Në 27 muaj, sipas një agjende të zbatuar në mënyrën më serioze, kompania juaj ia doli të vendosë turbinat e para, të prodhojë energji dhe ta kalojë atë në rrjetin kombëtar energjetik. Kjo është një arritje e madhe për ju, por kjo është një arritje e madhe për të gjithë Shqipërinë, sistemin e saj energjetik dhe përpjekjet për të përdorur të gjitha burimet natyrore në funksion të prodhimit të energjisë”- e nisi fjalën e tij kryeministri.

Ai inspektoi të gjithë veprën dhe asistoi në nisjen nga puna të turbinave. Ai e vlerësuar këtë një moment të rëndësishëm për sistemin energjetik shqiptar, por njëherësh edhe një vlerë më shumë në përpjekjet e qeverisë “për të përdorur të gjitha burimet natyrore në funksion të prodhimit të energjisë së rinovueshme” dhe “zhvillimit të qëndrueshëm”.

“Hidrocentrali Ashta është një investim i madh në Shqipëri, që arrin në 200 milionë euro. Ai është një kontribut i madh në zhvillimin e sistemit energjetik shqiptar dhe në projektin e qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme. Ju jeni dëshmitarë të një veprimtarie të ethshme në këtë fushë, e cila ka tre qëllime kryesore:
Së pari, prodhimin e një energjie me çmime të leverdishme për qytetarët shqiptarë, duke shndërruar në vlerë energjetike ujërat e vendit, të cilat derdhen të fjetura në det.
Së dyti, në procesin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve punësohen dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë.
Së treti, ndërtimi i tyre ka një efekt direkt në balancën e pagesave, raportet e eksport-import, shumë të rëndësishme këto për zhvillimin ekonomik”-theksoi kreu i qeverisë.

Më tej ai ka shtuar se në të gjithë vendin janë ndërtuar 46 HEC-e ndërkohë që janë në ndërtim edhe 100 të tillë, vlera e të cilëve kap shirën e 2.5 miliardë eurove dhe krijimin e mijëra vendeve pune.
“Nga viti 2007 e gjer më sot janë ndërtuar apo rindërtuar 46 hidrocentrale, janë në ndërtim e sipër mbi 100 të tjera, me një kapacitet prej 1400 megavat, investim rreth 2.5 miliardë euro dhe punësim 15-20 mijë punëtorë direkt dhe indirekt”- tha ai.
Duke e cilësuar HEC-in e Ashtës një kryevepër me teknologji moderne, kryeministri asistoi në vënien për herë të parë në punë të turbinave Hydromatrix të HEC-it Ashta 1.

“Hidrocentrali Ashta përbën një risi botërore, pasi është hidrocentrali më i madh që bazohet në teknologjinë më të avancuar të prodhimit të energjisë, siç është teknologjia e turbinave tubolare. Por ky hidrocentral përbën edhe një kryevepër në rrafshin mjedisor. Ai jo vetëm që nuk ka cenuar mjedisin, por mjedisorëve më duhet t’u them se ai e ka përmirësuar ndjeshëm atë, pasi me kanalin e hapur, peshqit do të mund të ngjiten nga deti, në ujërat e ëmbla të këtij kanali. Për shqiptarët në tërësi dhe mjedisorët në veçanti, ndërtimi në këto parametra i hidrocentralit të Ashtës është një kontribut i madh për mjedisin e tyre, pasi teknologjia e gjithçka tjetër kanë bërë të mundur të kursehet prodhimi i 114 mijë tonë dioksid karboni”- vijoi më tej Berisha, ndërsa shtoi se qeveria ka krijuar një mjedis miqësor e besimi të madh tek investitorët më seriozë të Europës e botës, në fushën e hidroenergjisë. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për të lehtësuar kompanitë, të cilat do të investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri. Ne mbetemi të vendosur të aplikojmë standardet më liberale, në mënyrë që ato të kenë garancitë maksimale të tregut, në projektet e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›